E Diel, 1 Nëntor 2026

Artisti i ri, Luçjan Bedeni, u paraqit me një video pa titull "Ardhje ‘09", "fitojnë" bunkerët

Në mjediset e "Zeta Galeri" dhe galerisë "Fap" në Akademinë e Arteve në Tiranë, u paraqit një ekspozitë satelite e Bienales së Tiranës, çmimet "Ardhje ‘09", e cila ka mbërritur në edicionin e tretë të saj. Aldi Zgjani, Blerta Kambo, Enkelejd Zonja, Gedmond Lushka, Lek Gjeloshi, Luçjan Bedeni, Nertila Pere, Suela Qoshja dhe Yllka Gjollesha ishin nëntë artistët e rinj pjesëmarrës, të cilët sollën punët e tyre në këtë ekspozitë. Kjo veprimtari u jep mundësi kandidatëve të shprehin gjithçka mbi jetën e lirë dhe të tregojnë mbi realitetin që i rrethon. Punimet e paraqitura njëkohësisht në dy mjedise paralele, u shqyrtuan nga juria e përbërë nga Edi Hila, Ana Dzokic dhe Anri Sala. Ishte pikërisht artisti Luçjan Bedeni, i cili u shpall fitues me videon e tij pa titull, në të cilën mbizotëronin bunkerët anembanë vendit.

Megjithatë, për t‘u vlerësuar kanë qenë edhe punimet e artistëve të tjerë, sidomos për temat që trajtonin, duke synuar të nxirrnin në pah shqetësimet e shoqërisë njerëzore. Punët me të cilat u paraqitën artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë ishin kryesisht të reja. Aktiviteti u mundësua nga Fondacioni për Shoqërinë Civile, i cili ofron për fituesin një bursë për studime mbi artin në New York, T.I.C.A (Tirana Institute of Contemporary Art) dhe "Zeta Galeri".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›