E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: SHBA mbështet heqjen e imunitetit, por duhet shoqëruar me hapa të tjerë për reformën në drejtësi

Share

Ambasadori amerikan përkrah opozitën që të ketë një reformë kushtetuese për drejtësinë në vend. Ai thotë se këto diskutime mund të zhvillohen në shtator ose tetor, kurse për imunitetin mbron idenë që të votohet në gusht. Arvizu mbështeti sërish draftin për imunitetet, por tha se ai mund të plotësohet me rekomandimet që dhanë ekspertët ndërkombëtarë të shtunën. Arvizu tha se nuk është e vërtetë se korrupsioni luftohet vetëm me heqjen e imunitetit

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, takoi kryetarin e PS, Edi Rama, me të cilin diskutoi për çështjen e heqjes së imunitetit. Pas takimit, ambasadori lexoi një deklaratë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë çështje. Ai tha se SHBA mbështet heqjen e imunitetit, por njësoj siç pretendon opozita, ky hap duhet shoqëruar me hapa të tjerë për reformën në drejtësi.

Pjesa më e madhe e diskutimeve me Ramën ishte rreth ligjit të imuniteteve. Do të doja të theksoja nja dy pika që SHBA mendojnë për këtë çështje.

SHBA ka bërë avokati gjithmonë për heqjen e imunitetit për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar që zyrtarët japin llogari përpara drejtësisë.

Ne gjithashtu besojmë se heqja e imunitetit është vetëm një hap. Duhet të ndërmerren edhe hapa të tjerë për të penguar ndërhyrjet e politikës në gjyqësor, tha Arvizu.

Ambasadori amerikan tha se drafti aktual i PD-së për heqjen e imunitetit është i mirë, por ai mund të plotësohet me disa rekomandime që dhanë të shtunën përfaqësuesit e EURALIUS dhe PACA.

Përsa i përket kohës për të ndërmarrë këto masa, ajo është e mjaftueshme, por mbetet në duart e shqiptarëve.

Përsa i përket draftit që po diskutohet, ato bazohen në një themel të përcaktuar mbi rekomandimet e EURALIUS dhe PACA.

Gjithashtu më ka bërë shumë përshtypje diskutimi i hapur dhe publik me ekspertët. Këtu janë përfshirë këndvështrime të ndryshme për draftin. Ndonëse SHBA nuk kishte përfaqësues zyrtarisht, ne i mbështesim deklaratat dhe qëndrimet e shprehura ditën e shtunë, tha Arvizu.

I pyetur për votën e PS më gjashtë gusht, Arvizu tha: Lidhur me pozicionin që do mbajë PS, duhet të pyesni zotin Rama. Do të thosha që SHBA mbështet heqjen e imuniteteve me të cilat është abuzuar gjerësisht në të shkuarën. Heqja e imuniteteve është vetëm një hap. Janë tejet kritike hapat e tjerë që mund të parandalojnë abuzimin me pushtetin.

Ambasadori amerikan tha se çështjet e tjera që lidhen me reformën në drejtësi mund të shqyrtohen edhe në shtator ose tetor.

Ai iu përgjigj edhe qëndrimeve të mazhorancës se heqja e imunitetit është vendimtare në luftën ndaj korrupsionit.

Qartazi çështjet më të gjera nuk mund të shqyrtohen gjatë gushtit, por nuk shoh pse këto çështje të mos trajtohen gjatë shtatorit dhe tetorit.

Nëse thjesht do kaloheshin vetëm disa amendime për heqjen e imunitetit, do mendohej se do luftohej korrupsioni me to, por nuk është kështu, tha Arvizu.

I pyetur nëse do vinte bast kësaj here, siç ka bërë me reformën zgjedhore, Arvizu tha: Kam nxënë mësim. Nuk do vë më baste. Përsa i përket gjashtë gushtit, do të theksoja atë që sapo thashë që drafti fillestar është bazuar në një themel të shëndoshë. Nëse disa prej këtyre ideve të dhëna nga ekspertët ndërkombëtarë mund të përfshihen në një draft të rishqyrtuar, kjo do ishte shumë mirë.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›