E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe gratë shqiptare bëhen burra zakoni, mbajnë armë pa leje

Tiranë- Shumica e të pandehurve që dërgohen në gjykatë, të akuzuar për armëmbajtje pa leje, janë burra. Por jo gjithmonë.

Një grua me banim në Kamëz, do të gjykohet për mbajtjen e një pistolete pa leje, edhe pse ajo pohon se e ka gjetur në një kosh plehrash. Fakti i mbajtjes së pistoletës, sipas prokurorisë, u zbulua pasi gruaja u dërgua në spital e plagosur në këmbë.

Policia është vënë në dijeni të ngjarjes dhe ka shkuar në banesën e femrës së dëmtuar, por ka konkluduar se vendngjarja ishte prishur, pasi gjaku në oborr ishte larë nga një femër tjetër e shtëpisë. Kur grupi hetimor ka kërkuar të hetojë se kush e kishte plagosur femrën, ajo ka deklaruar se duke u kthyer në banesë kishte parë pranë koshit pistoletën, e kishte marrë dhe duke e pandehur lodër, e kishte kontrolluar dhe arma ishte shkrepur duke e plagosur në këmbë.

Por hetuesit nuk e kanë besuar këtë version dhe pas dëshmive të tjera që ka siguruar në familje, e ka dërguar gruan në gjykim për armëmbajtje pa leje. Sipas prokurorisë, gruaja e mbante në shtëpi armën dhe nuk e kishte gjetur në oborr ndërsa plagosja, sipas saj, ka ndodhur në mënyrë aksidentale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›