E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: I kam përcjellë Ina Ramës shqetësimin se s’po hetohen organizatorët e 21 janarit

20-01-2012 / Gazeta 55

Ambasadori i SHBA-së, Aleksander Arvizu, në një intervistë televizive për Top Channel thotë se ka bashkëndarë me kryeministrin Sali Berisha shqetësimin se organizatorët e demonstratës së 21 janarit s’po hetoheshin dhe këtë shqetësim ia ka përcjellë edhe Ina Ramës. Ai është distancuar edhe nga krahasimet e paraardhësit Withers, për hapa prapa të Shqipërisë, por e ka cilësuar situatën si “një përparim të ngadalësuar”


Ambasadori i SHBA-së, Aleksander Arvizu, në një intervistë televizive për Top Channel thotë se ka bashkëndarë me kryeministrin Sali Berisha shqetësimin se organizatorët e demonstratës së 21 janarit s’po hetoheshin dhe këtë shqetësim ia ka përcjellë edhe Ina Ramës. “Përparësia jonë kryesore më e madhe ka qenë që të mbështesim kryeprokurorin në hetim dhe kjo ka ndodhur, thotë ambasadori amerikan. E di që njerëzit janë të frustruar dhe të zhgënjyer për zgjatjen. E rëndësishme është se theksi ka qenë në atë hetim dhe ne gjithmonë kemi nënvizuar se është e rëndësishme të kishte tre komponentë kryesore: i plotë, i pavarur dhe i lirë. Kemi ndjekur se në bazë të asaj çka ndodhi në 21 janar ishte diçka e tmerrshme”. Arvizu tha se kryeministri Sali Berisha i është ankuar se nuk po hetohet sa duhet për pjesën e organizatorëve dhe unë isha gjithashtu i shqetësuar e ja kam përcjellë këtë kryeprokurores. Duke ju referuar ekspertizës së FBI-së ai tha se “ka patur kërkesa të ndryshme që janë dorëzuar nga prokurorët në kohë të ndryshme tek FBI. Nga ajo që kuptoj është pjesa më e madhe nga ajo që është kërkuar dhe është përmbushur. Mund të ketë një ose dy shtojca ku kemi ende shpresën se do ketë informacion shtesë por pjesa qendrore për evidencat balistike dhe ligjore të kërkuara nga prokurorët është kryer në fillim të janarit. Jam takuar me asistent drejtorin e FBI-së në Uashington”. Duke ju referuar protestës së pritshme të opozitës ai tha se “duket se do jetë një përkujtim i ngjarjes dhe do të ketë një ton kthjellues. Është mënyra e duhur për të përkujtuar humbjen e këtyre katër personave”. I pyetur për deklaratën e Berishës se Rama duhet të mos harrojë kërcënimin që i kishte bërë më 23 janar të vitit të kaluar, Arvizu tha se “në eksperiencën time këtu për një vit është diçka pozitive për Berishën se flet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo është ana pozitive. Në më shumë se një rast kam menduar se ndoshta mund të kishte shprehur të njëjtin mendim në mënyrë më diplomatike e të matur. Mund të përcillte të njëjtin mesazh në mënyrë diplomatike”. Ambasadori komentoi edhe çështjen e zgjedhjes së Presidentit duke thënë se “nëse do them që presidenti duhet zgjedhur me konsensus do thuhet se mbështeti ambasadorët e tjerë. Nëse do them duhet zgjedhur përmes kushtetutës do thonë ja po mbështet sërish Berishën. Unë shoh se ka një shans të vërtetë që të zgjidhet dikush që përfaqëson unitetin e popullit, që ka eksperiencë në artin e kompromisit. Ai mund të jetë politikan por edhe dikush që mund të ketë përvojë të gjerë biznesi. Unë sigurisht do të prisja që do të ketë një farë konsultimi mes mazhorancës dhe opozitës për sa i përket kandidatëve të ndryshëm për këtë pozitë të lartë. Jam pak ngurues të përdor shembullin e Avokatit të Popullit por po flasim për përmasa të ndryshme. Nuk mendoj se duhet të jemi në këtë iluzion pasi ky është nivel tjetër. Problemi është se njerëzit kanë pritshmëri të ndryshme dhe do të donin të vihej dikush që të bllokonte kryeministrin. Është e rëndësishme të ketë ndarje pushteti por jo të ketë dikë bllokues. Duhet dikush që punon me qeverinë dhe të ketë edhe shkallën e pavarësisë së tij”. Duke ju referuar deklaratave të ish-ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë John Withers, Arvizu tha se “nuk ndihem komod për të bërë krahasime për vende të ndryshme. Nuk bie dakord se ka shkuarje prapa këtu. Mendoj se do të ishte e drejtë të thuhej se më së miri ka përparim të ngadalësuar në mënyrë dramatike dhe në disa raste qëndron në vend. Mund të duket si pikë e vogël semantike por nëse flitet për përparim nuk është situatë e mirë që ai të ngadalësohet apo të qëndrojë në amulli. Ndonëse Shqipëria ka bërë përparime tani është koha që e shkuara të mos përdoret më si justifikim”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›