E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Nuk është koha për provokime të mëtejshme

24/01/2011  Ambasadori Amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu, një ditë pas ngjarjes para kryeministrisë, i bëri thirrje dy palëve politike, që të heqin dorë nga provokimet e mëtejshme. “Më lejoni të filloj duke thënë që jam thellësisht i trishtuar dhe i shqetësuar që disa persona vdiqën gjatë trazirave të djeshme (të së premtes, shënim i red) . Dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të tyre. U trishtova gjithashtu kur mësova që shumë të tjerë – protestues, oficerë policie, dhe ndoshta kalimtarë të pafajshëm – u lënduan, disa prej tyre rëndë. Shpresoj vërtet që do të shërohen shpejt dhe plotësisht. Dita e djeshme ishte një ditë e tmerrshme për Shqipërinë. E di që shqiptarët anembanë vendit janë tejet të trazuar nga ngjarjet e djeshme. Të njëjtën gjë mund të them edhe për popullin e Shteteve të Bashkuara dhe tjetërkund, të cilët dëshirojnë më të mirën për Shqipërinë dhe popullin e saj shumë punëtor dhe që ka punuar aq shumë për të çuar përpara vendin gjatë 20 viteve të fundit. E djeshmja ka një të vërtetë të sigurt lidhur me ditën e djeshme dhe që është e rendësishme ta kuptojnë të gjithë. Nuk pati fitimtarë. Pati vetëm të humbur. Ishte një zmbrapsje dramatike të cilën vendi duhet ta kapërcejë. Dje bisedova me Kryeministrin Berisha, Kryebashkiakun Rama, Ministrin e Brendshëm Basha dhe Ministrin e Jashtëm Haxhinasto dhe ua përcolla këtë mesazh të dyve dhe i nxita të bëjnë çmos për të shmangur dhunë të mëtejshme. Është jashtëzakonisht për të ardhur keq që thirrjet tona që protestat e djeshme të ishin paqësore – thirrje që gjetën jehonë tek shumë njerëz si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj – nuk u dëgjuan. Siç e kemi thënë shumë herë, e drejta për t’u tubuar lirisht vjen me përgjegjësinë për të bërë gjithçka për t’u siguruar që të jetë paqësore. Dhuna së cilës i ishim dëshmitarë dje nuk ishte e nevojshme. As nuk ishte e pashmangshme. Mund të ishte shmangur. Duhet parandaluar që të mos ndodhë përsëri, për hir të të gjithë shqiptarëve. Disa kanë përshkruar si temë kryesore të demonstratave si protesta kundër korrupsionit të zyrtarëve. Askush nuk e vë në diskutim ndikimin gërryes të korrupsionit në Shqipëri. Duhet bërë përparim në luftën kundër korrupsionit në mënyrë që Shqipëria të realizojë potencialin e saj të plotë. Dhuna në rrugët e kryeqytetit apo tjetërkund në Shqipëri nuk do ta zgjidhë problemin e korrupsionit në Shqipëri. Në këtë moment, Shqipëria ka nevojë të dëshpëruar për udhëheqësi politike. Kemi nxitur vazhdimisht udhëheqësit politikë të Shqipërisë që të gjejnë rrugë për kompromis. Kur njëra palë – apo të dyja – këmbëngulin në pozicione maksimaliste që dihet që pala tjetër nuk mund t’i pranojë, më vjen keq, por ky nuk quhet kompromis. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve politike me anë të betejave në rrugë nuk është kompromis dhe nuk pasqyron aspiratat demokratike të Shqiptarëve. Është koha për të marrë frymë thellë, për të riparuar dëmet dhe të nisim procesin e rimëkëmbjes. Për ngjarjet e djeshme duhet të dalin përgjegjës, përfshi një hetim të besueshëm mbi mundësinë se ka pasur përdorim të tepërt të forcës. Megjithatë, i nxis njerëzit të mos hidhen në përfundime por përkundrazi t’u japin prokurorëve e të tjerëve kohë të mjaftueshme për të çuar deri në fund hetimet e tyre. Është koha për të hequr dorë nga provokime të mëtejshme. Është koha për t’i dhënë fund inkriminimeve dhe sharjeve të ndërsjella. Ka nevojë që të gjitha palët të tregojnë përmbajtje. Mbi të gjitha, është koha për t’i dhënë fund dhunës.

Marrë nga faqja zyrtare e ambasadës së SHBA në Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›