E Diel, 1 Nëntor 2026

AIITC, promovon fjalorin e parë arabisht-shqip

Fjalori me fjalë e shprehje të gjuhës arabe, i botuar nga AIITC, përbën një kontribut të vyer për leksikologjinë shqiptare. Dje në sallën Aleks Buda të Akademisë së Shkencave u promovua fjalori i parë arabisht-shqip, i botuar në Shqipëri. Ky fjalor, me autor Sulejman

Tomçini dhe botim i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, përmban 70.000 fjalë e shprehje të gjuhës arabe. Nevoja për këtë fjalor ndihej prej kohësh në Shqipëri dhe i përgjigjet më së miri arabo-folësve shqiptarë. Njëherazi fjalori vendos urat e bashkëpunimit në shumë fusha midis vendit tonë me vendet e botës arabe.  Në këtë eveniment pati një pjesëmarrje të madhe intelektualësh, studiuesish dhe njohësish të gjuhës arabe. Të pranishëm ndodheshin ambasadorët e vendeve të Lindjes: Egjiptit, Arabisë Saudite, Libisë, Palestinës etj, si dhe titullarë të institucioneve të rëndësishme të kryeqytetit, titullarë të shoqatave kulturore. Veprimtarinë e hapi drejtori i AIITC, Dr. Ramiz Zekaj, i cili theksoi faktin se ky fjalor i shumëpritur në Shqipëri shënon një moment cilësor në përvetësimin e gjuhës arabe prej shqiptarëve. Akademiku Myzafer Korkuti, nënkryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, falënderoi autorin Sulejman Tomçini dhe Institutin Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam për këtë dhuratë të bukur që pasuron me një prurje të re korpusin e fjalorëve në gjuhën shqipe. Referuesi nga Maqedonia, prof. dr. Ismail Ahmeti, Prorektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe njohës i mirë i gjuhës arabe, vuri në dukje vlerat e larta gjuhësore të këtij fjalori, duke e renditur atë ndër më të mirët në llojin e vet. Referuesi prof. dr. Enver Hysa, njëherazi redaktor gjuhësor i këtij fjalori, theksoi punën e kujdesshme të autorit në përzgjedhjen e fjalëve e shprehjeve më të përditësuara në gjuhën arabe. Referuesi theksoi vlerat përdoruese të këtij fjalori për këdo që kërkon të thellojë  njohuritë në gjuhën e pasur arabe. Në fjalën e tij, autori Sulejman Tomçini falënderoi organizatorët: Institutin Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë për mirëorganizimin e këtij fjalori. Falënderoi gjithashtu pjesëmarrësit e shumtë në veprimtari, gjë që shpreh interesimin gjithnjë e në rritje të shqiptarëve për gjuhën arabe. Veprimtaria më tej vijoi me diskutimet në grupe rreth përvojës së shqiptarëve në përvetësimin e gjuhës arabe. Me këtë fjalor nis një etapë e re dhe më e lartë drejt përvetësimit dhe përdorimit të kësaj gjuhe.

Lanonima Imperial, danc kontemporan në Tiranë
Vijojnë ditët e dancit kontemporan në qytetin bregdetar të Durrësit, duke sjellë para publikut performanca nga më të ndryshmet të dancit. Në vijim të tyre sonte ato vijnë në sallën Black Box të Akademisë së Arteve, ku perfomon trupa e njohur Lanonima Imperialme variacione Al-leluia. Krijuar nga Juan Carlos Garcia dhe kompania Lanonima Imperial, pjesa Variacions Al-leluia është një opera novatore rock nroll, ku lëvizja është pika qendrore e përformancës shumë të gjallë që ndodh. Pjesa është plot skena enigmatike, me atmosferë gri, dhe engjëj të rënë në tokë. Ajo çfarë pjesa Variacions Al-leluia kërkon të tregojë është se kurajoja jeton pikërisht tek ndjenja e frikës. Variacions Al-leluia është performuar në disa festivale të ndryshme në Spanjë, Danimarkë, Francë, Singapor, Lituani, Venezuelë, Ekuador, Bolivi, dhe Brazil. Ndërkaq që Ballet Actuel, performoi para disa ditësh në Durrës. Ballet Actuel u duartrokit gjatë nga publiku, i cili nuk ka munguar gjatë këtyre ditëve në sallën e teatrit Aleksandër Moisiu, ku po zhvillohet ky festival, i cili do të përfundojë në datë 28 maj. Performanca e plotë e trupës konsistonte në katër pjesë të shkurtra, të shkëputura nga krijimet më të fundit të kompanisë Ballet Actuel. Universe të ndryshëm, në koreografi dhe muzikë, por që të gjitha kanë një ide të përbashkët: një kërkim i pandalshëm për energjinë e brendshme organike që mbart lëvizja. Balerinët Celine Holzer dhe Loic Marchiu shoqëruan nga muzika e Jean Louis Matinier dhe John Tavener. Në vijim të trupave të dacit që performojnë në këtë festival para disa ditësh erdhi Ferenc Heher me grupin Tao Te, të cilët sollën një performancë të bukur artistike para publikut në teatrin Aleksandër Moisu në qytetin e Durrësit. 

Elena Ayusheeva, koncert me orkestrën e RTSH
Në vijim të sezonit koncertor 2009-2010 Orkestra Simfonike e RTSH në datën 28 maj do të zhvillojë koncertin e radhës me muzikë simfonike. Ashtu si dhe në koncerte e tjera, që ajo ka zhvilluar do të sjellë një program të larmishëm para publikut. Programi përmban pjesë nga Çajkovski, Bellini, Puccini, Verdi, Weber, Shostakovich etj. Në këtë koncert është e ftuar një soliste e njohur ruse, Elena Ayusheeva. Në vitin 1998 ka mbaruar shkëlqyeshëm shkollën e mesme në Fakultetin e Pianofortes në qytetin Belgorod të Rusisë. Në vitin 2005 mbaron Konservatorin Tchaikovsky të Moskës në klasën e kantos, me pedagoge Klara Grigoreva Kabinska. Në vitin 2006-2008 kryen Master për kanto po në Konservatorin Tchaikovsky të Moskës. Ka kryer Master të ndryshëm me këngëtare të njohur si: Nadar, Angulladze, Elena Obrascova, Makvalla Kastrashvili, Ludmilla Kazarnovskaja. Ka marrë mësime me Maestro Carlo Pari, gjithashtu dhe me pedagogun e njohur amerikan Michael Paul. Në vitin 2006 ka bërë praktikë në Akademinë Enarmonica me mjeshtër Rolando Panerai (Itali). Talenti i Elenës si këngëtare operistike u vu në dukje sidomos me çmimet që ajo ka marrë në konkurset ndërkombëtare si konkursi  Dvorak në Karlovy Vary të Çekisë në vitin 2002, konkursin Zera Verdiane në Busseto (Itali) 2003, konkursi Galina Vishnievska në Moskë 2006. Elena është fituerse e Çmimit të Parë në Konkursin prestigjioz ndërkombëtar Renato Bruson Ganadores në 2008 (Madrid). Ka debutuar në rolin e Normës së Belinit në Festivalin Ndërkombëtar Aspendos në qershor 2008 (Turqi), në shkurt të vitit 2009 debuton suksesshëm në operën  Turandot të Verdit dhe në nëntor 2009 këndon Aiden në Budapest. Në karrierën e saj operistike si soliste Elena ka realizuar në shumë qytete të Rusisë dhe Europës.

Last Updated on E Shtune, 22 Maj 2010 19:29

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›