E Diel, 1 Nëntor 2026

Da Vinci anonim dhe miqësia mes dy brigjeve

Një prezantim jo serioz i "Makinave të Leonardo Da Vinçit" në Akademinë e Arteve.
Informacioni për objektet që i referohen shpikjeve të Mjeshtrit, jepet në copa letrash. Vijnë dhe ikin si hijet programet për trajnimin e të rinjve të Arteve


Për dy ditë në hollin e Akademisë së Arteve, qëndroi e hapur ekspozita "Makinat e Leonardo Da Vinçit", një nismë e Rajonit të Puljas në kuadër të aktiviteteve njëjavore në Tiranë: "Përtej detit-Shqipëria-Pulja: dy popuj, një miqësi".


Nga koleksioni i mostrave të Da Vincit (1452 -1519), i ruajtur në kështjellën e Acayas në Leçe, u prezantua në Tiranë riprodhime të arkitektit Giuseppe Manisco. Ishin vendosur mbi një tavolinë të drunjtë të vjetër dhe informacioni i shkurtër për secilën nga objektet ishte shënuar mbi copa letrash: higroskop rrethor, kompas, kushinetë me sfera, pllakëz kyriane, turjelë, anemometër.


Në ditën e dytë dhe të fundit të ekspozitës në Tiranë, i vetmi person i gatshëm për të dhënë informacion ishte një teknik skene i ardhur nga Italia. Ai ishte ngarkuar për këtë paraqitje në miniaturë të ekspozitës prej 40 projektesh që u hap para pak ditësh në Galerinë e Arteve "Gjin Zenebishi" në Kalanë e Gjirokastrës.


Këtu ishte prezantuar lloji i kompasit që hapej, me krahë të lëvizshëm, që duhej të ishte shpikur më 1514-1515. Turjela e imituar sipas objektit që mjeshtri e krijoi rreth 1500-ës. Ishte ekspozuar edhe projekti i kushinetave me sfera. Kushinetat që mbajnë peshën e një boshti vertikal, ishin të përmasave të ndryshme.


Nga një kategori me rëndësi në projektet e Da Vinçit të quajtura "Makinat e luftës", u paraqit vetëm një: Mekanizmi i Shkrepjes për Balestra Gjigante. Projekti i Balestrave Gjigante të Da Vinçit i takon vitit 1500, dhe ky studim më tepër është bërë për të ngjallur habi sesa për t'u zbatuar.
Mjeshtri kishte menduar edhe për aparatet e parashikimit të motit. Në ekspozitë u panë rikrijime të modeleve të një higroskopi dhe një anemometri.
Anemometri, një dru i hollë, i fiksuar në një pllakë, që lëviz sipas forcës së erës u përdor për studimin e motit dhe për sigurinë në fluturim.


Ekspozita "Makinat e Da Vinçit" u prezantua në Tiranë në formë jo serioze, kur qëllimi ishte për të dëshmuar "personalitetin e Da Vincit, por edhe kulturën rilindase italiane, mbi të cilën lindi dhe u rrit kultura europiane".
Por këtë fat patën edhe aktivitetet e tjera të zhvilluara javës që shkoi nga Rajoni i Puljas.
Në dukje, u pretendua angazhimi i të rinjve të Akademisë së Arteve në Tiranë në trajnime për teatrin dhe kinemanë. Siç u pa, trajnimi për kinemanë ishte krejt formal dhe studentët mbajtën një qëndrim indiferent. Me trajnim u kuptua paraqitja e tri filmave me metrazh të shkurtër dhe prezantimi tangent i dy regjisorëve të rinj italianë. Të pranishmit mësuan se ekziston një qendër puljeze që administron fondet për kinemanë dhe asgjë më tepër. Sallën e mbushnin studentë të artit pamor, të detyruar të ishin pjesëmarrës, dhe jo ata të regjisë dhe aktrimit.


Po kështu, njerëzit që do të drejtonin "Sogno Meta-Fizico" në formën e happening theatre - një natyrë e panjohur tek ne e të bërit teatër - nën kujdesin e kompanisë Primo Teatro, interpretuan "në heshtje dhe pa lënë gjurmë" në sallën e Akademisë së Arteve. Në program ishte parashikuar një trajnim dyditor me në studentët e aktrimit, por kompania puljeze u largua nga Tirana më shpejt nga ç'parashikohej.
E pra të gjitha këto pseudongjarje - askush në Akademinë e Arteve nuk dinte të thoshte ku, kur dhe çfarë do të organizohej - të ardhura ashtu befas dhe të bëra sa për të thënë, pa një organizim dhe një program serioz, duket se vetëm promovimin dhe shkëmbimin e kulturave nuk kanë për qëllim.


Me më shumë seriozitet u mor shijimi i kuzhinës italiane sesa java kulture me gjithë aktivitetet marrë së bashku.
Mos të harrojmë se partnerë në këto lloj "miqësish mes brigjeve" janë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›