Rama flet për kufizim imuniteti dhe kërkon reformë të plotë kushtetuese, jo vetëm për heqjen e imunitetit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, foli për mediat pas takimit me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Rama tha se socialistët janë për një reformë të plotë kushtetuese, jo vetëm për arnime në gusht për çështjen e imunitetit. Në këtë mënyrë Rama mbron qëndrimin e PS që të ketë një diskutim të gjerë për çështjen e ndryshimeve në Kushtetutë, në kuadër të një reforme të gjerë për drejtësinë.
Çështja e ndryshimeve kushtetuese imponon një proces që opozita do ta zhvillojë me përgjegjshmëri të plotë.
Ne nuk kemi vendosur kushte dhe as nuk bëjmë pazar me këtë proces. Ne kemi paraqitur një vizion, të bindur se vendit i duhet një reformë kushtetuese në funksion të forcimit të institucioneve të drejtësisë dhe arritjes së efektshmërisë në luftën kundër korrupsionit. Jemi të gjithë dëshmitarë se korrupsioni është ulur këmbëkryq dhe i ka rrënjët në tryezën e qeverisë. Jemi të gjithë dëshmitarë se sa herë çështje të një rëndësie madhore, që kanë pasur të bëjnë me korrupsionin, kanë shkuar në gjykatë, imuniteti nuk ka qenë pengesë dhe as heqja e tij nuk ka garantuar një proces të drejtë, tha Rama.
PS është absolutisht për kufizimin e imunitetit. Është qëndrim ynë i kahershëm. Por PS nuk do të arnojë Kushtetutën në gusht e më pas të bëjë diskutime të tjera në shtator. Ne duam një diskutim të plotë dhe më pas secila palë voton ose nuk voton.
Ky është një moment për ti dhënë një shans të ri e të fuqishëm statusit të kandidatit për Shqipërinë duke u treguar miqve e partnerëve se jemi të gatshëm të bëjmë reforma reale.
