E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i kontratave të qirasë në hipotekë

22/09/2009  Kontratat e qiramarrjes mbi 9 vjet të regjistrohen në zyrat e Regjistrimit të Pasurive

Duhen plotësuar dy formularë për të marrë certifikatën e qirasë

Me kërkesë të pronarit të një pasurie të paluajtshme ose të qiramarrësit, të cilëve nuk u është lëshuar asnjë certifikatë pronësie ose qiraje, regjistruesi i lëshon pronarit një certifikatë pronësie ose qiraje. Sipas rastit, ajo lëshohet në formë të shkruar duke pasqyruar të gjitha informacionet që ndodhen në kartelën e kësaj pasurie dhe që kanë efekt mbi pasurinë e paluajtshme apo mbi kontratën e qirasë. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka vendosur që të gjitha kontratat me afat 9-vjeçar të regjistrohen në hipotekë në mënyrë që qiramarrësi të përfitojë certifikatën e qirasë. Kjo është e vlefshme jo vetëm për objektet shtetërore që jepen me qira, por edhe për të gjitha objektet private. Data e lëshimit të certifikatës së pronësisë së qirasë apo hipotekës shënohet në kartelë. Sipas rregullores, nëpër të gjitha zyrat e hipotekës çdo kontratë apo dokument tjetër që ka efekt mbi të drejtat mbi pasuritë e paluajtshme duhet të paraqiten për regjistrim jo më vonë se tridhjetë ditë nga koha e realizimit të tij. Nëse një dokument paraqitet për regjistrim më vonë se 30 ditë nga data e realizimit të tij, atëherë, përveç tarifës së regjistrimit për çdo ditë vonesë që ka kaluar nga kjo datë, qytetari është i detyruar të paguajë kamatëvonesën e barabartë me 10 për qind të tarifës së regjistrimit. Për çdo pasuri të paluajtshme, të regjistruar në kartelën përkatëse, për pronësi, hipotekim apo për kontrata të ndryshme që janë realizuar mbi këtë pasuri, lëshohet vetëm një certifikatë. Certifikata e pronësisë, e qirasë apo e hipotekës është dëshmi e vlefshme për çështjet që tregohen në të, ndërsa pasuria e paluajtshme, kontrata e qirasë apo hipotekës u nënshtrohen të gjitha atyre që janë shkruar në kartelë si në rastin kur këto shënohen në certifikatë, ashtu dhe kur nuk shënohen. Kur një kontratë qiraje është për pjesë të pasurisë së paluajtshme, atëherë kartela ekzistuese e pasurisë së paluajtshme mbyllet dhe hapen kartela të reja për pjesën/pjesët, që është/janë dhënë me qira dhe për pjesën/pjesët e pasurisë së paluajtshme që mbetet/mbeten, si dhe bëhen shënimet përkatëse në hartën treguese të pasurive të paluajtshme. Në këto raste, në zyrën përkatëse të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme depozitohet certifikata e pronësisë së pasurisë që do të ndahet. Pala ankuese, brenda 30 ditëve nga dita e marrjes së njoftimit të këtij vendimi, udhëzimi, urdhri, përcaktimi ose akordimi nga kryeregjistruesi, mund të njoftojë regjistruesin me anë të një formulari të caktuar për synimin e tij për ti bërë ankim gjykatës përkatëse kundër vendimit, udhëzimit, urdhrit, përcaktimit ose akordimit. Me marrjen e njoftimit të ankimit, regjistruesi përgatit dhe i dërgon gjykatës përkatëse, me një kopje të informacionit të kryeregjistruesit dhe të ankuesit dhe çdo personi tjetër që është në regjistër e që atij i duket se lidhet me ankimin, një raport të shkurtër në lidhje me çështjen në fjalë. Kur pala ankuese i kërkon regjistruesit tia kalojë çështjen gjykatës, kjo palë depoziton te regjistruesi shumën e nevojshme për të mbuluar shpenzimet e përgatitjes së dokumenteve. Në kartelën e pasurisë së paluajtshme të prekur nga ankimi duhet të bëhet një shënim se një ankim drejtuar kryeregjistruesit ose gjykatës është në pritje për zgjidhje dhe çdo tjetërsim duhet ti nënshtrohet këtij shënimi.

Regjistrimi

Aktualisht mësohet se kontrata e qirasë për një pasuri të paluajtshme, për një periudhë kohore deri në nëntë vjet, nuk është e detyrueshme të regjistrohet. Ndërkaq rregulli i ri përfshin çdo kontratë qiraje për një pasuri të paluajtshme që do të ketë një zgjatje kohore më shumë se 9 vjet. Për këtë arsye këto kontrata duhet të regjistrohen në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë së paluajtshme të qiradhënësit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›