Artistët solidarizohen me të përmbyturit e Shkodrës
Përmbytjet e javëve të fundit krijuan momente të vështira për qindra familje, veçanërisht ato në qarkun e Shkodrës, duke tronditur jetët e tyre. Por ky realitet tragjik ka goditur edhe botën e artistëve, të cilët nuk duan që ajo që ndodhi të kalojë në heshtje, e për këtë në sajë të një iniciative të veçantë, ata kanë vendosur të japin një ndihmë solidariteti ndaj atyre që sot ndihen të dobët para fatkeqësive dhe pasojave të tyre. Dihet se në shumë vende të botës ku
fatkeqësitë natyrore kanë goditur popullatat e tyre, artistët kanë qenë në krye të iniciativave të ndërmarra për të dhënë kontributin e tyre pa qëllime fitimi. Ndërkohë që edhe në Shqipëri mjaft artistë janë angazhuar që ta japin një kontribut të ngjashëm, me anë të një koncerti i cili do të zhvillohet live, të enjte më 21 janar, ora 18.00, në mjediset e cirkut Dorolla në sheshin Nënë Tereza në kryeqytet. Janë 40 artistë shqiptarë, holandezë, izraelitë, rusë, afrikanë e kinezë, të cilët do ti bashkohen këtij koncerti, ndërsa çmimi i hyrjes në të për publikun e ftuar do të jetë 500 lekë në mjediset e cirkut që përfshijnë një kapacitet prej 1200 persona, duke uruar maksimumin e pjesëmarrjes. Ky përbën një event artistik të pazhvilluar më parë ndonjëherë në Shqipëri, ku artistët bashkohen për një objektiv unik humanitar mes një aktiviteti paratë e siguruara prej të cilit do ti akordohen Qarkut Shkodër.