E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria, mundësi të shkëlqyera për investime në energji, turizëm dhe infrastrukturë”

20-01-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha, në ceremoninë e shoqatës së “Investitorëve të Huaj në Shqipëri”


Kryeministri Sali Berisha, i pranishëm në ceremoninë e shoqatës së “Investitorëve të Huaj në Shqipëri” e vuri theksin tek investimet e mundshme në vendin tonë dhe veçanërisht në fushën e energjisë, turizmit dhe infrastrukturës. Në fjalën e tij kryeministri u shpreh se vendi ynë renditet ndër administratat me numër më të vogël dhe kjo sipas tij sjell mundësinë për investime. “Shqipëria po përparon në lirinë ekonomike vit pas viti, sipas raporteve më të fundit. Kam besimin e thellë se në lirinë ekonomike kemi të gjithë potencialet dhe se qeveria dhe komuniteti i biznesit do bëjnë më të mirën për ta zgjeruar”, u shpreh Berisha. A theksoi se falë lirisë ekonomike Shqipëria ka dyfishuar eksportet për dy vitet 2009-2011 dhe falë saj, vendi ka pasur zhvillim në prodhimin dhe pagesat. Vendi ynë, sipas Berishës është një vend me shpresa të mëdha të cilat udhëheqin investimet në njerëz. “Shqiptarët kanë ndërtuar më shumë se çdo vend tjetër në këto vite. Kemi lënë mbrapa 5 vende të BE-së dhe ky është dinamizmi i shpresës, kjo është e rëndësishme për vendin tonë”, ka theksuar Berisha. Ndërkaq duke e përqendruar mundësinë e investimeve tek energjia, kryeministri ftoi investitorët e huaj të investojnë në këtë sektor. “Janë 63 HEC-e që po ndërtohen, ndërsa jemi drejt përfundimit të kaskadës së Devollit, Shqipëria duhet të jetë një ndër prodhueset e energjisë në rajon. Ta kthejmë Shqipërinë në prodhuese të energjisë së rinovueshme”, vijoi fjalën e tij kryeministri duke inkurajuar investitorët e huaj. Gjithashtu duke e parë rëndësinë e investimeve në turizëm, Berisha tha se numri i turistëve në Shqipëri këtë vit ishte befasues “Kush investon në turizëm nuk do të jetë dështak. Ne po punojmë që të kemi transparencë për burimet e mundshme”, tha Berisha, ndërsa nuk la pa përmendur edhe prodhimin e arrorëve si një nga burimet për t’iu shmangur krizës dhe ftoi investitorët të merrnin pjesë edhe në këtë proces. Një vend të veçantë për investime zë edhe infrastruktura ku kryeministri ftoi investitorët për ndërtimin e rrugëve më moderne sidomos në kryeqytet. Gjithashtu Berisha garantoi investitorët e huaj për mbështetjen e qeverisë dhe krijimin e kushteve sa më lehtësuese duke e sjellë Shqipërinë në moshën dixhitale.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›