Tatimet: 20 për qind e biznesit të madh fsheh detyrimet
Gati një në çdo pesë biznese të mëdha ende nuk ka respektuar afatin ligjor për pajisjen me kasën fiskale, 31 dhjetorin e vitit 2009. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të tatim taksave, momentalisht vetëm 8571 biznese në të gjithë vendin, nga mëse 11 mijë të tilla, kanë instaluar kasat regjistruese, të cilat duhet të përcjellin elektronikisht informacion mbi xhiron mujore të realizuar. Mosvendosja e kasave do të thotë fshehje e detyrimeve tatimore nga ana e bizneseve.
Pas biznesit të madh edhe biznesi i vogël do t'i duhet të pajiset me kasat fiskale, duke pasur si afat qershorin e këtij viti. Në faturën e lëshuar nga shitësi do të ketë brenda të dhëna mbi mallin si dhe diferencën e krijuar nga TVSH-ja. Kasat do të jenë gjatë gjithë kohës të lidhura on line me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në mënyrë që çdo veprim i subjektit të jetë i regjistruar. Ligji për vendosjen e pajisjeve fiskale është cilësuar nga qeveria si hap i suksesshëm në drejtim të uljes së informalitetit dhe evazionit fiskal. Përtej këtij suksesi, ajo çka vihet re në udhëzimin e Ministrisë së Financave është mungesa e sqarimit sesi do të veprohet me rastet kur pajisja nuk mund të punojë për shkak të mungesës të energjisë elektrike.
Last Updated on E Marte, 19 Janar 2010 21:08