Arvizu: “Përdorimi politik i grevës së urisë s’është zgjidhje, të bëhen përpjekje për kontakte”
Ambasadori amerikan në Tiranë Alexander Arvizu, komenton situatën politike në Shqipëri, në ABCNews. “Marrja e Statusit kandidat nga ana e Shqipërisë është një hap i rëndësishëm përpara, plotësimi i tre kushteve të KE kërkon vullnet nga palët politike”, theksoi ai
Ambasadori amerikan në Tiranë Alexander Arvizu ka deklaruar se Shqipëria është në një moment sa delikat po aq pozitiv pasi i është dhënë statusi kandidat për në BE, pavarëisht sesi mund ta perifrazohet i kushtëzuar apo diçka tjetër, sidoqoftë duhet bërë më shumë.
“Marrja e Statusit kandidat nga ana e Shqipërisë është një hap i rëndësishëm përpara” deklaroi ambasadori Arvizu.
Në një prononcim për mediat, Ambasadori amerikan Arvizu u shpreh dhe në lidhje me grevën e urisë së disa ish të përndjekurve politik. Ndër të tjera ai theksoi se kjo është një “Çështje e ndjeshme për shumë shqiptarë, për mua dhe grevistët duhej të ishin vizituar nga të gjithë përfaqësuesit politikë. Vizita ime ishte humane”.
Ambasadori Arvizu sqaroi se “Ambasada ka pasur kontakte personale gjatë këtyre 3 javëve me grevistët dhe ka qenë në kontakte dhe me OJQ për këtë ngjarje. Më kanë thënë disa grevistë se janë frymëzuar nga slogani “Act Now” për këtë iniciativë të tyre, por SHBA-ja mendon se “Vepro Tani” nuk ka lidhje këtë mënyrë të grevës apo vetë sakrifikimin e tyre duke u ndjekur”.
Duke folur për aktet e të djegies dhe vetë djegies së grevistëve, ambasadori i SHBA-ve vlerësoi se “duhet të ketë një mënyrë më të mirë për të shprehur ankesat e tua sesa dhuna ndaj vetes”.
Gjithashtu ambasadori Alexander Arvizu nënvizoi se vizita e tij tek ambientet e grevës ishte për të dëgjuar kërkesat e tyre.
“Shkova te grevistët për t’i dëgjuar. Disa më thonë se janë kërkesa të drejta, ndërsa kanë mendimin është një teatër politik kjo, këtë s’mund ta di. Të lënduarit e vetes nuk është rruga e duhur. Ia thashë Ndrecës që kisha shpresuar të mos e bëjë këtë. T’i marrësh jetën vetës është një akt ekstrem, që i përkeqëson gjërat. Është një çështje e ndërlikuar”, nënvizoi ai.
Për karakterin e grevës ekonomike apo politike, ambasadori amerikan Arvizu ka thënë se “është e domosdoshme ta shikojmë grevën nga pikëpamja humaniste, pasi persona të cenueshëm të shoqërisë”.
Më pas kreu i diplomacisë amerikane në Tiranë u shpreh se ishte informuar rreth trajtimit të çështjes nga ana e ministrit Halimi dhe sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe i ka vlerësuar, por kërkoi që qeveria të ngrinte ura komunikimi me grevën , qoftë me përfaqësi zëvendësministrash apo shefa kabineti për të dëgjuar kërkesat e grevistëve.
Në gjykimin e ambasadorit, dialogu është zgjidhja e vetme e çështjes.
“Kjo u përket shqiptareve, SHBA mund të luajë rolin e një ure që të lartësohet komunikimi, dhe jo ndërmjetës i saj. Qeveria të bëjë një punë më të mirë, duke kontaktuar me njerëzit që kanë këto kërkesa”, deklaroi ai.
Sipas ambasadorit, pozita dhe opozita duhet të bëhen pjesë e zgjidhjen dhe jo e problemit. “Përdorimi politik i grevës nuk është zgjidhje. Si qeveria ashtu dhe opozita duhet të zhvillojnë kontakte me grevistët, për të gjetur zgjidhje. Në një shoqëri demokratike, njëri prej detyrimeve është të zhvillosh dialog, pavarësisht se me cilën palë”, vuri në dukje ambasadori.
Njëkohësisht në gjykimin e tij, është pikërisht kapërcimi i grevës do ta ndihmonte Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së.
“SHBA mbështet integrimin e Shqipërisë në BE dhe theksoj se plotësimi i tre kushteve të KE kërkon domosdoshmërish vullnet nga palët politike. Por njëkohësisht i mëshoj faktit se kapërcimi i grevës dhe zgjidhja e këtij problemi do ta ndihmonte Shqipërinë në rrugën drejt BE”, deklaroi ambasadori amerikan Alexander Arvizu.