E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Gërdeci”, gjendet neni për rihetimin e Fatmir Mediut

22/09/2009  Të premten kryhet analizë për çështjen. Juristët: Neni thikë me dy presa

TIRANE- Pas zërave të shumtë se dosja hetimore në ngarkim të ish- ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu ka dështuar, Prokuroria e Përgjithshme siç duket gjatë kësaj kohe ka arritur të gjejë hapësirën ligjore për të rifilluar sërish hetimet në ngarkim të tij. Mediu akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Sipas burimeve pranë organit të akuzës neni 292 i Kodit të Procedurës Penale, i jep mundësi Prokurorisë që të rifillojë procedimin penal në ngarkim të Mediut, si dhe t’i kërkojë Parlamentit heqjen e imunitetit të tij. Ky nen sipas tyre është ndërtuar posaçërisht për zgjidhjen e këtyre situatave, që kanë të bëjnë me pushimin e çështjes nga Gjykata e Lartë apo nga gjykatat e nivelit më të ulët. Mirëpo ajo që duket disi e pamundur për rifillimin e hetimeve është se si mund të fillojë organi i akuzës një procedimin penal, kur atë e ka pushuar Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Të ndodhur në këto kushte ekspertët e Prokurorisë së Përgjithshme janë duke pritur zbardhjen e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe pritet që ditën e premte së bashku më përfaqësuesit ligjore të familjarëve të viktimave, të zhvillojnë një analizë ku do të vendosin fillimin ose jo të çështjes “Mediu”. Në qoftë se akuza do merrte vendimin për rifillimin e hetimeve, kjo gjë sipas juristëve do të ishte një thikë me dy presa për të, pasi Prokuroria duhet që të gjejë argumente bindëse dhe prova të tjera, në mënyrë që nëpërmjet tyre, Parlamenti të vendoste me shumicë të thjeshtë heqjen e imunitet për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Neni 292 i Kodit të Procedurës Penale tregon se vendimi i mosfillimit të procedimit, i pushimit ose i pafajësisë, të dhënë për shkak të mungesës së ankimit për procedim ose të kërkesës së autorizimit për procedim, nuk pengojnë ushtrimin e ndjekjes penale për të njëjtin fakt dhe kundër të njëjtit person, në qoftë se më pas bëhet ankimi, jepet autorizimi ose zhduket kushti personal që e bënte të domosdoshëm autorizimin. Nga kjo hapësirë ligjore, aktualisht organi i akuzës po shikon mundësinë për rifillimin e hetimeve ndaj Fatmir Mediut, edhe pse pak ditë më parë Kryeprokurorja Ina Rama u shpreh se institucioni që ajo drejton kishte bërë punën e tij lidhur me këtë çështje, por gjykata është ajo që të shpall fajtor apo të pafajshëm. Kryeprokurorja Rama u gjend përballë sulmeve të shumtë menjëherë pasi Gjykata e Lartë vendosi pushimin e çështjes “Mediu”. Juristët e njohur u shprehën se gabimi fatal i Prokurorisë që çoi në pushimin e çështjes nga ana e gjykatës, ishte se ajo nuk kërkoi tërheqjen e akteve hetimore në gjykatë. Në qoftë se kjo gjë do të kishte ndodhur, dosja në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk do ishte katandisur në këtë mënyrë. Pasi të kryheshin disa veprime plotësuese si dhe të rianalizohej edhe njëherë dosja, Prokuroria do detyrohej që çështjen ta dërgonte përsëri në gjykatë. Mirëpo për të kryer këtë, tashmë akuza do i drejtohej parlamentit të ri, për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut. Dhe pasi kjo procedurë të ishte kryer, atëherë dosja t’i kalohej Gjykatës së Lartë për gjykim, ku palët të ballafaqonin normalisht pretendimet e tyre.

Neni 292 i Kodit të Procedurës Penale

Vendimi i mosfillimit të procedimit, i pushimit ose i pafajësisë, të dhënë për shkak të mungesës së ankimit për procedim ose të kërkesës së autorizimit për procedim, nuk pengojnë ushtrimin e ndjekjes penale për të njëjtin fakt dhe kundër të njëjtit person, në qoftë se më pas bëhet ankimi, jepet autorizimi ose zhduket kushti personal që e bënte të domosdoshëm autorizimin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›