E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artistët e rinj, një projekt punësimi në TKOB

Diplomatët e Akademisë së Arteve kanë mundësi të punësohen pranë Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Krijimi i një perspektive për të ardhmen e artistëve të rinj, që pas studimeve aspirojnë karrierën muzikore me të gjitha variabilitetet e saj (vokale, koreografike, instrumentore) është prej tre vjetësh e në vijim pjesë e mirëmenaxhimit të kulturës në Shqipëri.

Më të interesuarit për reformimin e sistemit të rekrutimit të më të aftëve janë vetë të rinjtë, të cilët kane gjetur përmes tij të ndikojnë individualisht mbi strukturat ekzistuese duke i hapur ato, larg ngurtësimit që e karakterizonte më parë.
Projekti Fondi Publik të Rinjve, që ka nisur prej tre vitesh nga Ministria e Kulturës ka shpallur konkursin ndërmjet artistëve me një fond prej 7.5 milion lekësh për 25 vende pune nga 60 konkurrentë. Drejtori për Artin dhe Librin, Besian Pesha e prezanton këtë nismë si një urë për artistët e rinj drejt bërjes së njohur mbi skenë dhe përfshirjes në strukturat artistike kombëtare. E ndërkaq që për titullarin e TKOB Zhani Ciko ky fond këtë vit është rritur dhe sipas tij ai krijon mundësinë, që të aktivizohen dhe më shumë artistë të rinj pranë operës. Vjet fondi ka qenë 5 milion lekë, ndërsa këtë vit ai është 7.5 milion lekë. Ka një rritje të dukshme dhe ne na vjen mirë që MTKRS këtë vit na ka mbështetur më shumë se vitet e tjera. Po ashtu për monitorimin tyre ajo ngre dhe një komision monitorimi, i cili ne na lehtëson shumë, theksoi ndër të tjera titullari Ciko. Gjatë këtij viti, po ashtu ka nisur të vihet në zbatim dhe fondi i ekselencës prej tre milion lekësh për afrimin në skenën shqiptare të artistëve të njohur në skenat evropiane dhe amerikane si dirigjenti Bujar Llapaj, sopranoja Inva Mula, mjeshtri i baletit Angjelin Prejlocaj apo tenori Josif Gjipali etj, të cilët do të vijnë në skenën shqiptare. E ndërkaq që ky projekt me të rinj, nuk është i pari që vihet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në kryeqytet, pasi edhe para disa kohësh u organizua një projekt tjetër, i cili kishte në fokus të rinjtë. Opera për të rinjtë dhe të vegjlitsolli një paketë shfaqjesh koncertore dhe skenike të gjinive të ndryshme, të cilat iu drejtuan kategorisë më të re të publikut, në periudhën kur intensiteti i impenjimit shkollor është më i pakët. Synimi i këtij projekti ambicioz në radhë të parë ishte edukimi dhe rritja e spektatorit të ardhshëm të operës dhe baletit shqiptar. Kur themi edukim, nënkuptojmë kultivimin e shijeve të shëndetshme artistike e muzikore, afrimin e publikut të ri përmes shfaqjeve tërheqëse për moshat e tyre dhe rritjen e nivelit të njohurive muzikore, që ata kanë marrë. E ndonëse nuk mund të pritet që të mjaftojnë vetëm pak ditë për ta edukuar publikun e ri me art dhe për ta kultivuar shijen e tij artistike, kjo mbetet një nismë tepër pozitive, e cila duhet inkurajuar për të vazhduar edhe në të ardhmen. E rëndësishme mbetet edhe ngjallja e ndjenjave të kënaqësisë te këta të rinj, përmes vlerave të artit botëror dhe atij kombëtar, si dhe njohja e tyre me artistët më të shquar të skenës kryesore artistike të vendit, cilësoi në atë kohë maestro Ciko.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›