“KLSH, rol themelor në luftën kundër korrupsionit - do ketë mbështetjen e qeverisë”
Kryeministri Sali Berisha pret kreun e ri të KLSH, Bujar Leskaj
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje në takimin me kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj se lufta kundër korrupsionit dhe transparenca e qeverisjes, janë gurë themeli në një shtet demokratik. Duke e uruar Bujar Leskaj për detyrën e re, kryeministri Berisha garantoi mbështetje të plotë të qeverisë për institucionin e KLSH-së, të cilin e cilësoi si institucion themelor në luftën kundër korrupsionit.
Kryeministri shprehu besimin se KLSH do të shqyrtojë gjithçka me rigorozitet dhe objektivitet maksimal në përputhje me ligjin, ndërsa theksoi se kontrolli të ketë si objektiv të gjitha institucionet si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor.
Ndër të tjera, Kryeministri theksoi se është e nevojshme dhe shumë e rëndësishme që veprimtaria e KLSH të përqendrohet ne shtratin e saj ligjor që ia përcakton qartë Kushtetuta dhe ligjet.
“Me punën tuaj, të përpiqeni të forconi besimin e publikut tek këto institucione si dhe të përcillni një përgjegjshmëri sa më të lartë për zbatimin e ligjit”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri theksoi se Departamenti i Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion, pranë Këshillit të Ministrave, dhe të gjitha institucionet e tjera të kontrollit janë të gatshme të bashkëpunojë me KLSH-në.
Nga ana e tij, kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen dhe besimin e treguar nga mazhoranca për mandatimin e tij në këtë detyrë, duke theksuar se misioni i tij në krye të KLSH është zbatimi i Kushtetutës dhe ligjit.
Bujar Leskaj theksoi se strategjia e re e KLSH do të jetë në sintoni me Strategjinë Antikorrupsion të qeverisë të miratuar në vitin 2008 duke siguruar nga ana tjetër se do të synojë në një zbatim profesional dhe efikas të ligjit jashtë çdo interesi tjetër.
Në këtë kontekst, Bujar Leskaj vlerësoi masat e ndërmarra nga kryeministri Berisha për mbështetjen e veprimtarisë së KLSH-së, si dhe vlerësoi angazhimin e tij, për bashkëpunim me strukturat shtetërore të kontrollit dhe të zbatimit të ligjit.