Biblioteka e Elbasanit është pjesë e trashëgimisë kulturore të qytetit "Qamil Baholli" feston 75-vjetorin
Kanë kaluar plot 75 vite që kur Nazif Baholli, një ish-pronar i njohur i qytetit të Elbasanit, e ndërtoi dhe e dhuroi në vitet ‘30 si bamirësi bibliotekën për qytetarët e Elbasanit, pasi një nga djemtë e tij, Qemali, liceist në Liceun e Korçës, humbi jetën në moshë të re. E ideoi çeljen e kësaj biblioteke publike në kujtim të të birit dhe që nga ajo kohë ajo mbajti emrin "Qemal Baholli". Festa e përurimit u organizua në vitin 1935 dhe biblioteka iu dorëzua bashkisë si një institucion i zhvillimit kulturor të Elbasanit. Dje u festua 75-vjetori i krijimit të saj. Përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe të familjes Baholli, intelektualë, të ftuar nga Kosova, përfaqësues të Bibliotekës Kombëtare, atasheu i kulturës në Ambasadën Iraniane, miq dhe dashamirës të shumtë të librit në Elbasan, u mblodhën bashkë për të festuar këtë përvjetor të rëndësishëm. Me këtë rast, Bashkia e Elbasanit nderoi me certifikatën "Mirënjohja e qytetit" historianin Kujtim Bevapi, Shpëtim Karaj, si dhe punonjësen e vjetër të kësaj biblioteke, Hava Daja, me motivacionin "Për kontributin e shquar në vënien e bazave metodiko-shkencore të bibliotekës". Një përshëndetje ka dhënë edhe drejtoresha e bibliotekës rajonale të Prizrenit, "Hivzi Sulejmani", znj. Sahdete Sadikaj, ndërsa falënderimet nuk kanë munguar as nga ana e drejtoreshës së bibliotekës së Elbasanit, Drita Cankja. Sot, biblioteka, bashkë me muzetë e qytetit, është trashëgimi kulturore e qytetit të Elbasanit. Biblioteka "Qemal Baholli" me 200000 libra, koleksione dhe periodikë në gjuhë shqipe dhe të huaja, shquhet sot jo vetëm për veprat e rralla, koleksionet e fondit të periodikut të periudhës para Luftës II Botërore, por dhe ndër bibliotekat më të pasura të vendit për nga pasuria që zotëron.
Be.Dy.
Be.Dy.