Artistët depresivë që krijuan vepra të mëdha
Në Muzeun Orsay të Parisit gjendet një tablo në të cilën Muza, me krahët e një engjëlli përqafon Hesiodin dhe i dhuron spektrin e poetit, duke i vendosur një kurorë në kokë. Është një skenë të cilën vetë poeti e ka përshkruar në poemën mitologjike “Teogonia”, por përveç mundësisë për t’u kënduar perëndive, poetët morën edhe një tjetër dhuratë. E padukshme, e errët dhe e frikshme, që i ka shoqëruar poetët që prej shekujve.
Hipokrati i gjeti një emërtim: melankoli, atë që babai i mjekësisë e quante dhimbje të shkaktuar nga një gjendje e trishtueshme, “humor vjeshtor”. Është impresionuese të shohësh sa saktësisht ka përcaktuar shkaqet që çojnë në këtë gjendje që në atë kohë. “Nëse frika ose trishtimi zgjasin për një kohë të gjatë, atëherë ky është një fenomen melankolik”, thoshte Hipokrati.
Kishte parashikuar edhe pasojat: mungesë oreksi, apati, pagjumësi, irritim. Pa qenë nevoja të ishte mjek, katër shekuj më vonë, Seneka përshkruan në “Qetësia e shpirtit” dhimbjen e atij që gjendet “pa forca për të përballuar kundërshtitë, i paaftë për të toleruar dhimbjen për të shijuar gjërat”. Nga koha kur në përdorim u vu literatura, një nga predikuesit më të famshëm amerikan, David Wolpe, lider i hebraizmit konservator, u fokusua pikërisht në përshkrimet e shumta të depresionit në Bibël.
Shkrimtarët dhe në përgjithësi artistët duket se kanë vuajtur në mënyrë më masive se pjesa tjetër e popullsisë. Këtë e kishte kthyer në teori Robert Burton, autor i cili në vitin 1621 (20 vjet pas Hamletit dhe vetëm pesë vjet pas vdekjes së Shekspirit) në një “Anatomi” monumentale të zbuluar pas shekujsh në hije, shkruan se “janë Muzat vetë që vuajnë nga melankolia”, duke bashkuar që në rrënjë krijimin artistik me depresionin. Artistë e shkrimtarë të burgosur të talentit të tyre, ashtu siç i ndodhi shkrimtarit dhe poetit italian Tasso në spitalin e Shën Anës, i pikturuar nga Delakrua dhe i rimarrë nga Bodler në “Lulet e së keqes” (shkalla e marramendjeve ku mbytet shpirti).
Panteoni i shkrimtarëve, muzikantëve dhe artistëve, ishte një burg i burrave dhe grave të pushtuar nga ajo që Bajroni, gjithnjë duke iu referuar Tasso-s, e quante “murtaja e mendjes në humorin e saj më të egër”. Një nga ata që e vuajtën këtë sëmundje ishte kompozitori Xhakomo Rosini. “I shkreti njeri-gjeni”, thoshte për të Stendal. Rosini u tërhoq në moshën 37-vjeçare pas kompozimit të “Vilhelm Tel”, që do të shënonte operën e fundit për të. I mposhtur nga depresioni, obez, i pafuqishëm dhe me gruan e dytë që mori më shumë rolin e infermieres, gjendej shumë larg viteve të lavdisë si komedia dhe kompozitor i “Berberit të Seviljes”.
Tema kryesore e letrave që Van Gog i dërgonte të vëllait Teo ishte vetmia e piktorit dhe krizat e tij të përsëritura të melankolisë. E dëshmon një nga letrat e tij: “Ndjenja një ndjenjë të papërmbajtshme melankolie brenda meje, kaq e vrullshme sa as nuk arrij ta shpjegoj. E di që mendova, siç më ndodh shpesh, për fjalët e At Millet: Më është dukur gjithnjë se vetëvrasja është akt i njerëzve të pandershëm”. Ndjenja e boshllëkut, trishtimi i pashpjegueshëm brenda meje më bënë të mendoja që mund t’i kuptoj personat që zgjedhin të mbyten”.
Ndërsa në nëntëqindtën, Virxhinia Vulf shkruante në ditarët e saj nëse trishtimi nuk bënte pjesë në “këndvështrimin modern” mbi realitetin. Vulf, e cila e dinte mirë që depresioni ishte gjithnjë i pranishëm në jetën e saj, shkruante tek Orlando që “vija ndarëse mes lumturisë dhe melankolisë nuk është më e trashë se tehu i një thike”. Pikërisht në nëntëqindtën, falë psikanalizës dhe zhvillimit shkencor, jo vetëm që termi melankoli ndryshoi në depresion, por u përpoq të gjendej lidhja mes kësaj ndjenje dhe krijimtarisë.
Psikiatri Arnold Ludvig studioi biografitë dhe letrat e qindra artistëve dhe arriti në përfundimin që 77% e poetëve, 54% e prozatorëve, 50% e piktorëve/skulptorëve dhe 46% e kompozitorëve kanë vuajtur në jetën e tyre të paktën nga një krizë depresive. Kjo është në kontrast me 16% e sportistëve, 5% e ushtarakëve dhe në 0% e eksploratorëve. Cilat janë arsyet e shifrave kaq të larta? Psikoterapisti Anthony Storr ia dedikoi karrierën zbulimit të lidhjes mes kreativitetit dhe depresionit. Sipas Storr, përshtatja ndaj rrethanave të ambientit social e fizik, ndryshimi i vazhdueshëm i jetës njerëzore dhe nga “mosmarrëveshjet” mes realitetit dhe perceptimit, lindin kreativitetin.
Kjo vjen edhe me pasojën që më kreativët janë ata që psikologjikisht ndjehen shumë të shkëputur nga bota që i rrethon me të gjitha pasojat (një botë që siç shkruan David Foster Wallace në tregimin e parë, me raste mund të ngjajë me dikë që është i detyruar të jetojë në një planet tjetër). Miku i ngushtë i tij, Jonathan Franzen, tregoi se refuzonte të merrte antidepresivë sepse nuk besonte se mund të shkruante në të njëjtën mënyrë nën efektin e ilaçeve. Në “Guermantes”, Prusti vendos në gojën e doktor Bulbon fjalë mbrojtëse për neurotikët: ...gjërat më të bukura janë arritur nga depresivët...Vetëm ata kanë krijuar religjione dhe vepra të mëdha arti”. Për ta mbyllur, duke folur me gjyshen e rrëfimtarit ai pohon se “Ne mund ta admirojmë muzikën e bukur, pikturat e shkëlqyera dhe mijëra gjëra të tjera të realizuara pa e ditur se sa kanë kushtuar në kuptimin e pagjumësisë, lotëve, të qeshura të shfrenuara, spazma, epilepsi, një frikë vdekjeje më e keqe se çdo gjë tjetër”. Indro Montaneli, shkrimtar dhe gazetar i njohur e po ashtu depresiv i njohur, kujtonte se ishte viktimë e një krize të thellë në fillim të 1620 së bashku me mikun e tij Xhuzepe Berto. Me ironinë që e karakterizonte shkruante se ajo dhimbje bëri të paktën që Berto të shkruante “Dhimbja e errët”. Ndërsa Montanelit në fund iu desh të kthehej nga Cortina në Milano për të shkuar në punë. Shqip