E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guvernatori i Bankës, Ardian Fullani kërkon mandat të dytë

TIRANË Në prag të përfundimit të mandatit 7-vjeçar, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, është gati për një mandat të dytë. Gjatë analizës ekonomiko-financiare të përmuajshme, ku u ndal gjatë tek sistemi financiar në vend, Fullani është pyetur edhe mbi mundësinë e rikandidimit të tij, ambicie të cilën ai vetë nuk e ka fshehur, teksa ka sjellë në përgjigjen e tij një thënie të një presidenti amerikan.“Gjithësecili ka dëshirë t’i çojë sfidat deri në fund. Një shprehje e madhe, një nga presidentët më të suksesshëm amerikan thotë që nuk ka limit në aktivitetin e një njeriu. E rëndësishme është që ajo që ai bën, shihet si një kontribut i shtuar”,- tha dje Fullani në konferencën për shtyp. Në fund të muajit tetor, plot 7 vjet me parë, Fullani u propozua nga ish-Presidenti Alfred Moisiu si Guvernatori i ardhshëm i Bankës së Shqipërisë. Fullani u miratua me shumicën e votave në Kuvend, duke vijuar të ushtrojë këtë funksion për 7 vite me radhë. Ndërkohë, në fillim të muajit Tetor, 5 prej 9 anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës, u mbaron mandati e konkretisht, Ardian Fullanit, Ksenofon Krisafit, Tefta Cucit, Fatos Ibrahimit dhe Ardian Civicit. Neni 44 i ligjit për Bankën e Shqipërisë, citon se Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë, ku përfshihet edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Për pasojë, Partia Demokratike pritet të përfshihet në një garë të ethshme për të zgjedhur së pari, emrat e Këshillit Mbikqyrës, nga ku Presidenti i Republikës do të jetë i detyruar të zgjedhë një prej tyre. Që Fullani të rikandidojë për postin e Guvernatorit, duhet më së pari që të zgjidhet nga Kuvendi si anëtar i Këshillit Mbikqyrës. Në garën për postin e Guvernatorit të Shqipërisë, pritet të përfshihen edhe emra të tjerë, si Elisabeta Gjoni apo Zana Guxholli. Neni 161 i Kushtetutës, citon se; “Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës, për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›