E Shtunë, 31 Tetor 2026

Restaurohet kalaja e dasmës së Skënderbeut

NgaOliverta Lila 

TIRANE-Kalaja e Kepit të Rodonit, e njohur ndryshe edhe si Kalaja e Skënderbeut, i është nënshtruar një procesi konservimi dhe restaurimi. Projekti i hartuar nga specialisti i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Valter Shtylla, i zbatuar dhe financuar nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Tiranë, kishte parashikuar ndërhyrje në pjesët më të rrezikuara të këtij monumenti. Ndonëse gjendet në zonën e Ishmit, në thellësi të bregdetit Adriatik, në veri të qytetit të Durrësit, kjo kala mbart jo vetëm një pjesë të rëndësishme të historisë mesjetare shqiptare, por edhe vlera turistike. Një fond prej 20 milionë lekësh të vjetra është përdorur në fortifikimin antiko-mesjetar që sjell jehonën e Topiasve, por edhe të familjes së Kastriotëve, Skënderbeut e ceremonisë së tij të martesës. "Punimet kanë pasur si qëllim kryesor ruajtjen sa më të plotë e të konsoliduar për të garantuar ekzistencën e kësaj kalaje në të ardhmen. Detyrë kryesore ka qenë ruajtja dhe konsolidimi i murit rrethues të kalasë, plotësimi në një masë të lejueshme i elementëve fortifikues, si bedenat apo kamaret brenda oborrit. Ndërsa punime esenciale kemi kryer në kullën që ndodhet në skajin verior të Kepit të Rodonit, e cila ishte shumë e dëmtuar, e degraduar dhe në rrezik për t'u shembur", - shprehet hartuesi i projektit, Shtylla, ndërkohë që punimet janë bërë nga specialistët e Drejtorisë së Kulturës Kombëtare. Sipas tij, një tjetër ndërhyrje është bërë në themele, duke ndërtuar mure përforcues që shmangin shembjen në të ardhmen. "Probleme ka pasur edhe nga ana e kodrës, ku dherat e kishim mbytur murrin rrethues që ushtronte presionin mbi vet muret e kalasë dhe rrezikonte me lagështinë që sjellin ujërat sipërfaqësore. Organizuam me kanalizime të jashtme rrjedhjen e ujërave të kodrës që të mos atakonin muret. Gjatë kësaj kohe, nga cepi jug-perëndimor kishte gjurmë të qarta mbetjesh arkeologjike të mëparshme, çka tregojnë për ndërtime më të hershme se faza që është mbi tokë", - thekson më tej Shtylla. Rreth 6-7 vite më parë në këtë kala është bërë edhe një investim i pjesshëm, në kohën kur u krye një restaurim i plotë i kishës së Shën Ndout, ndërtuar nga motra e Skënderbeut, në mesin e shek XV. Specialistët mendojnë se në një të ardhme të afërt, do të kenë një tjetër fond për ndërhyrje të mëtejshme restauruese në këtë monument.
Turizmi
Të marrësh rrugën për të shkuar deri te kalaja e Kepit të Rodonit nuk të nxitin vetëm muret antike të mbetur ngritur, por një panoramë e tërë turistike. Vizitorët pothuajse mungojnë. E gjitha për faj të një infrastrukture që do të vihej në shërbim të jetëzimit të këtij monumenti. "Konservimi, konsolidimi dhe evidentimi i kësaj vepre mbrojtëse mesjetare të familjes së Kastriotëve, patjetër që kërkon një menaxhim me efekte turistike. Tani për tani vizitat mund të bëhen të organizuara nga ana e detit prej Durrësit. Mendoj se me jetëzimin e gjirit të Lalzit, me ndërtimet turistike hoteliere që do të bëhen në të ardhmen, edhe kalaja e Kepit të Rodonit do të fitojë aksese turistike dhe infrastrukturë që ta bëjnë të vizitueshme. Rruga nga Shën Pjetri deri te kalaja nuk është distancë e madhe, por rruga ka parametra jo të pranueshëm", - thekson Shtylla.
Historia
Kalaja e Kepit të Rodonit është e mbushur plot histori. Arkeologët kanë bërë sondazhe nënujore lidhur me blloqet antike që ndodhen të përmbytura në bregdetin e gjirit të Rodonit e që dëshmojnë për një vendbanim antik para fortifikimit mesjetar të kështjellës së Rodonit. Sipas specialistit Valter Shtylla, burimet për këtë vendbanim hasen që në fillim të shek XIV. Në vitin 1324 përmendet emri i Kepit të Rodonit. Në këto treva, në shek XIV ka sunduar familja e njohur arbëreshe e Topiajve, me emrin e së cilës lidhen dhe shumë histori të trevave të tjera veriore të Durrësit të veriut. Ndërsa në fund të shek XIV, Kepi i Rodonit përmendet me rastin e kryengritjeve kundër Republikës Veneciane. Por sipas Shtyllës, këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një fortifikim, por edhe me disa objekte kulti religjioze interesante të shek XIII-XIV. Pranë kalasë ndodhet Manastiri i Shna Ndout, i ndërtuar nga motra e Skënderbeut në mesin e shek XV. Këtu kemi të bëjmë me një vendbanim të përbërë nga ndërtime publike, familjare, nga objekte kulti dhe së fundi me kurorëzimin e ndërtimit madhor, siç është vet fortifikimi i Kepit të Rodonit. Lidhur me origjinën e mureve rrethues të kështjellës, burime të ndryshme ia atribuojnë kryesisht periudhës së Skënderbeut. Mbahet si një nga ndërtimet më monumentale dhe më të specifikuara të periudhës së Skënderbeut, të cilin mendohet ta ketë përdorur si port. Ndërsa ka dhe burime që theksojnë se aty është bërë ceremonia e martesës së tij me Donikën, apo që kanë kaluar aty ditë pas saj. Pas Skënderbeut ky fortifikim vazhdoi të mbijetojë. Në fillim të shek XVI, janë bërë ndërhyrje restaurimi nga Republika Veneciane. Sipas Shtyllës, nuk është rastësi që një nga kullat më kryesore të fortifikimit ka një teknikë që ngjan shumë me ndërtimet veneciane të gjithë bregdetit dalmat.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›