E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çlirim Gjata: PS, gabim procedural me tërheqjen e padisë për pavlefshmëri, i hoqi Kolegjit mundësinë për shqyrtim të ankimimit

07-07-2011 / Gazeta 55

Eksperti i ligjit Çlirim Gjata analizon skenarët e mundshëm të përballjes në Kolegjin Zgjedhor të garës për Tiranën. Ai thotë se do të ishte antiligjore një vendimmarrje Kolegji, që do të rikthente çështjen sërish në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “KQZ ka thënë që kërkesa për pavlefshmëri është jashtë afatit dhe nuk mund ta shqyrtojmë. Ky është vendimi i KQZ-së dhe pikërisht kjo po shqyrtohet, jemi brenda afatit apo jemi jashtë afatit. Por ku qëndron problemi? Nëse Kolegji vendo të lerë në fuqi vendimin e KQZ-së, me argumentin se janë jashtë afatit, edhe logjika ime si jurist e thotë që janë jashtë afatit, qëndrim që e kam shprehur në vazhdimësi, pra nëse lë në fuqi vendimin e KQZ-së, gjërat janë të mbyllura dhe përfundon këtu kjo histori. Nëse Kolegji vendos që është brenda afatit ligjor dhe shfuqizon vendimin e KQZ-së, që nuk e ka marrë për shqyrtim, me ligj s’ka të drejtë t’ia kthejë KQZ-së”- u shpreh Gjata.
Këtë arsyetim, Gjata e shtron edhe në formën e një sfide publike për juristët, për të ofruar dispozitën ligjore që i mundëson Kolegjit të ndërmarrë një hap të tillë. “Le të dalë një jurist nga të gjitha fushat e drejtësisë, e njeh apo jo Kodin Zgjedhor, dhe të më japë dispozitën mbi bazën e të cilës mund të kthehet në KQZ. Vetëm kur KQZ-ja s’merr fare vendim, mund të shkoj në Kolegj dhe t’i them urdhëro KQZ-në të marrë një vendim dhe ajo e kthen dhe njëherazi e detyron KQZ-në që brenda 10 ditëve të marrë vendimin. Vetëm ky rast vlen. Por, duhet të kujtojmë që KQZ e ka marrë vendimin. Atëherë, nëse prishet ky vendim, nëse quhet i paligjshëm, s’mund t’i kthehet më KQZ-së, do ta shqyrtojë vetë Kolegji. Por çfarë do shqyrtojë Kolegji kur këta janë tërhequr nga pavlefshmëria? Pra, në të dyja rastet janë të humbur, si po u pranua, ashtu edhe po u rrëzua padia...se s’ka çfarë shqyrton. Kemi të bëjmë me një gabim procedural të Partisë Socialiste që kanë tërhequr kërkesën për pavlefshmëri. Ato duhet të bashkoheshin, se edhe po ta pranojë kërkesën Kolegji, ata s’kanë çfarë të shqyrtojnë. E vetmja mundësi ngelet që në mënyrë të paligjshme Kolegji t’ia kthejë KQZ-së. Por këtu do të kishim një shkelje të hapur të ligjit dhe Kushtetutës”- deklaroi më tej eksperti i ligjit, Gjata.
Por, a mund të ketë arsye ligjore që mund të çojnë Tiranën në rivotim për shkak të mos përputhjes së votave. “Dua t’i bëj një pyetje juristëve dhe avokatëve që e mbrojnë këtë variant: A ka gjasa që të mos ndodhin përsëri gabime të tilla, mos rakordime të tilla dhe rezultati të jetë përsëri i ngushtë? Absolutisht po! Sa herë do të bëjmë zgjedhje një ‘problem’ i tillë do jetë evident”- deklaroi Çlirim Gjata.      

Kur u tha hapur dhe qartë nga Partia Socialiste dhe media vizive e të shkruara se selia rozë u tërhoq nga kërkesa që Kolegji të shqyrtonte kërkesën për pavlefshmëri, sot në mënyrë të çuditshme Kolegji merr në konsideratë provat e ofruara nga selia rozë, siç do të ndodhte në rastin e gjykimit të një çështje në themel. Ekspertë e ligjit thonë se kjo vendimmarrje e Kolegjit, e cila konsideron provat e paraqitura nga PS, bie në kundërshtim me procedurën, pasi Kolegji ka marrë në shqyrtim një çështje të cilën nuk e kishte në objekt ankimimi. Ankimimi i sotëm i PS-së lidhej thjesht dhe vetëm me procedurën që ka ndjekur KQZ dhe nëse kërkesa e PS ishte apo jo në afat për t’u shqyrtuar nga ky Komision. Ky për ekspertët përbën rastin e dytë që Kolegji Zgjedhor në kundërshtim me procedurën merr në shqyrtim një çështje të cilën Partia Socialiste nuk ia ka kërkuar në ankimim dhe në fakt Partia Socialiste u tërhoq një ditë më parë nga shqyrtimi i çështjes së pavlefshmërisë prej Kolegjit Zgjedhor.   

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›