E Diel, 1 Nëntor 2026

Artizanë dhe zejtarë, suvenire për festivalin

22/09/2009  Gjirokastër, gjatë netëve të evenimentit, turistët dhe pjesëmarrësit do të kenë dhe kujtime

GJIROKASTËR - Suvenire të ndryshme, motivet mbizotëruese të të cilave janë nga Festivali Folklorik Kombëtar, prodhuar nga artizanët dhe zejtarët në qytetin e Gjirokastrës, në dy ditët e fundit kanë mbushur dyqanet e suvenireve kryesisht në pazarin e gurtë.

Suvenirët

Prodhime karakteristike si çanta të thurura në tezgjah druri, sahati i gurtë i kështjellës, realizuar në qëndisje me dorë, apo dhjetëra punime të tjera të realizuara në gur të skalitur dhe gdhendje druri mbartin elementë simbolikë të Fest-folkut tradicional që organizohet në Kalanë e Gjirokastrës. "Në prag të Festivalit Folklorik Kombëtar mendova të realizoj një sërë punimesh në qëndisje ku gjendet kalaja e Gjirokastrës", thotë qëndistarja Vjollca Mezini, ndërsa shton se "punime të tilla në këtë periudhë do të tërheqin interesimin e turistëve". Ndërsa drugdhendësi gjirokastrit Pluton Petridhi i emocionuar në ditët në prag të fillimit të Festivalit Folklorik, thotë se "ky organizim përbën të veçantën në jetën e qytetit tonë", ndërsa po i jep dorën e fundit gdhendjes në dru të kështjellës së Argjiros. "Artizanet e Antigonesë" në këtë periudhë i kanë shtuar elementë të rinj vitrinës së dyqanit të suvenireve në pazarin e gurtë, ku një sërë çantash thurur në mënyrë artizanale me avlëmend druri, kanë motive nga festivalet e Gjirokastrës.

"Suveniret që ne realizojmë janë të kërkuar nga turistët, kështu që menduam të realizonim disa gjetje të reja", thonë artizanet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›