E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: Hetim për vrasjet, protestuesit dhe organizatorët

TIRANE- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu është shfaqur përkrahë kryeprokurores Ina Rama në konferencën informuese për ngjarjet e 21 janarit, ku kjo e fundit foli për 3 urdhër arrestet e lëshuara nga organi i akuzës.

Në cilësinë e një ambasadori, vendit të së cilit i është kërkuar ndihmë për hetimin e këtyre ngjarjeve, Arvizu deklaroi për mediat se SHBA-të e kanë ndihmuar këtë hetim, ndërsa mbështesin hetimin e deritanishëm. Ai këshilloi që hetimi në vazhdim duhet të jetë gjithëpërfshirës.

“SHBA në bazë të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme ra dakord të asistojë në hetimin e këtij rasti. Ne i mirëpresim ato që ka thënë sot kryeprokurorja Ina Rama, do vazhdojmë të mbështesim zyrën e Prokurorisë derisa të vazhdohet në këtë hetim. Ka qënë gjithmonë qëllimi ynë që ky hetim të jetë i pavarur, që të bëhet i besueshëm, të jetë gjithëpërfshirës”, ka deklaruar Arvizu.

Diplomati amerikan deklaroi më tej se, që hetimi të jetë i besueshëm duhet të hetohen edhe protestuesit që ndërmorën dhunë, por edhe organizatorët.

“Sigurisht duhet të hetohen edhe veprimet e protestuesve që kanë ndërmarrë dhunë, si dhe veprimet dhe qëllimet e organizuesve të kësaj proteste”, tha Arvizu më tej.

I pyetur nga gazetarët, nëse Prokuroria e Përgjithshme ka ndërmarrë një hetim politik, ambasadori Arvizu, mohoi që ky hetim të jetë i motivuar politikisht.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Arvizu: Hetim për vrasjet, protestuesit dhe organizatorët

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›