Greve 24 oreshe para votes se buxhetit ne Parlament
Një grevë 24 orëshe ka paralizuar përsëri komunikacionin publik në kryeqytetin grek, Athinë. Pak orë para miratimit të parashikuar sonte në mbrëmje të buxhetit të diskutueshëm të kursimit për vitin 2011, nëpër rrugët e Athinës pati bllokime të panumërta. Kjo është tashmë e katërta grevë që zhvillohet gjatë këtij muaji. Buxheti i ri parashikon masa të ashpra kursimi për qytetarët si në fushën e privatizimit ashtu dhe në masat kundër shmangies së tatimeve. Socialistët në pushtet të Kryeministrit Jorgo Papandreu kanë në Parlament shumicën me 156 nga 300 mandate gjithsej. Për këtë shkak, votimi i buxhetit konsiderohet si i sigurt. Buxheti i ri i kursimit është pjesë e masave që Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Europian kishin kërkuar si kusht për ndihmat e tyre miliardëshe për vendin e përfshirë nga borxhi i lartë. Sindikatat greke gjatë gjithë vitit kanë organizuar greva të përgjithshme të punëtorëve vendas dhe protesta që disa herë janë shndërruar edhe në përleshje të dhunshme me policinë, ndërkohë që Papandreu ka qenë gjithmonë i prerë për vazhdimin e politikës së shtrëngimeve të shpenzimeve publike për të ulur deficitin e lartë buxhetor. Ky është premtimi që ai i ka bërë Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar të cilët në muajin maj të këtij viti i dhanë Greqisë 110 miliardë dollarë për të dalë nga kriza.