E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: Sërish them se veprimi i Berishës me 22 janar, ka qenë veprim prej burri shteti

08-04-2011 / Gazeta 55

Gjatë një interviste për Top Channel, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, rikonfirmon vlerësimet amerikane për qëndrimet prej burri shteti të kryeministrit Berisha gjatë 21 janarit dhe ditëve më pas, por edhe përsërit lavdërimet për sjelljen institucionale të efektivave të Policisë së Shtetit gjatë protestës së dhunshme para dyerve të kryeministrisë

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, gjatë një interviste të mbrëmshme në Top Channel, u shpreh gjerësisht për problematikën që solli 21 janarin, për menaxhimin e asaj date, por edhe për pritshmëritë e zgjedhjeve vendore të 8 majit. Ambasadori Arvizu tregoi për momentin e vështirë të pas ngjarjeve të 21 janarit si dhe për bisedimet e vështira që kishte patur me të dy liderët politikë lidhur me anulimin e manifestimeve të parashikuara, që mund të prodhonin destabilitet, dhe rikonfirmoi se i qëndronte pikë për pikë frazës që kishte thënë se vendimi i kryeministrit Sali Berisha për shtyrjen e mitingut të Partisë Demokratike, kishte qenë “një vendim prej një burri shteti... I rri fjalës që kam thënë...do ta thoja të njëjtën gjë sot” tha ambasadori Arvizu.
Duke vijuar analizimin e të njëjtës problematikë, ambasadori Arvizu ritheksoi qëndrimin se policia kishte qëndruar fort më 21 janar dhe se ndërkombëtarët dhe opinioni publik s’e kishin shprehur dot sa duhet vlerësimin e saj ndaj kontributit që kishin dhënë efektivat blu. “Më lejoni t’u shpjegoj, tha në intervistën televizive ambasadori Arvizu; nëse flasim për policinë, bëhet fjalë për vizitën në Ministrinë e Brendshme, kur folëm për ICITAP-in. Ka qenë një raport i hartuar nga një agjenci pjesë e departamentit të drejtësisë. Ka qenë përshtypja jonë për planin operacional se forcat e policisë kishin hartuar në plan të shkëlqyer operacional për protestën, e cila siç e dini u kthye shumë e dhunshme. Dhe që nga fillimi e deri në mes të demonstratës, efektivat e policisë vepruan në bazë të planit që ishte skicuar. Edhe sot mendoj se Policisë së Shtetit shqiptar nuk i është dhënë mjaftueshëm vlerësimi për atë çka ajo bëri në fazat e para të protestës, e cila siç e dini ka qenë shumë e dhunshme, kuptohet nga një kontingjent protestuesish...”.
Duke u ndalur tek keqkuptimet që ishin krijuar nga takimet e shpeshta që ambasadori kishte patur me disa personalitete të institucioneve tona, apo për keqkuptimet që kishin lindur nga disa deklarata, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të 8 majit, ambasadori amerikan e ka shpjeguar me një ndodhi që i kishte ndodhur atij, gjatë vizitës së fundit në Tiranë të zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Tomas Cantrimen. “Kur ishte Cantrimen këtu javën e shkuar, tha ambasadori Arvizu, patëm shumë ftesa për darkë. Por duke qëndruar në mjediset e ambasadës, në mbrëmje thamë: pse të mos shkojmë të hamë diçka diku? Dhe kështu bëmë, shkuam tek Taivani. Rrugës, vura re një grua të re që po mbante një bebe në krah dhe u nisa për ta përshëndetur... Natyrisht, edhe ekipi im i sigurisë u kthye për të më ndjekur, dhe Tomas Cantrimen, që më priste tek dera e restorantit, kur u ktheva, më tha: “Mos po hedh kandidaturën për kryetar bashkie?”. Ia ktheva me shaka: “Nga e di që s’do të fitoj?”. E njëjta logjikë ishte edhe ditën kur takova efektivat e policisë, teksa po vizitoja Galerinë Kombëtare të Arteve. Kjo është natyra ime...

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu vlerëson masat e marra nga prefektura dhe bashkia e Shkodrës për zgjedhjet e muajit të ardhshëm

“Përgatitjet për 8 majin po ecin në rrugën e duhur”

“Të dyja kampet politike kanë bërë një punë cilësore për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit”. Ky ka qenë vlerësimi që ka dhënë dje ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, gjatë një vizite të zhvilluar në qytetin e Shkodrës. Diplomati amerikan u prit në takim nga kryetari i bashkisë së Shkodrës Lorenc Luka dhe prefekti Maxhid Cungu, të cilët Arvizu i përgëzoi për përgatitjet e marra deri më tani në kuadër të zgjedhjeve vendore. “Të dyja kampet kanë bërë një punë të mirë. Kam takuar kandidatë për kryetar bashkie të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në shumë rrethe. Jam i kënaqur nga puna që kanë bërë të dyja kampet pasi i kam vëzhguar nga afër”, u shpreh Arvizu.
Ai vuri në dukje se zgjedhjet kanë dhe karakterin e tyre politik, ku do të shihet impakti që ato do të kenë në rang kombëtar. “Disa njerëz pyesin se si mendojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse ky është një referendum kombëtar apo thjesht çështje vendore dhe përgjigja ime ka qenë se çfarëdolloj zgjedhje të zhvillohet do të ketë një impakt kombëtar. Mua më duket se qytetarët kanë të njëjtën pyetje kudo që janë në Shkodër, Vlorë, Sarandë apo Tiranë: dhe ajo është: Çfarë do të bëni për mua, që të jetoj në këtë qytet. Mendoj që ky është mesazhi më i rëndësishëm dhe mendoj që kandidatët do të bënin një punë më të mirë nëse do të shpjegonin se çfarë do të bëjnë ose çfarë do të vazhdojnë të bëjnë ndërsa kërkojnë të kenë sukses”, deklaroi ambasadori Arvizu.
Gjithashtu, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu vlerësoi se falë punës së kryebashkiakut Lorenc Luka qyteti Shkodrës ka pësuar një ndryshim të madh. Ai nënvizoi se ishte hera e tij e dytë që vizitonte qytetin e Shkodrën. “Kjo vizita ime e dytë në Shkodër. Po shoh ndryshim të madh falë punë së bashkisë, të bërë nga zoti Lorenc Luka”, tha Arvizu.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›