E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Mazhoranca dhe gjykatat të pranojnë ekspertizën e FBI për 21 janarin

Share

(E PERDITESUAR)- Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ka shprehur shqetësimin e tij në Top Story të Sokol Ballës se mos gjykatat përdorin si precedent rastin Meta për të mos marrë për bazë ekspertizën e FBI për 21 janarin. Arvizu tha se ndryshe nga rasti i videos Meta- Prifti, kësaj herë ekspertiza është zyrtare. Madje Arvizu thotë se janë siguruar që çdo vulë të jetë e rregullt dhe e siguruar disafish, që të mos thuhet se ekspertiza nuk ka qenë e rregullt. Arvizu: Të hetohet kush dha urdhër për të qëlluar. Gjeni më poshtë pjesë nga intervista e Arvizu.

Për vendimin për Metën

Nuk kam asnjë koment. Di që shumë njerëz kanë folur për këtë.

Ka qenë një kompani amerikane që është kontraktuar dhe ka ofruar ekspertizë dhe kjo provë nuk është pranuar nga gjykata. Jam shumë kurioz për hetimet e 21 janarit. Por shpresoj të mos jetë një precedent i gjerë që të mos pranohen ekspertizat e huaja.

 

PER 21 JANARIN

Përparësia më e madhe ka qenë që të mbështesim prokurorinë në hetime dhe kjo ka ndodhur. E di që njerëzit janë pak të frustruar pse ka zgjatur kaq shumë dhe ka arsye për këtë. Pas 21 janarit, që ka qenë një ditë e tmerrshme, ne u shprehim edhe njëherë ngushëllime anëtarëve të familjeve. Është e rëndësishme që të dallojmë përgjegjësinë për njerëzit që kanë organizuar dhe kanë ndërmarrë aktivitete të dhunshme. Berisha, kur u takova sot, ka shprehur frustrimin se komponenti që ka lidhje me organizatorët nuk ka bërë progres. Edhe Ina Rama është e frustruar për këtë, por ajo ka thënë se do bëjë përpjekjet e saj. Do kemi një raport ekzekutiv për gjetjet tona.

Meqenëse ky është përvjetori i parë dhe ne kthehemi e shohim pas, jo për të nënvlerësuar disa nga tensionet politike që ekzistojnë, por atmosfera krahasuar me një vit më parë është si nata me ditën. Më kujtohet vitin e kaluar njerëzit sikur e dinin që diçka e pakëndshme do ndodhte. Kështu që atmosfera është krejt e ndryshme. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Shumë njerëz janë lënduar. Por ajo që mbetet e njëjtë është se ka pasur persona që u mungojnë njerëz në tavolinat e tyre.

Për ekspertizën amerikane për 21 janarin

Po, ekspertiza ka mbërritur. Ka pasur kërkesa të ndryshme nga prokurorët. Nga ajo që unë kuptoj, është pjesa më domethënëse e asaj që është kërkuar nga FBI, kjo punë është përmbushur. Ndoshta mund të ketë disa shtojca që mund të ketë informacion shtesë. Por pjesa kryesore është kryer dhe përfunduar në fillim të janarit. Jam takuar me asistent drejtorin e FBI dhe vërtet e vlerësoj shumë që e kanë marrë përsipër këtë kërkesë. Ata kanë bërë më të mirën e mundur. Ndjesia ime është që prokurorët janë të kënaqur me bashkëpunimin. Dua të nënvizoj se ky është hetimi i Ina Ramës, por ne na është kërkuar që të ofrojmë ekspertizë ligjore dhe të gjithë në qeveri kanë deklaruar se e mbështesin këtë.

Për serverin e kryeministrisë

Është një pyetje spekulative, por më lejo të përgjigjem në këtë mënyrë. Ne gjithmonë, dhe po flas për serverin, ne gjithmonë kemi kërkuar që prokurorët të ndjekin çdo indice që zhvillohet. Kështu që ka pasur një zhvillim në këtë zonë, nëse ata kanë dorëzuar kërkesë për analizë ligjore, ne jemi përpjekur që të ndihmojmë me sa mundemi.

 

A do e pranojë mazhoranca ekspertizën e FBI?

Shpresoj që të ndodhë kështu se kjo ka qenë pritshmëria ime që nga fillimi. Më kujtohet që vjet ishte shumë e rëndësishme për mua që të merrja siguri nga kryeministri dhe qeveria që ata do bashkëpunojnë me hetimin. Ndjej se nuk ka pasur mbështetje nga disa persona sa duhet, por ajo që ka qenë e rëndësishme për mua është që qeveria të mirëpriste konkluzionet e hetimit. Nga Berisha kam marrë sigurinë që FBI është e paanshme, që nëse qëllimi është të shkojmë të e vërteta, kjo nuk është diçka partiake. Në këtë frymë ne shpresojmë që gjykata do të pranojë këto prova.

A i pranon gjykata shqiptare provat e FBI?

Nuk e di përgjigjen specifike të kësaj. Sa i përket gjykimit Meta- Prifti, e kemi ndjekur me interes të madh se ka qenë një kompani amerikane e përfshirë në vlerësimin e provave, por nuk ka qenë rol zyrtar. Por për 21 janarin ka një rol zyrtar dhe rezultatet janë nga laboratorët e FBI. E kemi bërë këtë me mbështetje diplomatike. Unë dhe kolegët e mi kemi qenë tejet të hollësishëm që çdo firmë e vulë të ishte autentike për çdo provë e ekspertizë. Ne duam të jemi trefish të sigurt se nuk do ketë boshllëk, të cilat nuk do pranoheshin nga gjykatat shqiptare.

Nëse nga provat, prokuroria bën arrestime, a do ketë rezistencë nga qeveria si një vit më parë?

Ky është një hetim shqiptar dhe ne po ofrojmë asistencë teknike e ligjore. Unë nuk jam një ekspert ligjor. Nga ajo që di është se prokurorët shqiptarë kanë zhvilluar rastin dhe kanë mbledhur provat. Nuk mendoj se amerikanët nuk kanë prodhuar diçka që shqiptarët nuk e kanë pasur, por ka prova më të gjëra.

Për mitingun e opozitës

Çdo ambasadë është e detyruar të këshillojë për potencialin e çdo tubimi. Më herët gjatë javës kemi nxjerrë informacion se do kishte disa ceremoni përkujtimore. Jam takuar me Ramën për drekë, kemi folur për shumë gjëra. Ai më shpjegoi atë që gjykonte të bënte PS dhe ka qenë konsistente me atë që kam dëgjuar.

Për kërcënimet e Berishës për opozitën

Berisha është shumë i qartë dhe kjo është ana pozitive. Në më shumë se një rast kam menduar se ndoshta mund të kishte shprehur të njëjtin mendim në mënyrë më të matur ose diplomatike. Mund të kishte qenë më i matur dhe të kishte përcjellë të njëjtin mesazh.

Për urdhrin për të qëlluar

Disa persona kanë dhënë urdhra gardës për të qëlluar dhe kjo duhet hetuar dhe kjo është arsyeja pse i kemi dhënë vëmendje kësaj. Kjo gjë ka ndodhur dhe nëse hetimi do të shkojë në mënyrën e duhur. Dikush ka qëlluar dhe ka vrarë katër persona, por ka rrethana të tjera, kështu që nëse hetimi do bëhet i plotë, çdo shqiptar do të thotë se është e mundur në këtë vend që drejtësia të përmbushet.

Për komisionin hetimor për 21 janarin

Ne kemi thënë që autoriteti i duhur për këtë hetim është prokuroria.

Për Edi Ramën

Do i përgjigjem kësaj pyetje në mënyrë të ndryshme. Unë dhe Rama pas një viti kemi një kuptim më të mirë dhe mendoj se zoti Rama ka një kuptim më të mirë për atë se si SHBA e shohin situatën.

Për Sali Berishën

Nuk mendoj se ka pasur një ndryshim material. Duhet të pyesni se si ndjehet ai. Por nuk mendoj se ka pasur një ndryshim. Ai ka qenë president më parë.

 

Për presidentin konsensual

E dija që do vinte kjo pyetje dhe nëse do thoja duhet zbatuar Kushtetutën, do thoni mbështet Berishën, nëse them ndryshe do thoni se u rreshtua me ambasadorët e tjerë. Unë sigurisht do shpresoja dhe prisja që do ketë njëfarë konsultimi mes mazhorancës dhe opozitës përsa i përket kandidatëve të ndryshëm për këtë pozitë të lartë. Jam ngurrues të përdor shembullin e Avokatit të Popullit. Problemi është se njerëzit kanë pritshmëri të ndryshme. Është e rëndësishëm që të ketë ndarje të pushtetit, por nuk mund të kesh aty një obstruksionist. Sepse duhet të jetë dikush që të punojë me qeverinë, por të jetë njëfarë pavarësie me të.

Për ardhjen e opozitës në pushtet

Fillimisht ka pasur persona nga opozita, të cilët kishin dyshime për mua. Gjithsecili ka të drejtë të ketë opinionet e tyre. Mendoj se opozita duhet të më emërojë personin e vitit, sepse nga fillimi jam përpjekur të këshilloj për forcimin e opozitës.

Unë nuk po sugjeroja rotacion dhe kërkoj ndjesë nëse ka pasur keqkuptim sepse kështu nuk funksionojnë demokracitë, ndryshe pse do ketë zgjedhje. Në teori megjithatë është mirë që të ketë rotacion. Por pala tjetër duhet ta meritojë.

Për intervistën e Xhon Uidhers

Xhon e do shumë. Por nuk bie dakord që ka shkuarje prapa këtu. Por mendoj se do ishte më mirë që përparimi është ngadalësuar në mënyrë dramatike dhe në disa raste po qëndron në vend.



Më shumë nga Politika

Të gjitha ›