E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: Do ketë pasoja nëse vazhdojnë kërcënimet ndaj prokurorisë

Share

Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, shfaqet në televizionin pro- qeveritar ABC News dhe lëshon mesazhe të forta për Berishën: Nëse vazhdon sulmet ndaj prokurorisë, do kesh pasoja dhe vështirësi me SHBA. Ambasadori vlerëson intervistën e Ina Ramës në Opinion duke thënë se ka qenë shumë mirë. Ai shpreh dyshimet për gjyqësorin në Shqipëri dhe kërkon heqjen e imunitetit për gjyqtarët në mënyrë që të penalizohen më kollaj. Edhe ambasadori beson se prokuroria bën disa gjëra, por problemi lind tek gjyqtarët. Arvizu thotë se pret nga Basha ti thotë se çfarë mesazhesh ka marrë në Uashington. Ambasadori shpreh simpati për frustrimin e Berishës për hetimet mbi organizatorët e dhunës më 21 janar.

Për vizitën e Bashës në Uashington

Mesa kuptoj ka qenë shumë i zënë, pasi pashë se po jepte një intervistë për VOA. Është takuar me Filip Rikerin, që ka afërsi me çështjet ballkanike. Ka mbajtur një fjalim në një universitet të famshëm për çështjet ndërkombëtare, është takuar me kryebashkiakun e Uashingtonit. Pres me kënaqësi të flas me të kur të kthehet nga atje.

Mendoj se është e drejtë që të thuhet se është një yll në ngjitje. Është 30 e ca vjeç dhe është kryetar i bashkisë së Tiranës. Mendoj se është e rëndësishme të ketë gjak të ri, freski.

Për të rinjtë në politikë

Në politikë ka ende një strukturë që nis nga maja e shkon në bazë. Ka drejtues të fortë. Të rinjtë kanë një perspektivë shumë të gjerë. Kur të vijë koha e tyre, ata do jenë shumë efikas. Disiplina partiake është e ngurtë. Kjo është kultura demokratike shqiptare, por mendoj se e ardhmja është e shndritshme.

Për intervistën e Ina Ramës

-E kam ndjekur me interes të madh shfaqjen e saj. Në fakt dy ditë përpara intervistës kam folur me Blendin pak. Mendoj se ka qenë shumë mirë që TV Klan i ka dhënë asaj mundësinë. Mesa duket ajo ka dalë shumë mirë sa i përket argumenteve dhe prezantimit. Mendoj se edhe Blendi ka bërë një punë të mirë. Ka qenë një rezultat pozitiv për të gjithë.

-Ne kemi qenë të qartë nga dita e parë se pronësia e këtij hetimi është e prokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë. Pas ngjarjeve të janarit të shkuar, ne i jemi përgjigjur kërkesës së zyrës së saj për disa lloje ekspertimesh teknike. Ne kemi menduar që ka qenë e rëndësishme duke parë traumën e përjetuar më 21 janar, faktin që katër persona kanë humbur jetën. Ka qenë e rëndësishme që të kishte drejtësi. Kur jam shfaqur në konferenca për shtyp, kam dashur të qëndroj për besueshmërinë e ekspertizës së FBI, është laboratori më i mirë në botë. Por kemi ofruar edhe mbështetjen tonë për zyrën e prokurorit të përgjithshëm.

-Shtetet e Bashkuara mund të shihen si një vëzhgues i paanshëm në kërkim të drejtësisë.

Për reagimet mbi hetimet e 21 janarit

-Mendoj se duke parë mjedisin politik në Shqipëri, me kanale televizive që transmetojnë 24 orë lajme, është e pashmangshme që diçka të mos jetë në qendër të vëmendjes. Është e vështirë të ndash pjesën politike nga pjesa ligjore.

-Lidhur me performancën e zyrës së prokurorit të përgjithshëm, mendoj se ata kanë dalë shumë mirë me vështirësitë që kanë pasur.

Unë gjithmonë kam qenë jo-komod me informacionet që mund të kenë rrjedhur nga zyra dhe rrjedhjet janë pak të mërzitshme, por shqetësuese është mundësia që komprometohet hetimi. Ina Rama më ka thënë se ndan të njëjtin shqetësim dhe pastaj ka marrë hapa për të trajtuar këtë. Ajo është nëpunëse publike dhe është e përgjegjshme dhe jep llogari për performancën e saj. Mund të flitet për performancën e saj, por ka një kufi, por nëse shkon në kërcënime dhe kanosje, tejkalohet kufiri dhe kjo përbën problem për SHBA-në. Ne besojmë tek liria për të folur, por kur ka kërcënime të drejtpërdrejta dhe të nënkuptuara, ndoshta edhe abuzime verbal duke vënë në dyshim aftësinë profesionale të asaj zyre, kjo ka potencialin të krijojë disa vështirësi me SHBA.

-Dua të theksoj se performanca e Ina Ramës është subjekt diskutimi, por ka kufij dhe nuk duhen kaluar pasi ndryshe do ketë pasoja.

-Pasojat që mund të flas, sërish kthehem tek koncepti i të drejtës. Ka shumë pyetje kur i kthehem asaj çështje. Pati të vrarë me armë zjarri dhe duhet të ketë llogaridhënie për këtë. Por e rëndësishme është të mësojmë se cilat ishin rrethanat që çuan në këto ngjarje.

Prokurorja ka kërkuar edhe heqjen e imunitetit për tre deputetë, kjo nuk nënkupton se janë fajtorë, por lehtëson hetimin. Por ka një përmasë njerëzore mbi të gjitha. Ajo që ka qenë zhgënjyese për mua, do kisha dashur një shprehje të keqardhjes për situatën. Ben Blushi pati thënë se nëse do kishte më shumë deputetë të PS në krye të protestës, ndoshta këta njerëz nuk do ishin vrarë, nuk do kishte të plagosur nga policia.

A ka SHBA emër për atë që ka ndodhur më 21 janar?

E kuptoj se njerëzit kërkojnë baraspeshimin për këtë ngjarje. Por duhet të ndjekim provat. Por duket se ka pasur ndërhyrje në serverin e kryeministrisë, ka pasur të dhëna se një nga armëve i është ndryshuar tyta. Kjo gjë duhet hetuar sepse drejtësia duhet ta mbajë politikën aq më larg sa të jetë e mundur. E di që kryeministri është i zemëruar se disa prej tyre janë shpalosur. Kam simpati për frustrimin e tij.  Komisioni hetimor ka zero qëndrim. Ky komision hetimor vetëm sa tërheq vëmendjen.

Për drejtësinë

Gjyqtarët nuk janë të përgjegjshëm. Duhet hequr imuniteti. Është shumë e rëndësishme. Nëse do takoja çdo deputet, do kërkoja që imuniteti me bazë të gjerë duhet ndryshuar.

Për luftën kundër korrupsionit

Pararendësi im, ambasadori Uidhers, ka thënë se është një nga problemet më serioze me të cilat përballet Shqipëria. Prokurorët bëjnë disa gjëra, nëse bëjnë punë të mirë apo të keqe, e gjykojnë njerëzit, por kur shkon në gjykatë ka një perceptim në Shqipëri e jashtë se disa gjyqtarë mund të blihen.

Për daljen e forcave të reja politike

Kjo ka qenë një fenomen shumë i rëndësishëm politik i kohëve të fundit. Ka persona që thonë se ata po shikojnë drejt zgjedhjeve të vitit 2013. Unë do të thoja për disa lëvizje patriotike, patriotizmi është gjë e mirë. Por mendoj se në SHBA kanë një qëndrim pozitiv për faktin se Shqipëria është një forcë stabiliteti në rajon. Sot jemi në vitin 2012 dhe jo në vitin 1999. I vetmi koment është që patriotizmi është gjë i mirë, por mos harroni se njerëzit e admirojnë faktin që jeni burim stabiliteti dhe mos e humbisni këtë fakt të rëndësishëm.

Për zgjedhjen e presidentit të ri

Jam përpjekur të komentoj shumë për temën konsensus. Kështu që preferoj të përdor termin që të ketë konsultim shumë aktiv mes palëve të interesuara. Ka një procedurë kushtetuese për këtë. Por presidenti është simbol i unitetit të popullit shqiptar. Shpresoj që të ketë një konsultim të sinqertë mes palëve

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›