E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: KQZ-ja aktuale është kthyer në një farsë

arvizuDuke lënë mënjanë tonet diplomatike, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu ka bërë nga Korça disa deklarata të forta për situatën e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pas largimit të anëtarëve të opozitës. Sipas ambasadorit Arvizu, zgjedhjet e 23 qershorit janë përcaktuese për vendin, ndërsa shtoi se në këtë pikë nevojitet një KQZ funksionale, dhe jo si aktualja, që sipas tij është kthyer në një farsë.
Deklarata
Për të pasur zgjedhje të mira nevojitet një KQZ funksionale. Jo një KQZ të bazuar mbi një farsë; duhet të jetë rezultat i konsensusit politik, një marrëveshjeje. Të gjitha pjesët përbërëse ekzistojnë. Nuk ka mbetur shumë kohë dhe është me rëndësi që palët të mblidhen bashkë dhe të ristrukturojnë KQZ-në dhe pas kësaj të ndërtohen 89 KZAZ-të, kodi i sjelljes lidhur me zgjedhjet, kush do të jetë në qendrat e numërimit, pra të gjitha këto duhet të ndodhin, u shpreh ambasadori Arvizu. Sipas ambasadorit amerikan rregullat e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor nuk janë zbatuar si duhet nga politika. Për fat të keq nuk janë ndjekur kohët e fundit. Është me rëndësi që Kodi Zgjedhor të zbatohet sa më shumë që të jetë e mundur. Gjëja më e rëndësishme është vullneti politik. Askush nuk po flet për bojkot, askush nuk po flet për zgjedhje të shtyra. Nuk duhet të ketë një farsë, por thjesht njerëzit ti futen punës seriozisht për një KQZ funksionale, u shpreh ambasadori.
Opozita
Duke ju referuar largimit të anëtarëve të opozitës nga KQZ-ja, ambasadori Arvizu tha është e rëndësishme që opozita të jetë pjesë e këtij institucioni. E rëndësishmja është që edhe opozita të jetë pjesë e kësaj, edhe qeveria, koalicioni qeverisës duhet të jetë pjesë. Nuk kemi ndonjë formulë magjike. Ndoshta ka më shumë se sa një zgjidhje, por një zgjidhje është e mundur. Presim që kjo të ndodhë, shtoi ambasadori. Deklaratat e ambasadorit amerikanë vijnë një ditë pas konferencës së zhvilluar në Uashington ku përfaqësues të lartë të DASH, kritikuan situatën parazgjedhore në të cilën gjendet vendi.

(RENATO DAUTI)

Ambasadorja çeke: Situata në KQZ e pa dëshirueshme
Ambasadorja Çeke në vendin tonë, Bronislava Tomasova vlerësoi si tepër të rëndësishme mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ndërsa shtoi se zgjedhjet e qershorit do të tregojnë edhe demokracinë e institucioneve në vend. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian po e ndjekin nga afër situatën politike parazgjedhore në Shqipëri dhe nga konkluzionet që dolën në dhjetor, këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të parë funksionimin e mirë të institucioneve demokratike në vend, tha ambasadorja Tomasova. Duke u ndalur tek situata e krijuar në KQZ pas dorëheqjeve të anëtarëve të opozitës, ambasadorja çeke tha se kjo është një situatë e padëshiruar. Situata e krijuar me KQZ-në është një situatë e padëshirueshme. KQZ duhet të jetë një institucion teknik që administron zgjedhjet, pra një organ i pavarur. Ne shpresojmë që vota e çdo qytetari të respektohet dhe në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme, deklaroi ambasadorja.

KQZ miraton kërkesën e LSI-së
për caktimin e anëtarëve në KZAZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me votat e katër anëtarëve kërkesën e LSI-së për caktimin e anëtarëve të LSI-së në 89 KZAZ-ët. Të gjitha subjektet politike vlerësuan këtë veprim të KQZ-së e cila sipas tyre, risjell balancat e humbura. Sipas PD-së, e njëjta skemë që risjell LSI-në dhe largon PBDNj-në, duhet të ndiqet dhe për KQZ-në. Menjëherë kërkova që administrata të kryente të gjitha procedurat dhe ta kishim sot(dje) në mbledhjen e ditës. Kjo është KQZ-ja e ligjshme, kjo është KQZ-ja që punon zoti Manjani”, deklaroi kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi. Ndërsa përfaqësuesi ligjori i PD-së, Njoazi Kosovrasti tha se të gjitha veprimet e bëra qoftë nga Kuvendi i Shqipërisë qoftë dhe nga nisma që u mor dje nga PR, kemi të bëjmë me situata ligjore prandaj ju uroj që pas kësaj të vendoset normaliteti pranë KQZ ashtu siç po vendoset në të gjitha nivelet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›