E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artistë shqiptarë dhe serbë bashkohen në Itali

Nga Oliverta Lila
 

ROME- Në një kohë që raportet diplomatike serbe dhe shqiptare janë të ndera, fillimisht nga deklaratat për Pavarësinë e Kosovës e së fundmi nga akuza trafiku, një grup artistësh shqiptarë dhe serbë rievokojnë fuqinë e artit, i cili lejon dhe bashkon njerëzit në një komunikim universal, përtej çdo konflikti politik e kulturor. Nën këtë moto, piktorët kanë bashkuar punët e tyre në një ekspozitë të përbashkët në Itali. Ky aktivitet ka takuar një grup artistësh të rinj shqiptarë dhe serbë të lindur rreth viteve '70-'80 të nëntëqindës, të cilët kanë frekuentuar me rezultate të shkëlqyera kurse prestigjioze në Universitetin e Arteve të Beogradit, në institucione të afirmuara artistike në territorin e ish-Jugosllavisë dhe në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence. Dragana Adamov, Nebojsa Bogdanovic, Olga Djurdjevic, Alfred "Milot" Mirashi, Alkan Nallbani, Biserka Petrovic, Parlind Prelashi, Artan Shabani, Tijana Stankovic, prej më shumë se një jave kanë ekspozuar punët e tyre në galerinë e artit "Alexander Alvarez Contemporary Art", me mbështetjen e rajonit të Piemontes. Ekspozita mban një titull sinjifikativ. "Shpërfillje kufijsh". Kuratorët Emiliano Busselli dhe Gian Luca Randazzo që janë kujdesur për takimin e këtyre artistëve, nuk mund të zgjidhnin një tjetër emërtim. Me këtë ndërgjegjshmëri, ekspozita kërkon të sjellë një shembull se si në emër të artit dhe të një reflektimi jemi në gjendje të kalojmë kufijtë dhe diferencat. Sipas kuratorëve, ky aktivitet jo vetëm që kalon barrierat ideologjike por edhe atë zbrazëtirë estetike të regjimit, i thënë ndryshe regjimi socialist, gjatë të cilit arti shqiptar dhe ai serb mbetën të ndarë në forma e në nivele të ndryshme, gati në kufijtë e një burgosjeje. "Shpërfillje kufijsh", synon drejt një territori në të cilin liria e kërkimit dhe e shprehjes artistike janë shenja të një Humanizmi të Ri dhe një Historie të Re, në të cilët të vetmit kufij për t'u shembur mbeten ato që i mohojnë individit pavarësinë e tij krijuese", - theksojnë kuratorët e ekspozitës.
Veprat e artit
"Në tërësinë e saj ekspozita do të lejojë që të bëhet një vëzhgim i plotë i artit bashkëkohor ballkanik, duke vënë në pah diferencat me natyrë historike: një art shqiptar i lidhur deri në thellësitë e frymëzimit me realizëm popullor dhe intensivisht lirik; një art serb tendencialisht më konceptual dhe në pjesën më të madhe i hapur ndaj zhvillimeve kontemporane, të diktuara këto edhe nga mosndërprerja e komunikimit me jashtë", - shprehet kuratori Emiliano Busselli. Biserka Petrovic, e diplomuar për grafikë pranë Akademisë fiorentine është përfaqësuese e një zhvillimi shprehës shumë simbolik; nga gdhendjet në pikturë, nga bardhë e zi në ngjyra, nga skeletet kafshërore te mishi i gjallë.
Dragana Adamov, e cila aktualisht po specializohet për pikturë pranë së njëjtës akademi, dhe e diplomuar më parë në qeramikë, ka krijuar një eksperiencë personale në ndërthurjen e dy arteve; krijimin e objekteve dhe skulpturave në qeramikë dhe vepra pikture që i përkasin së njëjtës botë figurative. Fusha e arteve të prezantuara zgjerohet me Olga Djurdjevic, e diplomuar për skenografi dhe Tijana Stankovic. Ato prezantohen me një video-instalacion të rreth 1000 fotove të vizatimeve të ndryshme, që me linjat dhe ngjyrat e ndryshme krijojnë idenë e një ylberi. Ndërsa piktura e Nebojsa Bogdanovic, autor i pikturave-objekt, në të cilat ngjyra është një material si gjithë të tjerët, madje edhe si pëlhura. Ndërsa për sa i përket artistëve shqiptarë, kuratorët theksojnë pjesëmarrjen e Alfred Mirashi "Milot", përfaqësues i një gjenerate që ia mbathin nga qëndrimi i ashpër anti-modernist i diktaturës së Enver Hoxhës. Falë studimeve në Akademinë e Breras dhe një sërë specializimesh në Londër, Barcelonë, Nju Jork, Milot (emri artistik nga vendi i lindjes), ka zhvilluar një interpretim personal të klasicizmit mesdhetar, ku ngjyrat e ndezura dhe deti janë simbole të shkëmbimeve kulturore. Për të balancuar ngjyrat shprehëse të Milotit, janë veprat e krijuara nga Alkan Nallbani, i cili pas disa eksperiencave në disa nga galeritë më të njohura, iu rikthye gjallërisë dhe ngjyrave në pikturë pas një kohe të gjatë të dominimit të artit konceptual. I lidhur me rrënjët popullore është edhe arti i Artan Shabanit, i lindur dhe Vlorë dhe rezident në Torino. Nisur nga ideja e një vendi dhe një tradite që nuk mund të simbolizojë veç izolim, videoja e Parlind Prelashit tenton të bëjë të kundërtën. Duke u nisur nga një martesë tradicionale e Veriut të Shqipërisë, ai i mëshon komunikimit mes kulturave duke vënë në sfond jo vetëm muzikë tradicionale shqiptare, por edhe atë të Goran Bregoviç.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›