Arvizu: Duhen përpjekje kombëtare për reformat
Ambasadori amerikan pas takimit me Bashën: “U përket aktorëve politikë që të kenë vullnet dhe angazhim për këtë dhe gjithashtu varet nga shqiptarët që tu kërkojnë drejtuesve të vetë kryerjen e këtyre reformave”
TIRANË Për ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, është shumë e rëndësishme që në vend, njerëzit të përqafojnë reformat dhe, po aq, tu kërkojnë drejtuesve kryerjen e tyre. Mesazhi i ambasadorit amerikan u përcoll pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, në zyrën e këtij të fundit. Në deklarimin e tij për mediat, ambasadori amerikan kujton se, në të njëjtën situatë pengesash, në të shkuarën kane qenë edhe Sllovenia dhe Kroacia por, këto dy vende kanë ditur t’i kapërcejnë. “Është shumë e rëndësishme që njerëzit të përqafojnë reformat që të mund të ecin përpara. Për këtë, duhet një përpjekje kombëtare. Nëse shikojmë në një të shkuar të fqinjëve tanë Sllovenisë dhe Kroacisë, kupton se edhe ato kanë pasur pengesa në të cilat janë hasur, por kanë ditur si t’i kapërcejnë ato, në mënyrë që të ecin drejt integrimit europian. Nuk ka asnjë arsye që kjo të mos ndodhë në Shqipëri. U përket aktorëve politikë që të kenë vullnet dhe angazhim për këtë dhe, gjithashtu varet nga shqiptarët që t’u kërkojnë drejtuesve të vetë kryerjen e këtyre reformave”, - tha dje Arvizu.
Basha, mbështetje nga Arvizu
Ndërkohë, gjatë takimit, kryebashkiaku i Tiranës, Lulëzim Basha, e njohu ambasadorin amerikan në Tiranë mbi planet e Bashkisë për mbrojtjen e konsumatorit, decentralizimin, reformat strukturore, reduktimin e barrierave fiskale, thithjen e investimeve të huaja, projektet në infrastrukturë etj. Nga ana e tij, ambasadori Arvizu shprehu mbështetjen dhe gadishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të bashkëpunuar në projekte të ndryshme të përbashkëta me Bashkinë e Tiranës. “...Informova për prioritetet e punës sonë në drejtimet kryesore, në zhvillimin ekonomik të Tiranës dhe rritjen e shanseve për punësim, në përmirësimin e cilësisë së jetës nëpërmjet ndërhyrjeve urbane dhe, nëpërmjet një qeverisjeje më transparente, më efikase dhe më në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë aktorëve ekonomikë e shoqërorë. Kërkova dhe mora mbështetjen e z.Ambasador, nëpërmjet programeve të ambasadës e programeve të qeverisë amerikane, për të mbështetur përpjekjet e Bashkisë së Tiranës në të gjithë këto fusha...”, - u shpreh Basha pas takimit. Ndërsa, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu u shpreh ndër të tjera: “...Ne kemi një traditë shumë të gjatë të bashkëpunimit me z.Kryetar të Bashkisë, gjatë të gjithë funksioneve që ai ka pasur më herët, si ministër i Punëve të Brendshme, ministër i Punëve të Jashtme e gjithashtu gjatë punës, që ai ka zhvilluar në Kosovë, kështu që, presim me kënaqësi edhe zhvillimin e kësaj marrëdhënieje të re me të, diskutuam gjatë mbi mënyrat, se si mund të përmirësojmë jetën e qytetarëve të Tiranës dhe kjo, është një gjë tepër e rëndësishme, sepse edhe synimi i SHBA-së, është përmirësimi i jetës së qytetarëve në Tiranë e Shqipëri dhe, dukshëm, 1/3 e qytetarëve të Shqipërisë, jetojnë në këtë qytet e rrethinat e saj”.