E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një "deja vu" në bienale

Një tjetër aktivitet satelitor është organizuar në kuadrin e Bienales së Tiranës. Artistët shqiptarë, Pleurad Xhafa dhe Sokol Peçi kanë prezantuar mbrëmjen e djeshme një videoinstalacion të titulluar "Deja vu dhe paranoja". Dy të rinjtë, të cilët kanë mbaruar studimet në Venecia, kanë zgjedhur një vend jo të zakonshëm ekspozimi. Një ambient lojërash fati, për ta vendosur punën e tyre në kontekstin që i përshtatej. Simbolikisht, skulptura prej balte e ekonomistit të njohur Milton Friedman, procesi krijues i kësaj vepre në hapësira të ndryshme publike, u ka shërbyer artistëve për të shprehur konceptin e tyre mbi kapitalizmin global dhe funksionimin e shoqërive të sotme. Ndryshimet historike mes vendeve bëjnë të mundur që e shkuara të lexohet si një deja vu për shoqëri të tjera. Përmes videos, e vendosur në gjashtë monitorë, krijohet mundësia e një monitorimi konstant të një procesi në ndërtim, që sipas teorisë së Friedman do të përbënin demokracinë dhe tregun e lirë. Raportet mes tyre dhe kapitalizmit global duket se janë një paranojë, një argument, diskutimi i të cilit vihet në pikëpyetje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›