E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lobimi për vizat vlen, por nuk mjafton

Jo shumë larg Brukselit, në Tiranë, po kërkohet të shitet ideja e një "lufte" që po ndodh mes strukturash europiane për hapjen ose jo të "dritës jeshile" për Shqipërinë lidhur me liberalizimin e vizave dhe jo vetëm. Po t‘i referohemi axhendës europiane, pse jo, në segmente kohorë, aspetativat përputhen. Po kjo gjë e nevojshme nuk bëhet e domosdoshme dhe shteruese në Bruksel, sa kohë që Shqipëria operon me një axhendë shumë më të ngadaltë, pavarësisht oreksit për meny të shpejtë.

Qëndrimet koherente të Komisionit Europian nuk mund të bien pre e deklaratave në formë vullneti pozitiv të disa raporterëve, të cilët nuk mund të ndryshojnë asgjë as nga standardet e kërkuara, e as nga ritmi prej breshke i plotësimit të tyre. Po kështu, këto qëndrime nuk mund të ndryshohen as nga deklaratat abuzive të përgjegjësve të qeverisë për integrimin, teksa rreken t‘u thonë shqiptarëve që t‘i dëgjojnë edhe ndërkombëtarët se pasaportat biometrike, si një hap i nevojshëm, por tërësisht teknik, janë kushti bazë e detyrues për t‘u hapur rruga drejt liberalizimit.

Ngushtuar si koncept, thjesht dhe vetëm për fasadë suksesi qeverisës, liberalizimi i vizave me Shqipërinë është një moment, që siç dihet, ngërthen në vetvete realizimin e një sërë standardeve që kanë të bëjnë me zhvillimet demokratike në vend, pavarësinë e plotë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë, kontrollin e kufijve, rritjen ekonomike të vendit etj., etj.

Parë nga ky këndvështrim, vetëm shqiptarët nuk duhet të habiten nga vendimi i fundit i Komisionit Europian, i cili e veçon Shqipërinë në afate nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, dhe e afron me Bosnjën, në proces dhe zbatim detyrimesh për t‘iu përgjigjur kësaj faze.

Nuk kemi pse merremi me institucionet europiane për aq kohë sa ata e shprehën qartë dhe hapur ambicien e vullnetin e tyre integrues, kur përcaktuan se ky do të ishte viti i Ballkanit Perëndimor, i përcaktuar si i tillë në progres-raportin e KE-së për vendet e BP në 2008.

Dhe në fakt, përfshirja e tre vendeve; Serbisë, Maqedonisë, e Malit të Zi, në listën "Shengen", por edhe perspektiva serioze e Kroacisë për anëtarësim, duket se po materializon më së miri këtë thënie. Padyshim që, si qytetarë të Ballkanit Perëndimor, duhet të na gëzojë kjo derë që po u hapet fqinjëve tanë, të cilët më së fundi e çanë izolimin për shkaqe historike, politike, ekonomike e shoqërore. Duke iu referuar zhvillimit të tyre në dy dekadat e fundit, kuptojmë dhe duhet të vlerësojmë faktin se sa shumë kanë punuar për të përmbushur standardet, që po i çojnë pa viza drejt Europës. Kapërcimi, për të gjithë ata që e njohin historinë e këtyre vendeve, është i madh. Shpërbërje, luftëra, nacionalizëm, rënie shkatërrimtare e ekonomive, kriza pas krizash, por së fundi, drejt Europës.

Pikërisht, duke marrë në konsideratë këtë Ballkan dhe problematikën serioze që ai ekspozonte, por njëkohësisht dhe domosdoshmërinë për të ndryshuar filozofinë e zhvillimit të këtyre vendeve, të cilat nuk duheshin lënë në fatin e tyre, por të pajiseshin me një pikësynim, siç ishte ai i integrimit në BE, moment që do t‘u shërbente të gjithëve, në vitin 2004 kryekomisioneri i zgjedhur për t‘i shërbyer këtij qëllimi lançoi dhe sfidën që përbëhej nga disa kushte: Që çdo vend, e theksojmë individualisht, duhet të plotësonte.

Në një tablo më të gjerë, gjatë kësaj rruge të gjatë, ka pasur dhe momente shkurajimi për Ballkanin Perëndimor, në marrëdhëniet e tij me BE-në, shkurajim që erdhi pas referendumeve të dështuara në Francë e Holandë, dhe pas Samitit të Brukselit më 2000, pasi i ashtuquajturi plan A për zgjerimin e BE-së drejt BP ra, me rrëzimin e Kushtetutës europiane.

Por rruga u hap sërish me definimin e planit C, ku në thelb ravijëzoheshin qartë të drejtat e detyrimet e secilit vend të BP përballë BE-së, si dhe konfirmohej qartë angazhimi i pakthyeshëm i kësaj të fundit përkundrejt këtyre vendeve, të cilat tashmë kishin ndërtuar programe e qeverisje mbi bazën e kësaj ardhmërie që i priste.

Thënë të gjitha këto, nuk mund të gjejmë asnjë element specifik në këtë proces, qoftë individual, qoftë rajonal, që të ketë penguar veçanërisht Shqipërinë për përmbushjen e standardeve, veç efektivitetit të saj në qeverisje, angazhimit të të gjithë segmenteve të shtetit, dhe rolit të shoqërisë shqiptare në këtë ndërmarrje.

Ndërkohë që vlen të themi të kundërtën për vendet e ish-Jugosllavisë, të cilat po prezantonin përpara procesit një problematikë të gjerë e specifike në krahasim me Shqipërinë. Përveç problematikës që trashëgonin nga sistemi komunist e më tej nga shpërbërja, Kroacia, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina reflektonin edhe gjithë rrjedhojat e luftërave të përgjakshme.

Ndërkohë që Shqipërisë i duhet të plotësojë kushte të lidhura rigorozisht me çështje thelbësore të funksionimit të një shteti demokratik e ligjor, sfida të shumta që lidhen me standarde europiane në proceset zgjedhore, drejtësinë e konsoliduar, kontrollin e kufijve, çështjen e pronave etj., çështje që ende mbeten të paplotësuara dhe mbajnë peng ecurinë me ritme të tjera, si të procesit të liberalizimit të vizave, ashtu dhe atë të anëtarësimit në BE.

Sa më shumë rritet vëmendja e opinionit publik shqiptar rreth kësaj çështjeje me rëndësi të jashtëzakonshme për fatet e vendit, aq më shumë në mungesë të reformave reale, rritet demagogjia e qeverisë. Përpjekje në këtë drejtim bëri së fundi edhe Kryeministri, kur pa u konsultuar me institucionet përkatëse, në mungesë të plotë të përgjegjësisë dhe efektit që mund të lindte nga deklarata e tij, nxitoi të bënte të qartë perspektivën e shpejtë të përdorimit të euros në Shqipëri, si një nga treguesit që nuk na veçon nga rajoni dhe që i shërben të ardhmes europiane të vendit. Përveç panikut në tregjet financiare dhe kostos mbi qytetarët, asnjë gjë tjetër nuk u përfitua nga deklarata, që kishte në fokus integrimin, padyshim.

Sot na rendisin në një stad me Bosnjë-Hercegovinën, e cila vazhdon të përballet me probleme serioze të brendshme e rajonale, ku ende kanë një ndikim determinant faktorët politikë e etnikë, mbi ata federalë, me kufij të pakontrolluar mirë, me kriminelë lufte të kërkuar nga Haga etj. Na harrojnë, na bëjnë padrejtësi, na lënë pas me kast? Asgjë nga të gjitha këto.

Çdo shqiptar e bën vetë krahasimin. Sigurisht, problematika nuk është e ngjashme, po Shqipërisë duket i dalin dhe i mjaftojnë problemet e veta, kostoja e të cilave po na mban peng edhe kësaj here.

Nuk mund të fshehë sot kjo qeveri dështimin e plotë të saj vetëm te pasaportat biometrike. Shkaqet e këtij izolimi të ri janë të thella: ato fillojnë te korrupsioni në rritje, prezent në çdo raport të ndërkombëtarëve, te fakti që Shqipëria vazhdon të jetë një pikë e rëndësishme transiti për trafikun e drogës, çka vë në pikëpyetje kontrollin e kufijve, mosarritjen e standardeve europiane për zgjedhje të ndershme, pavarësinë e munguar të gjyqësorit etj., etj. Sot, sipas ndërkombëtarëve, Shqipëria ka bërë vetëm "përparim të kufizuar". Të paktën, këtë thotë KE, në dokumentin e vet të Planifikimit Tregues Shumëvjeçar 2008-2010.

Liberalizimi i vizave për Serbinë, Maqedoninë e Shqipërinë tregoi qartë se Shqipëria mbetet pas vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ǒironi për të gjithë ata që kundërshtuan futjen e Shqipërisë nën përkufizimin politik të Ballkanit Perëndimor, ku veç plot argumenteve të drejta e të pakundërshtueshme, që lidhen me specifika gjeografike, historike etj., rendisnin dhe ato të zhvillimit të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›