E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doris Pack: Berisha gaboi me ndryshimin e KQZ

Doris Pack: Meta ka qenë gjithnjë një socialist, po e priste rikthimin majtas
0d481f16d764a00230508a2972893e28Eurodeputetja Doris Pack në një bashkëbisedim me studentë të universitetit Kristal ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Ajo për herë të parë ka kritikuar kryeministrin Berisha, duke deklaruar se KQZ-ja nuk duhej të ndryshonte në këto momente. Nëse unë do të isha Berisha nuk do ta ndërmerrja një veprim të tillë. Ndërhyrja në KQZ krijon një ndjenjë sikur ka një tendencë të manipulohet rezultati, ka theksuar Pack. Lidhur me largimin e Metës nga koalicioni qeverisës, Pack vuri në dukje se ajo nuk ishte surprizuar nga ky vendim. Duke përforcuar komentin e saj ajo tha se Meta priste një moment rikthimi majtas, edhe socialistët ndërkombëtarë e dëshironin ribashkimin e tyre.
Kritikat
Gjatë bashkëbisedimit më studentët e Kristal, eurodeputetja kritikoi klasën politike shqiptare për mënyrën se si fyejnë njëri-tjetrin. Berisha , Rama dhe Meta, të gjithë këta janë zgjedhur që të punojnë për mirëqenien e gjeneratës së re, të fëmijëve të gjithë qytetarëve shqiptarë që është në interesin tim dhe të të gjithëve këtu. Nuk mund ta kuptoj dot mënyrën sesi ata po sillen, kaq të pamatur, shumë pak të ndjeshëm për nevojat e popullit, tha ajo. Sakaq ajo vuri në dukje se në politikë ju mund të jeni në një anë ose në një anë tjetër, por nuk mund të bëhet fjalë për armiq dhe nuk mund të shkohet në akuza personale për të fyer njëri-tjetrin. Unë nuk e di nëse ju e ndjeni këtë. Shpesh më është thënë që shqiptarët janë në sjellje kështu. Por unë kam thënë jo.
KQZ
E pyetur për ndryshimet e fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Pack kritikoi vendimin e mazhorancës për shkarkimin e anëtaritë të LSI. Nëse unë do të isha Berisha, por unë nuk jam, unë nuk do ta ndërmerrja një veprim të tillë, por jo sepse ishte joligjor, nuk mund të them që është joligjor, por sepse nuk duhej ta bënte atë. Sepse krijon një ndjenjë sikur ka një tendencë të manipulohet rezultati, tha ajo. Pack shtoi se edhe nëse është juridikisht veprim korrekt e krijon një perceptim të tillë. Nuk është e nevojshme të jepej një përshtypje të tillë.
Largimi i Metës nga mazhoranca
Duke iu rikthyer largimit të Metës nga koalicioni qeveritar. Pack tha se për të ishte një veprim i qartë. Meta ka qenë gjithnjë një socialdemokrat, një socialist, dhe dukej që po priste një moment rikthimi majtas, sepse edhe socialistët në nivel ndërkombëtar e dëshironin ribashkimin e tyre. Nuk kisha besuar se do ta bënin koalicionin e ri përpara zgjedhjeve dhe në atë mënyrë, gjithsesi për mua nuk ishte një surprizë, tha eurodeputetja. Ndërkohë ajo theksoi se koalicioni i mëparshëm nuk ishte jo i natyrshëm, sepse sipas saj koalicionet në disa raste bëhen nga njerëz me ideologji të njëjtë dhe në raste të tjera me personalitete me ideologji të ndryshme politike.

Pack për zgjedhjet
Ju jeni të njohur tashmë me diskutimin mbi zgjedhjet. Ju e dini për Shqipërinë, ka një problem. Sa herë keni zgjedhje ndodh që ai që humb pretendon se tjetri nuk është fituesi dhe se rezultatet janë falsifikuar e kështu me radhë. Ka ndodhur gjithnjë kështu, por unë mendoj se nëse zgjedhjet organizohen mirë dhe në mënyrë korrekte, ai që do të humbasë duhet të pranojë rezultatin dhe jo të bojkotojë parlamentin e ri, të mos dalë me protesta në rrugë dhe nuk duhet të manipulojë njerëzit me pretendime të paqena. Në sytë e mi nëse nuk ka asnjë provë reale se nuk kanë ndodhur manipulime duhet të mënjanojmë kontestimet e pabaza

Kur i kritikojmë politikanët
shqiptarë na shikojnë si armiq
Unë kam një karrierë të gjatë politike në demokraci, por nuk jam këtu ti them ndonjërit se çfarë ai apo ajo duhet të bëjë në politikë, por ndonjëherë mendoj se në qoftë se njerëzit do të na dëgjonin ne pak më shumë, gjërat do të shkonin edhe më pozitivisht. Mesa duket politikanët shqiptarë duken shumë krenarë me veten, me një vetësiguri të madhe, por sipas meje ka ardhur momenti që këta politikanë realisht të heshtin. Ndonjëherë fatkeqësisht e kam këtë përshtypje. Nëse ne i duartrokasim, ata janë të lumtur, nëse i kritikojmë, ne shihemi pak si armiq. Nuk ndodh kështu vetëm në Shqipëri kështu. Tani kemi një situatë të tillë në Hungari.

Pack për zgjedhjet e lira
Do të ndjehem sërish shumë e pikëlluar nëse nuk do të keni zgjedhje të lira dhe të ndershme në qershor, zgjedhje të mira, dhe kjo më në fund është një mundësi e mirë të bëni një hap përpara. Siç e thashë më parë kjo betejë e ashpër politike që po ndodh në vendin tuaj është një çmenduri, është e papranueshme. Kudo ne kemi mosmarrëveshje mes pozitës dhe opozitës, por askund në mënyrën që politikanët tuaj po bëjnë. Edhe një herë kjo sjellje duhet të ndryshojë dhe ky do të ishte një sinjal i qartë për ne që ky vend po maturohet dhe ju po bëheni gati të integroheni në BE, duke realizuar kushtet që tashmë i dini. Ky proces kërkon një kohë të gjatë. E keni parë me Kroacinë, Bullgarinë e Rumaninë që ka bërë shumë për ta arritur këtë qëllim. Unë besoj që ju mund ta arrini këtë qëllim dhe jeni të dedikuar të merreni me politikë në mënyrë që të hyni brenda partive politike për ti bërë ata më të përgjegjshëm për realitetin dhe demokracinë që është në themel të BE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›