Artistët, pro dhe kundër grevës

Greva e urisë, ngjarja politike më e përfolur e këtyre ditëve, ka përfshirë edhe artistët. Kanë qenë disa emra të njohur në fusha të ndryshme të artit që kanë firmosur peticione apo janë shprehur “pro” ose “kundër” kësaj greve. Veprimi i tyre ka tërhequr vëmendjen e publikut, ndërkohë që të kontaktuar nga “Shqip”, personalitete të kulturës si: Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Flutura Açka, Piro Milkani, Gjergj Xhuvani, Maks Velo dhe Jorgo Bulo kanë shprehur në pak fjalë arsyet që i kanë shtyrë të reagojnë. Ndonëse të ndarë në dy kahe, ata që e mbështesin dhe e kundërshtojnë këtë grevë, të gjithë kanë dashur të theksojnë se veprimet e tyre nuk janë të diktuara nga qëllime politike. Artistët janë shprehur se është vetëdija qytetare, besimi ose dyshimi ndaj kauzës, që i ka udhëhequr të mbajnë qëndrim.
Flutura Açka –Shkrimtare, botueseUnë nuk jam kundër grevës, jam kundër mënyrës se si është duke u zhvilluar kjo grevë. është një grevë që po zhvillohet në rrugë të madhe, në një rrugë publike, e cila është e të gjithëve. Nëse ajo do të ishte bërë diku tjetër, unë do të isha shumë dakord, po jo në rrugë, vend në të cilin kanë të drejtë të kalojnë si ata që janë të majtë, ashtu edhe ata që janë të djathtë. Nëse kjo grevë do të ishte bërë për shembull te korridori i Kryeministrisë, do të isha dakord; nëse do të ishte zhvilluar në korridoret e Partisë Socialiste, do të isha dakord gjithashtu; por aty ku po zhvillohet, nuk jam dakord. Një arsye tjetër që më shtyn të jem kundër saj është sepse shikoj njerëz të cilët e komprometojnë grevën, kauzën e tyre. Kauza e tyre mund të jetë e drejtë, nuk e vë në dyshim, por sa kohë që në krye të saj shikoj njerëz që e komprometojnë atë, që janë ish-funksionarë të PD-së, kjo mua më bën të dyshoj shumë. Jo se jam kundër protestës, por ka disa arsye të cilat më bëjnë shumë skeptike. është një shqetësim qytetar ky i imi kur shikoj këta deputetë që hyjnë në Parlament sa për të marrë rrogën, pastaj vazhdojnë një protestë, në fund të së cilës mund të shkojnë sërish në Parlament të marrin rrogën. Kjo mua më bën të dyshoj shumë.
Margarita Xhepa dhe Tinka Kurti- aktorePërgjigjja e dy aktoreve të njohura të skenës dhe ekranit shqiptar në lidhje me kundërshtimin që ato kanë ndaj grevës së urisë që po zhvillohet prej deputetëve të Partisë Socialiste dhe përkrahësve të saj në Tiranë, ka qenë thuajse e njëjtë. “E kemi dhënë përgjigjen tonë me firmë”, kanë thënë për gazetën “Shqip” të dyja zonjat e mëdha të teatrit e filmit shqiptar, duke u shprehur të indinjuara se figura dhe personaliteti i tyre po keqpërdoret për çështje politike. Gjatë bisedës së shkurtër me to, aktoret na lanë të kuptojmë se ka shumë arsye pse ato e kanë vënë firmën e tyre kundër kësaj greve.
Maks Velo – arkitekt, piktorUnë do të isha “pro” kësaj proteste, edhe sikur atje të mos ishin socialistët, por të ishin demokratët. Sikur të ishin socialistët ata që do t’u kishin vjedhur votat demokratëve, atëherë unë do të shkoja e do të bëhesha pro protestës së tyre. Unë jam për një moral qytetar, për një moral të vërtetë. Partitë nuk më interesojnë, për këtë luftoj në jetë. Me rastin e Ruzhdies unë u binda se këtu ka vjedhje. E dyta, për ne shqiptarët në mënyrë të veçantë fenomeni i vjedhjes ka shumë rëndësi. Ne duhet ta heqim nga vetja këtë murtajë që e kemi trashëguar nga perandoria osmane dhe kjo duhet të hiqet në radhë të parë nga shteti, nga funksionet shtetërore. Nuk ka mundësi që një Kushtetutë të mbrojë hajdutët. Kjo, mua më duket absurde. Nuk mund t’i thuash tjetrit që me Kushtetutë nuk mund të bëjë kontrollin për hajdutin. Kjo është shumë e rëndë, sepse kur vidhet vota, justifikohet pastaj vjedhja e çdo gjëje. Nuk ka më limit pastaj. Ky është një fenomen shumë i rëndë për ne. Unë nuk arrij ta kuptoj. Unë i besoj kauzës njerëzore në radhë të parë, kauzës së qytetarisë, të ndershmërisë. Pa këto të treja nuk mund të ketë politikë. Ajo është një rregullim konstitucional i marrëdhënieve, por pa këto nuk mund ta ndërtojmë Shqipërinë, aq më tepër demokratike. Unë nuk e kuptoj çfarë na duhen vizat ne, nëse jemi hajdutë. Nëse neve na përbuz bota, çfarë na duhen vizat.
Jorgo BuloUnë e përkrah grevën e urisë, sepse ata deputetë dhe ata qytetarë që janë ngujuar aty, kërkojnë një të drejtë elementare: transparencën e votës. Me djersën e tyre kanë vrarë frikën dhe u kanë kthyer një vlerë morale shqiptarëve. Ata janë aty sepse ekziston një e drejtë e privuar për transparencën e votës. Jam i bindur se nëse nuk rikthehet institucioni i votës së lirë, Shqipëria nuk mund të ketë progres. Unë i besoj kauzës për të cilën kjo grevë po zhvillohet.
Gjergj Xhuvani- regjisorE para gjë që mua më shqetëson është fakti që duan të kundërvënë artistët ndaj njëri-tjetrit. Kjo më duket absurde dhe e pandershme. Unë, personalisht, respektoj në mënyrë të padiskutueshme bindjet e kolegëve të mi, qofshin ato të djathta, qofshin ato të majta. Në qoftë se një grupim artistësh ka bindje që le t’i quajmë të majta, ose kundër grevës, në marrëdhëniet që kanë me mua nuk do të ndryshojë asgjë. Do të mbeten kolegët e mi, miqtë e mi, sepse me disa prej tyre kam punuar, u kam dhuruar dhe më kanë dhuruar shumë emocione. Askush nuk duhet të guxojë të fusë sherrin mes nesh. E vetmja gjë që unë mbaj qëndrim dhe që dua t’u kujtoj kolegëve të mi, atyre me të cilët punoj direkt dhe indirekt, është motivi që bashkon artistët dhe artin e madh: dhimbja njerëzore. Nuk ka art pa dhimbje dhe si e tillë, dhimbja është në krahun e grevistëve. Më vjen keq që kolegët e mi e harrojnë thelbin e misionit të tyre. Nuk ka art pa dhimbje. Le të kujtojnë të gjithë historinë e njerëzimit. Ishin artistët të parët që shkuan qoftë në Luftën e Spanjës, qoftë kundër fashizmit (kur them fashizmi, në asnjë rast nuk po bëj paralelizma me Partinë Demokratike), por artistët shkojnë andej nga është kahu i dhimbjes. Të mos harrojnë kauzën e tyre. Kauza e artistëve është kauza e dhimbjes, e dashurisë dhe e tolerancës. Nuk është kauza për t’u integruar diku, apo për të shkuar diku, apo për të pasur një rrogë më të lartë apo për disa përfitime. Le të respektojnë dhimbjen! Unë nuk e përkrah këtë çështje se bashkëshortja ime është deputete e Partisë Socialiste. Nëse ka njerëz kaq meskinë dhe mediokër sa ta mendojnë këtë, le të vazhdojnë kështu. Unë kam bindjet e mia dhe vepra ime flet më shumë se çdo gjë tjetër. Kur etiketohet shpesh si anti-komuniste, do të thotë se është kundër çdo sistemi që shkakton dhimbje e rrjedhimisht unë jam kundër padrejtësive në çdo kohë.
Piro Milkani- regjisorSigurisht, unë jam përkrah atyre që kërkojnë gjithmonë një të drejtë. Ashtu siç kam qenë i shqetësuar kur gazetari Aleksandër Frangaj ishte në burg dhe kjo më dukej e padrejtë, ashtu siç më ka shqetësuar greva e urisë së Pjetër Arbnorit, ashtu siç më kanë shqetësuar grevat e minatorëve, ashtu siç kam përkrahur Azem Hajdarin kur hyri në grevë bashkë me të përndjekurit politikë, ashtu edhe këtë radhë them se kjo grevë do t’i shërbejë përmirësimit të shpirtit demokratik të Shqipërisë dhe patjetër që do të japë rezultate në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve njerëzore. Në asnjë mënyrë nuk jam për polarizimin dhe ndarjen e artistëve dhe intelektualëve në përkrahës dhe jo përkrahës. Respektoj mendimet e tyre, por bindjet e mia, formimi im anojnë në krahun e atyre që sot e 12 ditë janë në një çadër dhe presin një përgjigje më se të drejtë, një dialog qytetar dhe më civil midis dy forcave kryesore politike nga të cilat varet e ardhmja e vendit.
Oliverta Lila, Arjola Hekurani
#