E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: Rama-Meta të luftojnë krimin, Prokuroria të bashkëpunojë më shumë me Policinë

ELBASAN-Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ka zhvilluar sot një takim në formën e një tryeze të rrumbullakët me kreun e Bashkisë Qazim Sejdini, OJQ që ushtrojnë aktivitet në Elbasan, ku është diskutuar parandalimi i trafikimit të qenieve njerëzore.

Ambasadori Amerikan i akredituar në Tiranë Aleksandër Arvizu e nisi fjalën e tij rreth trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri, duke e cilësuar trafikimin e personave si një krim të tmerrshëm që ekziston kudo në botë. 

Arvizu duke iu referuar dhe ngjarjeve më të fundit në vend, theksoi se ka marrë mbështetjen e kryetarit të PS-së Edi Rama dhe kreut të LSI-së Ilir Meta se qeveria e re do të bëjë maksimumin kundër trafikimit të qenieve njerëzore teksa beri apel për bashkëpunim me të madh mes Prokurorisë dhe Policisë.

“Ndonëse është bërë përparim, përsëri sipas vlerësimit tonë është vënë re që ka pasur rënie performancë nga ana e qeverisë shqiptare nga ana e trafikimit, dhe rezultati praktik i saj ka qenë që Shqipëria ka lëvizur poshtë në shkallë në atë që quhet lista e dështimit të Grupit 2. Në komunikimet tona me Ramën, dhe Metën, dhe disa aktorë të tjerë kemi folur që qeveria e re duhet ta ketë një nga gjërat që duhet të marrë parasysh, ndërsa do të fuqizohen ndihmat që do të ofrohen. Ka njerëz të përkushtuar në Polici të cilët i kuptojnë ligjet dhe përpiqen të bëjnë punë të mirë. Dhe e njëjta gjë mund të thuhet për prokurorinë, problemi është se ata nuk punojnë së bashku, dhe ndonjëherë kam përshtypjen se ato po përpiqen të mos punojnë së bashku. Kjo do të jetë në fakt përparësia e qeverisë së SHBA me administratën e re këtu. U kënaqa kur pashë kur presidenti organizoi një takim me të ashtuquajturat institucione të pavarura, dhe qartazi guri i themelit të demokracisë është kur institucionet të mund të veprojnë të pavarura. Por mesazhi që duhet të përcillet është që policia dhe prokurorët duhet të punojnë së bashku pasi performanca juaj matet në fakt me se sa mirë ju do të punoni së bashku. Për këtë arsye ka nevojë që të ketë arrestime më të suksesshme, ndjekje penale, gjithashtu edhe dënime të fajtorëve. Qofshin këto çështje korruptive, raste të pandëshkushmërisë ose raste kriminale që meritojnë të ndëshkohen. Kjo është ajo që qytetarët e Shqipërisë kërkojnë dhe kjo është ajo që ata meritojnë”, theksoi Arvizu. 

Ky takim u realizua në kuadër të një projekti të financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit nën kujdesin e ambasadorit Arvizu. Kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini vlerësoi bashkëpunimin me organizatën e Kombeve të Bashkuara IOM ( Organizata Ndërkombëtare e Migrimit), që ka marrë një grant prej 500 mijë dollarësh nga Departamenti Amerikan i Shtetit për këtë projekt.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›