E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Mbrojmë votën dhëmb për dhëmb

Nuk do rrezikojnë më një lëvizje qytetare për hapjen e kutive të votimit, por një lëvizje demokratike, që do e udhëheqim pa ngurim, duke i bërë thirrje popullit hapur dhe troç të dëbojë qeverinë

Vota popullore e mbrojtur sy për sy e dhëmb për dhëmb, do ta shkulë këtë të keqe. Me këtë premtim çeli dje fushatën për zgjedhjet e 8 majit, kryetari i Partisë Socialiste, njëkohësisht kandidat për t’u rikonfirmuar si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Në fjalën e tij para mbështetësve, në sallën e Pallatit të Kongreseve, Rama paralajmëroi mazhorancën për një reagim të ashpër, në rast se do të konstatohet cenimi i votave. “Ne e dimë mirë se në çfarë zgjedhjesh të rrezikuara po hyjmë, por edhe Saliu me Ilirin duhet ta kuptojnë se çfarë rrezikojnë nëse prekin votën më 8 maj. Nuk do rrezikojnë më një lëvizje qytetare për hapjen e kutive të votimit, por një lëvizje demokratike, që do e udhëheqim pa ngurim, duke i bërë thirrje popullit hapur dhe troç të dëbojë qeverinë”, premtoi Rama. Nuk do harrojmë asnjë drejtues policie, tha ai, apo drejtor drejtorie në shtet, që do bëjë presionin më të vogël qoftë edhe mbi një votues. “Sa për disa drejtorë që kanë nisur të ofrojnë shumë lekë, si kandidatë të depozitës apo pozitës, i siguroj që do të jenë subjekte të aksionit tonë të transparencës, për të gjitha pasuritë e grabitura, privatizimet e korruptuara sapo të vijmë në pushtet”, tha Rama. Duke ju referuar projekteve të ardhshme të zhvillimit të kryeqytetit, kreu i socialistëve vlerësoi se “një zhvillim i paprecedentë përtej kufijve të qytetit të sotëm pret 8 majin, kur do ti jepet fund këtij pushteti kusarësh. Në rrugën e fitores së 8 majit, më pas vijnë zgjedhje të reja, si fund i epokës së salillëkut”. Duke ju referuar Kryeministrit, Sali Berisha dhe kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Rama sulmoi ashpër bllokimin që, sipas tij, i është bërë projekteve të zhvillimit në Tiranë. “Saliu dhe Iliri bllokuan Këshillin Bashkiak, nuk kanë penguar Edi Ramën apo Partinë Socialiste, por kanë marrë peng qytetarët pa dallim, kanë marrë peng socialistë e demokratë po njësoj, që sot do të lëviznin në unazën e vogël dhe të madhe të Tiranës, do të shijonin sheshin Skëndërbej. Sot do të kishin pasqyrën e re ujore të parkut të liqenit dhe planin urban”, nënvizoi Rama. Ai u bëri thirrje votuesve që Saliut dhe Ilirit, që socialistët, demokratët dhe qytetarët pa parti, t’u çojnë më 8 maj mesazhin e qytetarisë: Kurrë më!. “Kurrë më bllokim të Këshillit Bashkiak, kurrë më votë për Saliun dhe Ilirin, që bllokuan çka mundën, që nga buxheti deri tek apartamentet për të pastrehët. Çlirimi i Këshillit Bashkiak do të jetë çlirimi i rrugës së punëve tona dhe hapjes së projekteve të mëdha. E patë me sytë tuaj atë që duam dhe kemi mundësi të bëjmë për gjithë Shqipërinë dhe Tiranën. Kuptojeni 8 majin si ditë vendimtare për Tiranën dhe gjithë Shqipërinë”, apeloi Rama. Në vlerësimin e tij, 8 maji është vota për qytetarin, ndaj më 8 maj çdo qytetar do votojë për veten, duke ndëshkuar regjimin e kusarëve. “Paratë merruani, janë tuajat, votën mos jua jepni kurrë, pasi ajo është e vetmja mundësi që keni, për të nxjerrë nga vetja juaj të keqen që ju ka lënë pa punë. Vota është e vetmja mundësi që keni për të mos lënë të keqen të dalë nga kontrolli e tu bëjë më keq. Vota është e vetmja armë për të marrë hak për të vrarët e 21 janarit, për ata që humbën jetën në Gërdec, për ata që vriten çdo ditë në ëndrrat e tyre, teksa janë të papunë e shohin padrejtësinë”, insistoi Rama. Për ne, shtoi kreu i opozitës, qytetarët janë të parët çdo ditë dhe jo vetëm një ditë në katër vite, kur duhet shkruar slogani i fushatës. “E vetmja rrugë për t’i bërë realitet të gjitha këto kërkesa elementare njerëzore, por të mohuara në mes të Europës, është Aleanca për të Ardhmen dhe Partia Socialiste e Shqipërisë. Ne jemi ndryshe, jemi krejt ndryshe, ndaj modeli ynë funksionon edhe kur na bllokojnë, godasin e pengojnë”, këmbënguli Rama. Jemi e vetmja rrugë, tha ai, për ata që nuk jetojnë në oborrin e pushtetit të vjedhur, për të vjedhur Shqipërinë. “Shqiptarët e dinë këtë dhe kanë kohë që e dinë, ndaj na votuan dhe do na votojnë edhe më shumë më 8 maj”, u shpreh Rama. Duke ju referuar garës së kryeqytetit, ai ngriti pikëpyetjen për faktin se si nuk e ka kuptuar Kryeministri Berisha qytetarin e Tiranës, që nuk tërhiqet zvarrë me shembje punësh publike si ‘Zogu i Zi’, bllokimin e Këshillit Bashkiak apo qendrës dhe unazave. “Tre herë e ka marrë shuplakën nga Tirana dhe më 8 maj do ta marrë tamam atë që meriton bashkë me Ilirin, shuplakën më shembullore të votës popullore të kryeqytetit dhe gjithë Shqipërisë”, u shpreh Rama. Teksa ju referua zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, Rama tha se opozita e ka kërkuar dhe do ta kërkojë deri në fund hesapin e atyre zgjedhjeve, jo për vete dhe llogaritë e një pushteti që nuk i intereson, por e ka ditur qysh në ditën e parë atë që po provojnë në kurriz shqiptarët, një qeveri që del nga vota e vjedhur, ka dalë jo vetëm nga kontrolli i ligjit, por edhe nga çdo vetëkontroll. D.Malaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›