Jaume Cabré
Ndoshta për shkrimtarin duhet të jetë gjithnjë gëzim i papërmbajtshëm përkthimi i veprës së tij në një gjuhë të huaj, cilado qoftë ajo. Takimi me lexuesin e ri duhet të jetë emocionues për të. Të paktën kështu ka qenë për shkrimtarin e mirënjohur katalanas Jaume Cabré. “Nuk e merrni me mend se sa i kënaqur jam që ndodhem këtu, me siguri që nuk e dini”... Në këtë mënyrë e nisi fjalën e tij, gjatë promovimit të romanit “Senjoria” përkthyer në shqip nga shkrimtari e përkthyesi Bashkim Shehu. Gjatë takimit që u zhvillua dje nën organizimin e Institutit të Dialogut dhe Komunikimit, Cabré, aktualisht shkrimtari më i mirë që shkruan në gjuhën katalane diskutoi me pjesëmarrësit mbi veprën e tij të parë të përkthyer në shqip, fillimin, por edhe probleme të korrupsionit që dalin në pah gjatë saj. Ai ndau me lexuesin mbi të gjitha momentet fillestare të ngjizjes së kësaj vepre. E përsëriti edhe një herë, ashtu siç e ka thënë edhe më parë se “është zot, krijon personazhe dhe atë që mendojnë ata...”. “Gjithçka filloi kur pashë në një gazetë një fotografi. Ishte një zotëri që mbante në dorë një çantë sporti, kishte veshur këmishë dhe një palë pantallona të shkurtra. Ajo që më bëri përshtypje mua ishte se në fund të fotografisë shkruhej: ish-gjyqtari futet në burg. Ishte viti 1985. Gjykata e Barcelonës për herë të parë, pas dhjetë vitesh nga vdekja e diktatorit Franko, dënoi dy gjyqtarë për gabime të ndryshme. Drejtësia gjatë periudhës së frankizmit ishte shumë e korruptuar. U desh të kalonin dhjetë vjet deri sa të nisnin të tilla dënime. Kështu që të përfytyrosh një zotëri, i cili kishte pasur pushtetin e gjyqësorit, dhe që duhej të fuste në çantën e vet disa rroba të domosdoshme, makinën e rrojës dhe të futej në burg. Ky ishte një poshtërim i madh për këtë person. Në atë kohë unë mendova se doja të bëja romanin e tij”, shprehet shkrimtari, që në të vërtetë e ka të vështirë të përmbledhë në pak fjalë gjatë vite punë që iu deshën për përfundimin e “Senjorias”. Por ngjarje të çuditshme mund të ndodhin mes një krijuesi dhe veprës së tij. E ndërsa punonte mbi këtë personazh, i cili ishte vendosur në vitin 1985 dhe në Barcelonën e po atij viti, ndodhi që të përshkruante një pikturë që ai mbante në murin e shtëpisë. Ishte një paraardhës i tij. “E përshkrova me shumë detaje. Dhe u dashurova me këtë personazh. Në atë kohë vendosa që romanin do ta realizoja me këtë personazh që përshkrova e për këtë arsye edhe ngjarjet u zhvendosën në shekullin XVIII. U transferova në këto vite thjesht për një çështje dashurie”, vijon më tej ai. Jaume Cabré kishte besim në aftësitë e tij, edhe pse bashkëjetoi jo pak, por gjashtë vite me të, me një personazh të keq, “një bir bushtre”, për të qenë të saktë në citim. “çdo ditë unë duhej të hyja në dialog me të në mënyrë që të shpikja histori. Skandalizohesha me mendimet e tij. Kështu që në fund vendosa ta lija të më thoshte idetë dhe budallallëqet e tij që mua më shkonin shumë mirë me romanin, megjithatë do e bëja më njerëzor. Për këtë arsye i ofrova një pasion, që në ato momente ishte shumë i madh për mua, astronomia. Kështu e bëra atë një astronom shumë të mirë. Kjo e bëri atë një personazh më njerëzor e më të hapur, edhe pse ai ishte ashtu siç ishte. Ndodhi që edhe teleskopin ta përdorte për qëllime perverse”, komenton ai, ndërsa shpjegon se e ka të vështirë të përmbledhë në pak fjali gjithë këtë eksperiencë të të shkruarit. “Doja thjesht të tregoja nisjen e romanit që për një shkrimtar është një aventurë, një rrugë që nuk e di se ku do të shkojë”, shprehet Cabré. Sa i përket temës së korrupsionit, e cila në vitin 1985 e shtyu të shkruante “Senjoria”, shkrimtari thotë se është një plagë e të gjitha shoqërive perëndimore e lindore, është pjesë e natyrës njerëzore. “Korrupsioni është i lidhur me proceset demokratike, por ushqehet më tepër nga proceset diktatoriale, sepse ekziston imuniteti që u jep pushteti njerëzve. Kjo ndodhi edhe gjatë diktaturës frankiste në Spanjë. Romani simbolizon këtë, edhe pse ngjarjet zhvillohen në një epokë tjetër. Ai përçon idenë e imunitetit të pushtetit të korruptuar që zgjedh viktimat e veta thjesht për interes”, nënvizon shkrimtari katalanas. Gjatë takimit të djeshëm, morën pjesë edhe ambasadori spanjoll në Tiranë Manuel Montobio, përkthyesi i romanit “Senjoria” Bashkim Shehu, shkrimtarja Diana çuli, si edhe Piro Misha, drejtuesi i Institutit të Dialogut e Komunikimit.
#