E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: 21 janari nuk ishte puç, i qëndroj “burrë shteti” për Berishën

Intervistoi: Sokol Balla

Ambasadori tregon përjetimin për ngjarjet e 21 janarit, bisedat me Berishën, Edi Ramën dhe Prokuroren e Përgjithshme

Zoti Arvizu ka një pjesë të opinionit publik, që mendon se deklarata juaj, duke e quajtur Kryeministrin “burrë shteti” ka qenë disi e ekzagjeruar. Një pjesë e opinionit mendon se si mund të quhet burrë shteti një Kryeministër, që sipas tyre dha urdhër për vrasjen e katër personave. Cili është reagimi juaj?

Ju falenderoj për mundësinë që mund ta diskutojmë këtë çështje, pasi edhe unë kam dëgjuar shumë diskutime, debate, spekulime mbi këtë çështje.

Një nga spekulimet ka qenë se jua kanë kërkuar ta thoni këtë çështje?

Jo, jo, nuk ka qenë aspak kështu. Nga kush më është kërkuar?

Nga ana e qeverisë thuhet, madje për të kompensuar të njëjtën thënie të ambasadorit Uidhers, në vitin 2008 ndaj Edi Ramës….

Jo, jo, më vjen keq madje, unë nuk kam qenë fare në dijeni të deklaratës së z. Uidhers, që ai ka përdorur një term të ngjashëm për dikë tjetër.

Atëherë, mund të na e shpjegoni pak?

Në fakt do të doja t’ua kërkoja të gjithëve që të kuptojnë situatën këtu në Shqipëri, më 22 janar, që ishte dita e shtunë. Besoj se të gjithë ne kemi qenë vërtet të shokuar nga ajo që ka ndodhur një natë më herët. Jam takuar me Presidentin me Kryeministrin, kam zhvilluar biseda me zotin Rama të shtunën mbrëma, ku kam pasur mundësi që të flas thuajse një orë në zyrën e Prokurores së Përgjithshme. Unë mendoj se prokurorja nuk ka mundur të vërë gjumë në sy, madje edhe unë atë natë kam mundur të fle vetëm 3 orë. Pra, mendoni pak për pasojat e kësaj periudhe. Unë jam gjendur në mes të shumë trazirave në vende të tjera, por nuk ishte diçka që kisha përjetuar ndonjëherë këtë gjë. Ajo çka më goditi mua, ka qenë fakti se sa shumë të frikësuar dhe të shqetësuar kanë qenë shumë shqiptarë, të paktën para meje. Ata kanë ardhur dhe më kanë thënë se “zotëri ne kemi shumë frikë dhe menduam se këto gjëra i kishim lënë prapa krahëve, por tani këto gjëra i shikojmë që kanë ndodhur”. Prokurorët janë përpjekur që të merrnin në pyetje Gardën e Republikës, tre persona kishin vdekur deri atë ditë, një ditë më vonë të tjerë ishin plagosur, dhjetëra të tjerë demonstrues, oficerë policie, disa prej tyre u plagosën rëndë, flitej për më shumë demonstrata që do të zhvilloheshin dhe nëse do të shihnit kasetat do të shikonit që opozita dhe pasuesit e tyre po shikonin mundësinë të zhvilloheshin më shumë demonstrata. Kryeministri fliste për një lloj tubimi për paqen dhe unë u kontaktova nga Uashingtoni. Më pyeti për vlerësimin dhe unë i thashë që këtu njerëzit janë shumë të shqetësuar dhe në një pikë të caktuar u zhvilluan shumë gjëra. Flitej shumë dhe për një tubim homazh dhe nuk ishte e qartë, do të zhvillohej të hënën, a të martën, dhe në këtë çast unë mora vendimin në konsultim me Uashingtonin, që të bëja një apel personal para kamerave dhe të sugjeroja, që nuk ishte koha e duhur për tubime, sepse ishte shumë e rrezikshme në atë moment. Apeli ynë dukej sikur po shkonte në vesh të shurdhër dhe kjo gjë më shqetësoi shumë dhe vendosëm të rrisnim pak presionin. U përpoqëm të bënim diçka. Vendosa se unë do të apeloja drejtpërsëdrejti me dy udhëheqësit. Fola me persona që janë në stafin tim dhe u thashë do të flas me Kryeministrin dhe t’i kërkoja, të mund të anullonte tubimin. Stafi im më tha “Zoti ambasador, ju duhet ta bëni, por ai nuk ka për ta anulluar”. Unë i thashë, pse jo? Ata më thanë: “Sepse kjo është Shqipëria. Ai është nën trysni për ta bërë këtë”. Unë u thashë se ai ka nevojë ta ndërmarrë këtë hap. Vajta dhe e takova, ai më dëgjoi dhe e ndjeva që ai po e merrte këtë gjë parasysh, por nuk është se ishte bindur plotësisht. Unë i thashë se ju do ta mendoni thellësisht këtë gjë dhe ai më tha se do ta bënte. Brenda orës pati një njoftim për shtyp, ku Kryeministri njoftoi se ai do ta anulonte tubimin, do ta shtynte për më vonë. Ai e bëri këtë. Kjo ishte diçka që ne e ndjemë që ishte një hap i rëndësishëm, për të reduktuar tensionin. Që prej asaj kohe, disa persona më kanë thënë, a ju vjen keq që e keni thënë këtë fjalë, a mund ta kishit komplimentuar në një mënyrë tjetër Kryeministrin dhe jo në këtë mënyrë të veçantë? Unë e kam menduar këtë gjë, po mund të kishte shumë mënyra të ndryshme për të thënë ngjashmërisht të njëjtën gjë, por më duhet të them, që më vjen keq që kjo thënie ka krijuar kaq shumë keqkuptim dhe është bërë fokus i shumë debateve dhe diskutimeve. Por përsa i përket substancës mbi atë që unë kam thënë, unë i qëndroj asaj që kam thënë: “Do ta thoja të njëjtën gjë sot”.

Jo pa komente, ka kaluar një nga takimet që ju bëtë me krerët e policisë, jo shumë larg ngjarjeve të 21 janarit, ndërsa disa prej tyre ishin dhe janë ende në hetim për këto ngjarje. A mos duhet të kishit bërë vizitë tek ndonjë nga katër protestuesit e vrarë më datën 21 janar. Për shembull te Ziver Veizi, i cili u pa qartë se në ç’kushte u vra?

Më lejoni të shpjegoj këtë. Unë isha në atë vizitë, kur u fol për raportin e ICITAP. Ky është një raport i hartuar nga një organizatë, pjesë e Departamentit të Drejtësisë të Ambasadës sonë dhe që punojnë me policinë. Qëllimi i asaj vizite dhe atij raporti ka qenë që të mund të përcillte mbresat tona, që Policia e Shtetit kishte një plan institucional të organizuar për trajtimin e protestës dhe sikurse ne e dimë, protesta u kthye shumë e dhunshme. Nuk mendoj se policisë i është dhënë mjaftueshëm vlerësim, në atë që ka bërë pjesën e parë. Një numër i vogël protestuesish kanë qenë shumë të dhunshëm. Është e qartë se unë duhej ta kisha shpjeguar më mirë, që ishte një numër incidentesh në pjesën e fundit të demonstratës, kam parë një pjesë të filmimeve dhe kjo ka qenë në pjesën e fundit e demonstratës, ka pasur incidente të izoluara, policia ka përdorur një forcë të tepërt. Ka qenë një ditë e gjatë për të gjithë, njerëzit kanë qenë të lodhur, policia ndodhet aty për të mbajtur ligjin dhe ngjallur besueshmërinë, pavarësisht se ata mund të jenë goditur, kjo gjë nuk duhet të kishte ndodhur. Ka disa hetime që po zhvillohen ende për sjelljen e tyre gjatë kësaj periudhe, disa individë nga policia nuk kanë vepruar si duhet. Ata duhet të përballen me pasojat.

A do ishte më e udhës, po të kishit vizituar dhe ndonjë nga familjet e të vrarëve?

Nuk e kuptoj plotësisht në fakt, nuk bie dakord me këtë vlerësim, që unë personalisht nuk kam shprehur sa duhet, një nivel të duhur keqardhje. Në fakt e kam bërë këtë, sigurisht ne jemi siguruar kur kemi folur me z. Stajnberg dhe Kantrimen, por kemi folur për gjërat që duhen diskutuar. Ata janë persona shumë të mençur dhe mund të arrijnë në përfundimet e tyre. Ndoshta duhej të kisha shprehur më qartë se takimi im në polici kishte një qëllim të ndryshëm. Aty, disa gazetarë më pyetën, se përse nuk përmenda vrasjet, me qëllim. Sigurisht që vrasja kishte një ndikim shumë të madh në shoqëri, pasi ka shkaktuar shumë dhimbje dhe 4 persona kanë humbur jetën dhe kjo gjë nuk duhej të kishte ndodhur. Por mendoj që ndonjëherë, njerëzit janë duke menduar më shumë seç duhet për këto gjëra. Nëse i kthehemi kasetave, përpiquni të shikoni atë që po themi, atë që po mendojmë, që të kuptoni më mirë se si ndihemi për gjithë këto sekuenca ngjarjesh.

Një nga gjërat që kam vënë re si të përbashkët me z. Uidhers është se keni shumë dëshirë të takoni njerëz. A hyn në këto takime dhe ai takimi i famshëm të Ministria e Brendshme, ku hytë para fillimit të një proteste dhe takuat policinë?

Ditën që ju përmendi këtë histori, ne kishim shkuar –për të vizituar Galerinë Kombëtarë të Arteve, takuam drejtorin, po takohesha me njerëzit dhe ndërsa ne po ecnim përtej rrugës, pashë disa oficerë policie. Drejtori i zyrës rajonale të sigurisë ishte me mua dhe më tha se mund të shkonim të përshëndesnim policët. Ecëm dhe pak dhe ata u habitën që më panë që unë vajta aty. Unë i takova, i përshëndeta dhe e pyeta “Po prisni ndonjë personalitet? Ai më tha se demonstrues të rinj socialistë, do të zhvillonin demonstratën e tyre. Unë i thashë: Sot? Ai më tha: Po, do të nisë shumë shpejt. Unë i thashë besoj se do të jetë shumë protestë paqësore. Ai më tha: Pres vërtetë që të ndodhë kështu.

Çfarë mendoni se ndodhi më 21 janar?

Nuk mendoj se kemi kohë mjaftueshëm për të folur gjatë; por ajo që doja të thosha është se kjo ka qenë një ngjarje e tmerrshme, një sekuencë e tmerrshme dhe mendoj që veprimet që kanë ndodhur për të zbuluar të vërtetën, janë kursi që po ndiqet nga prokuroria. Sikurse ju e dini, ne kemi qenë shumë të përfshirë në këtë hetim dhe unë gjithashtu jam përgjigjur duke u shfaqur në krah të kryeprokurores, në konferencë për shtyp, ku ajo zbuloi një letër ku kërkonte asistencën e SHBA-ve dhe ne jemi përpjekur t’i përgjigjemi këtij apeli dhe kemi pasur një grup hetuesish të ardhur këtu nga FBI. Ata do të vijnë këtu dhe mendoj se do të ndihmojnë prokurorinë dhe Policinë e Shtetit dhe gjithashtu laboratorin që merret me hetimin e provave, sepse kjo gjë po ndërmerret nga shumë persona. Ky është hetimi i prokurorisë, por ajo që ka vlerë shumë për ne është që ne po përpiqemi të japim ndihmën tonë. Nuk duhet të flas shumë për sa i përket hetimit, por ajo që dua të them është se ne kuptojmë dhe besojmë që pjesa më e madhe e demonstruesve atë ditë kanë qenë besnikë të partisë dhe pjesa më e madhe prej tyre ka ardhur nga Tirana dhe pjesa tjetër nga bastione socialiste, dhe kanë ardhur për të treguar forcën. Por gjithashtu ka pasur një grup të vogël njerëzish që ka pasur një axhendë të ndryshme. Është e drejtë të zbulohet cili ka qenë qëllimi i tyre dhe kjo nuk është e veçuar nga zbulimi i të vërtetës, përsa i përket vdekjes së 4 protestuesve.

Zoti Kantrimen kur u pyet nëse ka pasur përpjekje për një puç shteti u përgjigj: JO. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?

Bie dakord me zotin Kantrimen.

Kryeministri ka përmendur negocimin tuaj për gjetjen e një zgjidhje për krizën e krijuar, pasi policia nuk ekzekutoi 6 mandatet e arresteve. Çfarë ishte e paligjshme? Kërkesa e prokurorisë, qëndrimi i policisë? Në ç’pozita ligjore ishte ndërhyrja juaj?

Unë sot nuk e kam kuptuar saktësisht në detaje. Unë nuk jam një jurist, jam ende duke mësuar mbi Shqipërinë. Ka qenë një situatë shumë delikate, sikurse shpjeguat dhe ju dhe objektivi jonë ka qenë që të përdornim qëndrimin tonë, pozicionin tonë të mirë me prokurorinë dhe policinë, për të lehtësuar atë që duhej bërë, për sa i takon procesit ligjor dhe marrjen në pyetje të disa anëtarëve të gardës. Policia ka qenë në një rol të mesëm në këtë situatë, pasi detyrimi sipas ligjit është të dorëzojë. Por deri në këtë ditë, nuk ka qenë shumë e qartë se cili ka qenë qëndrimi mes nocionit të arrestit dhe kërkesës për ndalim. Kështu që ajo që kemi bërë ka qenë të përdorim pozitën tonë të mirë, që të lehtësonim njëfarë lëvizje dhe përparimi dhe sinqerisht kjo gjë vazhdon edhe sot...

Mendoni se prokuroria ka kryer drejt detyrat e saj ligjore për çështjen e 21 janarit?

Çështjet janë tejet kritike për zyrën e Prokurores së Përgjithshme. Prokurorja e Përgjithshme dhe unë kemi zhvilluar shumë biseda për këtë çështje. Është shumë e vështirë, pasi ajo është një zyrtare e ligjit dhe përkujdeset që drejtësia të përmbushet, por në këtë situatë të veçantë, sado politike që të bëhet, nuk janë thjesht ngjarjet tragjike të 21 janarit, por rrjedhojat pas saj dhe kjo nuk mund të ndahet në fakt nga situata aktuale politike, ndonëse ajo dhe kolegët e saj po përpiqen që të mund të ndjekin drejtësinë dhe të jenë objektiv. Çdo veprim që ata kanë bërë gjithashtu mund të lyhet me një motiv politik. Nëse bëhet kjo gjë, pjesa tjetër nuk do të jetë e kënaqur. Ata ndodhen në një situatë vërtet të vështirë. Sipas rrethanave aktuale, ata kanë bërë një punë shumë të mirë. Dua të jem i hapur, i sinqertë, kam qenë i zhgënjyer ndonjëherë që përparimi nuk ka qenë aq i vazhdueshëm, sikurse kam dashur dhe unë, sepse unë parapëlqej të kem më shumë përgjigje, por mendoj se ajo (Prokurorja e Përgjithshme) ka punën më të vështirë në Shqipëri.

Raporti i Incitapit që ju ua lexuat vetë drejtuesve të policisë, lavdëronte punën në fazat fillestare të ngjarjes së 21 janarit. Sot, ju thatë, për herë të parë, se sjellja e disa pjesëtarëve të policisë në orët e vona të 21 janarit, nuk ishte ajo e duhura, ndoshta edhe duhen nxjerrë përgjegjësit. Mendoni se policia, dhe sidomos Garda e Republikës, ka respektuar kornizën ligjore?

Që ta kuptoj edhe një herë, bëhet fjalë për Gardën e Republikës, ju nuk po flisni për policinë apo jo? Për këtë arsye është tejet kritik ky hetim, pasi nga këndvështrimi im, duke mos qenë jurist ka shumë pyetje lidhur me këtë çështje. Urdhrat që i janë dhënë Gardës së Republikës për të qëndruar, cili është autorizuar që të jap urdhrin, cili është autorizuar të ndërmarrë këtë apo atë veprim? Të gjitha këto duhen përcaktuar nga prokurorët që janë duke i hetuar. Unë personalisht nuk mendoj se është e duhur për mua që unë të di këtë gjë dhe për këtë arsye po zhvillohet edhe ky hetim.

Si kanë funksionuar në detyrat e tyre gjatë 21 janarit, Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha?

Me sa kuptoj unë, Garda e Republikës, një gjë frustuese është se ata kanë pasur një rol amorf. Shpresa ime që ky hetim do ta qartësojë një pjesë të kësaj, por përveç hetimit në vetvete dhe zbatimit të drejtësisë, njëra nga shpresat që unë kam dhe kam diskutuar, gjithashtu me prokurorët kur kam qenë në Uashington, kam thënë që kuptueshëm të gjithë do të dëshironim të shohim se si gjykata ka për ta trajtuar këtë si çështje. Një gjë që do ishte e mirë për Shqipërinë në periudhë afatgjatë duhet të ketë më shumë procedura transparente sa i përket trajtimit të protestave të tilla. Shumë njerëz nuk kanë ditur shumë mbi Gardën e Republikës. Ata janë një forcë sigurie. Nuk do të ishte e përshtatshme që çdo gjë të bëhej publike. Shërbimi sekret i SHBA-ve përpiqet shumë që t’i ruajë disa operacione shumë të rezervuara dhe populli amerikan i mirëpret. Populli shqiptar pret që jo gjithçka duhet të zbulohet për publikun, por shpresoj se do të ketë një zinxhir më profesional, përsa i përket autoritetit, rolit të Kryeministrit edhe të ministrit të Brendshëm dhe kjo besoj që bie në fushën e veprimit të këtij hetimi.

Mospasja e kohës së duhur për të akumuluar një sasi të madhe informacioni, për një ngjarje kaq dramatike, mund të ishte një argument i mjaftueshëm, për t’ju justifikuar juve në disa qëndrime që ju mbajtët për 21 janarin. I qëndroni të gjitha qëndrimeve të mëparshme?

Nëse do të kisha benefitin e kohës dhe nëse do të kisha mundësi të dija çdo gjë, besoj se do të kishim bërë disa gjëra ndryshe, por nëse unë kthehem mbrapa dhe shikoj në informacionet që ne kishim në atë periudhë, po, mund të them me besim të plotë sot, se ne ndërmorëm veprimet e duhura. Analizuam situatën siç duhet. Ishte një situatë krize. Për sa kohë nuk kisha folur me shumë shqiptarë. Për ta theksuar, kishte persona që ishin shumë të shqetësuar. Ata erdhën tek unë dhe më thanë ti zotëri, ju zotëri duhet të bëni diçka. Kështu që ti, duhet të veprosh. Nëse ti heziton edhe për gjysmë dite, ndoshta mund të jetë tepër vonë. Por nëse përpiqesh që të bësh diçka dhe nëse e bën më shumë seç duhet dhe ndoshta e mbithekson, atëherë duhet të paguash pasojat më vonë. Ne bëmë më të mirën e mundshme në atë periudhë. Ajo që ne jemi përpjekur të bëjmë, ka qenë e mirë për vendin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›