E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alain Delon, burri që dashuronte gratë e bukura

Dashuritë dhe dhimbjet, pendesat dhe keqardhjet, në autobiografinë e tij të parë. Delon vendosi të rrëfehet përmes atyre që ai njeh më mirë: shoqeve, grave, të dashurave. Por në fund, një nga aktorët më të bukur, pranon se vetëm dy prej tyre janë vërtet të rëndësishme, e ëma dhe e bija. Nga Express më 28 gusht 2011 në ora 19:41

“Les femmes de ma vie” (“Gratë e jetës sime”), biografia e parë zyrtare, e publikuar në Francë nga Didier Carpentier, nuk tregon asgjë të re, të paktën pa dijeninë e tij, për divin e fundit të planetit, i mësuar tashmë të bllokojë biografi të paautorizuara si ajo e Bernard Violet, rreth 12 vjet më parë. Në 162 faqe dhe 200 imazhe, vëllimi luksoz tregon gjithçka për njeriun që adhuronte kaq shumë gratë, por konfirmon edhe një herë se më shumë nga të gjithë, Delon donte veten.

Ai tregon se të gjitha të dashurat, gratë dhe mikeshat e jetës së tij kishin një të përbashkët: ishin të gjitha të bukura, si të marra nga ndonjë konkurs bukurie. Por jashtë kornizave të mashkullit donzhuan në rolin e prindit, ai shfaqet i thjeshtë: i dashur, i ëmbël.

“Kur Nathalie dhe unë u divorcuam pas filmit ‘Le samourai’, djali ynë Anthony ishte vetëm 4 vjeç. Ishte e njëjta moshë me atë kur prindërit e mi u divorcuan dhe kur ime më, më dërgoi në një kolegj katolik. Isha në ankth: nuk doja kurrë që fëmija im të ndjente atë që kisha ndjerë unë kur isha fëmijë”, tregon Delon.

Tani, Anthony ,është 48 vjeç, por beteja e radhës quhet Alain-Fabien, 17 vjeç, kujdestarinë e të cilit e fitoi shtatorin e kaluar pas një beteje të gjatë ligjore me ish-in e tij të fundit. Rosalie Van Breemen, që në vitin 1990 i kishte sjellë në jetë Anouchka-n, sot e vetmja shkëndijë nga ai univers bukurish të vjetra.

“Një nga momentet më të bukura të jetës sime”, ka qenë përshkrimi i tapetit të kuq bashkë me të në Kanë, një simbiozë që aktori deshi ta replikojë në teatër në “Une journée ordinare”, për largësinë shkatërruese mes tij dhe së bijës. Biografia e re, i tregoi gjërat me detaje, duke rrëfyer të vërteta tronditëse: fëmijëria e dhimbshme larg së ëmës, lufta në Indokinë, apo tentativa për t’u vetëvravë shtatë vjet më parë pasi Rosali-a e braktisi dhe dy fëmijët iu larguan.

Por “Mounette” dhe Anouchka, përkatësisht mamaja dhe vajza e Delon, nga larg gjithmonë i kanë dhënë dashuri dhe ngrohtësi aktorit, për ta shpëtuar nga trishtimi i vetmisë. “Ishte vajza ime, që më ngriti në këmbë. Kur ishte ende një fëmijë, më tha: babi nuk dua që ti të ikësh, dua që të më kapësh krahun ditën e martesës sime. Janë fjalë që vlejnë me mijëra antidepresivë”.

E bija, e ëma. Të vetmet dashuri të humbura e të rigjetura. Të tjerat janë të gjitha të humbura, sidomos të parat. Në vitet ‘50 ai ende anonim, ato diva dhe të rritura si Brigitte Auber Hitchcock apo Michèle Cordoue, gruaja dhe muza e Yves Allégret, që do ta shtynte të shoqin t’i jepte mundësinë për ta parë duke aktruar. Të largëta duken edhe dashuritë më të mediatizuara.

Në vitet ‘60, Nathalie (“e vetmja me të cilën u martova, madje ka ruajtur edhe mbiemrin tim. Prova e fundit e dashurisë. Faleminderit, zonja Delon!”). Vitet ‘70, “Mimì”, ose ndryshe Mireille Darc (“15 vjet jetë të lumtur në çift së bashku”). Për më tepër, Anne Parillaud me të cilën jetoj momente të fuqishme pasioni e dashurie, ashtu siç tregon ai vetë. Në një cep të largët të kujtesës nuk mund të mos qëndronin dy dashuritë e tij të tjera, ajo më e famshmja dhe më sekretja me Romy Schneider-in dhe Dalida-n, të cilat vdiqën në mënyrë tragjike. Por në libër Romy dhe Dalida kanë të njëjtën hapësirë si të tjerat. Por nuk ndodh kështu në ndjenjat dhe kujtimet e aktorit.

“Romy është dashuria e madhe e jetës sime, dashuria e 20 viteve të mia. Unë sapo hidhja hapat e para në kinema, ajo ishte një yll me famë botërore, e preferuara e të gjithëve. U njohëm dhe u dashuruam në sheshin e xhirimeve të Christine, në vitin ‘58. Zbuluam se kishim pasur të dy një fëmijëri të vetmuar. Ishte njëlloj sikur vendosëm të rriteshim së bashku. Të gjithë na thërrisnin: dashnorët e përjetshëm”. Pas saj erdhi Romy, që tregonte se Parisi për të, para së gjithash, lidhej me emrin e Alain Delon. Nga ana tjetër, Delon i kushtoi asaj rikthimin në skenë, në vitin 1996, me fjalët: “Engjëlli im, sot ashtu si në të kaluarën, jam pranë teje”. Rreth kësaj dashurie të madhe ai shkruan shumë pak në libër.

“Nuk kam shkruar aty as faktin që në funeralin saj, në vitin 1982, shkova fshehurazi dhe pak para se të varrosej në arkivolin saj, desha ta fiksoja përjetësisht imazhin e saj të fundit. Bëra tri foto, që i ruaj me shumë fanatizëm që prej asaj kohe: në portofol dhe në zemrën time. Janë foto që askush nuk i ka parë e nuk do t’i shohë kurrë”.

A i vjen keq që nuk u martua me të?

“Po. Por mendoj se ajo nuk e pranonte dot kalimin e viteve. Nuk është mirë ta them, por nuk do kisha dashur ta shihja 70 vjeçe. Më pëlqen më shumë fakti që iku kështu, e bukur e freskët, duke mbetur gjithmonë një mit”.

Edhe Dalida është sot një legjendë tragjike: “Më ka mbetur në mendje. Nëse do më kishte telefonuar atë ditë, 2 maj i vitit 1987, do t’i kisha gjetur fjalët për ta shpëtuar nga vetëvrasja. “Les femmes de ma vie” tregon gjithçka për ato që kam dashur, që më kanë dashur dhe atyre të cilave u detyrohem shumë. Gratë kanë qenë gjithmonë qendra dhe drejtimi i jetës sime. Në sytë e tyre shihja gjithmonë vlerësim për veten, por në fund nuk e mohoj që dy prej tyre janë më të rëndësishmet në jetë: nëna dhe vajza ime”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›