Kolegji Zgjedhor s’merr vendim, e shtyn për të premten në mesditë

-- Juristët: PS tërhoqi kërkesën për pavlefshmëri, Kolegji s’ka çfarë të shqyrtojë
-- Juristët shprehen se Kolegji Zgjedhor i Apelit duhet të lerë në fuqi vendimin e KQZ-së dhe për pasojë gara për Tiranën të konsiderohet e mbyllur, duke u shpallur fitues Lulzim Basha me 93 vota më shumë
Kolegji Zgjedhor i Apelit ka shtyrë përsëri vendimin për kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, duke lënë të premten në mesditë, si afatin përfundimtar të vendimmarrjes. Në padinë e tyre socialistët kërkojnë nga Kolegji që të urdhërojë KQZ-në të shqyrtojë kërkesën e bërë prej saj, ku kërkohet të shpallet i pavlefshëm vendimi që shpalli fitues kandidatin demokrat Lulzim Basha me 93 vota dhe të shpallë të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë.
Kjo ankesë, e paraqitur fillimisht nga socialistët në Komisionin Zgjedhor (28 qershor), nuk u pranua nga ky i fundit, me pretendimin se ky institucion nuk ishte kompetent për të vlerësuar këtë ankimim, si dhe për faktin se kërkesa ishte jashtë afatit ligjor treditor.
Gjatë seancës së sotme, trupa gjyqësore, me relatore Sashenka Jonuzi, pasi dëgjoi argumentet e palës paditëse (PS) dhe palëve të interesuara, PD dhe KQZ, vendosi të pranojë provat e paraqitura nga socialistët në lidhje me pretendimet e tyre për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë
Përfaqësuesi ligjor i PD, Ivi Kaso: Kolegji të rrëzojë padinë e PS, s’ka prova për pavlefshmërinë e zgjedhjeve
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike Ivi Kaso ka kërkuar sot nga Kolegji të rrëzojë kërkesën e Partisë Socialiste për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi në kryeqytet.
Duke folur në seancën e Kolegjit Kaso ka theksuar se nuk ka shkaqe që zgjedhjet të cilësohen të pavlefshme. Sipas tij beteja e Partisë Socialiste është për rezultatin e zgjedhjeve dhe jo për pavlefshmërinë e tyre. Ndërkohë në kërkesën e depozituar në 2 korrik, Partia Socialiste kërkon nga Kolegji që të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të marrë në shqyrtim kërkesën e bërë prej saj ku kërkohet të shpallet i pavlefshëm vendimi i cili shpalli fitues kandidatit demokrat Lulzim Basha me 93 vota.
Seanca e sotme e Kolegjit Zgjedhor
Për Partinë Demokratike socialistët janë jashtë afatit të padisë dhe afateve për pavlefshmëri. Pavlefshmëria sipas juristit Kaso, duhet të ishte kërkuar ditën e zgjedhjeve bazuar në dispozitat e Kodit Zgjedhor, ndaj ai i kërkoi trupit gjykues rrëzimin e kërkesës me objekt shtesë. Mbi të njëjtin argument ligjor u mbështet edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes drejtoreshën Juridike Dëshira Pasko. Pasi administroi provat e socialistëve, Gjykata vendosi të shprehet të premten për vendin lidhur me padinë e juristëve të selisë rozë. Por kush janë variantet mbi të cilat mund të shprehet të premten trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Sashenka Jonuzi? Në këtë rast juristët argumentojnë se gjykata mund të rrëzojë padinë e socialistëve, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së dhe për pasojë gara për Tiranën konsiderohet e mbyllur, duke u shpallur fitues Lulzim Basha me 93 vota më shumë. Ndërsa varianti i dytë sipas juristëve ka të bëjë me faktin se Kolegji mund të pranojë padinë e socialistëve dhe të urdhërojë KQZ-në që të shqyrtojë kërkesën ankimore për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi në kryeqytet. Më pas socialistëve u lind e drejta për të ankimuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kolegjin Zgjedhor të Apelit. Dhe varianti i tretë sipas juristëve shkon përtej ligjit. Sipas tyre, Kolegji mund të pranojë shqyrtimin e shtesës së padisë së PS për të shqyrtuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë, por kjo në shkelje të hapur me ligjin.