Basha: Nuk kandidoj në PD, katër projektet e para për Tiranën
Kreu i bashkisë prezantoi dje disa nga projektet më të mëdha për kryeqytetin: bulevardi i ri nga Stacioni i Trenit deri te lumi i Lanës, stacion të ri treni dhe autobusësh në Laprakë dhe aks në gjithë gjatësinë e lumit të Tiranës. Sheshi “Skënderbej” do të hapet për makinat më 15 nëntor
15 nëntorin si datë të rikthimit të trafikut në shesh
Ju po thoni që projekti i aprovuar i sheshit “Skënderbej” do të ndryshojë?
Projekti nuk është i aprovuar, për këtë arsye projekti nuk u aprovua dhe prandaj prefekti dhe qeveria insistuan duke kundërshtuar.
Po financimi i deritanishëm…
Financimi i deritanishëm do të ruhet dhe asnjë euro e hedhur deri më tani nuk shkon dëm, sepse punimet e kryera deri më tani janë nëntokësore, kryesisht në ripërtëritjen e infrastrukturës nëntokësore dhe punime të tjera të cilat nuk shkojnë dëm. Pra, paratë e hedhura deri më tani nuk shkojnë dëm.
Pra, jeni i sigurt që asnjë nga paratë e hedhura deri më tani nuk shkon dëm?
Sapo ua thashë dhe besoj se një herë fjala e kryetarit të bashkisë mjafton. Së dyti, është trajtimi i projektit të sheshit në kuadrin e zgjidhjes së problemeve dhe jo të krijimit të problemeve. Inxhinierëve do t’u lihet kohë të gjejnë zgjidhjen e duhur, të krijimit të tunelit apo të një zgjidhje tjetër brenda sheshit. Nevojën për të përshtatur lëvizjen jashtë sheshit dhe pastaj për të ardhur në konkluzionin nëse sheshi është i përshtatshëm për të ndaluar plotësisht trafikun e makinave dhe se ku duhet ndërhyrë; apo nuk është i përshtatshëm për këtë ndërhyrje dhe në këtë kuadër sheshi duhet të rikonceptohet në një mënyrë tjetër.
Kush po e studion?
Të njëjtët inxhinierë që ishin dhe më parë dhe të njëjtat firma konsulente. Ndërkohë që trafiku do të kthehet në sheshin “Skëndërbej” sipas një skeme të hartuar nga ekspertët më të mirë të trafikut dhe pjesët e tjera të sheshit do të rehabilitohen, në mënyrë që në periudhën mes arritjes së përfundimeve finale për të ardhmen e sheshit dhe të sotmes qytetarët të mos përballen as me stresin e trafikut dhe as me pamjen.
Kur do hapet sheshi për trafikun?
Punimet kanë nisur me intensitet të plotë dhe plani i punës parashikon përfundimin e fazës së asfaltimit brenda dyjavëshit të parë të nëntorit. Paralelisht po ecet dhe me punën estetikës, gjelbërimin. Afati që unë u kam dhënë është 31 tetori, por duke marrë parasysh dhe kontigjencat, kështu që unë po përmend 15 nëntorin si datë të rikthimit të trafikut në shesh.
Po me pjesën tjetër të bulevardit Zogu i Zi, ç’do të bëhet?
Ne kemi finalizuar detyrën e projektimit për këtë aks të ri të qytetit, i cili përbëhet nga bulevardi i ri, stacioni i Trenit-lumi i Tiranës, afër 1.8 km. Vetë lumi i Tiranës në hapësirën mes urës së Brarit dhe urrës së Kamzës dhe më tej zgjatimi nga lumi i Tiranës deri në rezervuarin e Paskuqanit, ku ne planifikojmë të materializojmë një park të dytë të Tiranës. Pra, një mushkri të dytë për qytetarët e Tiranës.
Pse do i duhet ky bulevard kaq i gjerë dhe kaq i gjatë qytetit?
Sepse qyteti në 20 vitet e fundit është zhvilluar me shpejtësi shumë më të mëdha sesa është zhvilluar në 50 vitet pararendëse. Tirana ka më shumë se 700 mijë banorë rezidentë dhe afër 1 milion bashkë me ata që hyjnë e dalin çdo ditë.
Bulevardi do të ndërtohet nga investitorë apo nga bashkia?
Ne aktualisht jemi duke kontaktuar me 3 institucione financiare për të financuar këtë pjesë të qytetit, bulevardin e ri, Unazën e madhe dhe rikualifikimin urban të lumit të Tiranës.
Sa kushton?
Nuk mund t’i themi gjërat afrofe. Po bëhet një projekt, ka mbaruar detyra e projektimit për një konkurs ndërkombëtar, ku do të jenë të pranishëm firmat më të mëdha të arkitekturës botërore. Le të vijmë te gjurma e këtij aksi, pasi parashikohet lëvizja e stacionit të trenit dhe i gjithë aksi deri në përfundim të shinave të trenit do të luajë dy funksione. Së pari do të jetë shtrati, edhe për shkak se është një vijim i bulevardit, do të jetë shtrati ku do të zhvillohet zhvillimi i bulevardit..
Pra, mbi shinat aktuale të trenit do të ndërtohet bulevardi?
Mbi vendndodhjen aktuale, që është pak a shumë aksi i bulevardit dhe po kështu në këtë pjesë do të projektohet dhe një nga linjat e tramit me pikënisjen në Laprakë, aty ku do të vendoset dhe stacioni i ri hekurudhor dhe terminali i autobusëve të Tiranës. Në këtë zonë, pronë deri para pak ditësh e Ministrisë së Financave për të ndërtuar Doganën e Re të Tiranës, fatmirësisht do të nisë një investim i përbashkët i Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë për terminalin e ri të pasagjerëve për autobusët e veriut, perëndimit dhe të jugut.
Do të jetë fushë e hapur?
Do të jetë një terminal i parametrave modernë, për të cilin do të kërkojmë edhe bashkëpunimin e sektorit privat. Do të përdorim një skemë të investimit nga Bashkia, si investitor si pronar i truallit, natyrisht edhe nga Hekurudha Shqiptare dhe nga sektori privat, për të krijuar kushte më komode për pasagjerët që vijnë dhe ikin nga Tirana.
Nuk besoj se ju keni gjetur “Llambën e Aladinit”. Të ndërtosh një terminal të ri, bulevard të Ri, Unazën e re, aks në gjithë gjatësinë e lumit të Tiranës kërkon të paktën me qindra milionë euro…
Të jeni të sigurt që këto projekte kanë një vlerë financiare tërësisht të përballueshme nga buxheti dhe instrumentet e tjera financiare të Bashkisë së Tiranës në partneritet me qeverinë qendrore. Dhe të jeni të sigurt që, ashtu si në projektet e tjera për të cilat kam folur nga detyra të tjera, edhe tani unë i mbështes të gjitha projeksionet e mia mbi realizëm.
Ku do t’i gjeni të ardhurat?
Ju nuk duhet t’i shikoni këto si harxhime, por si investime. Harxhimi i parave është një koncept i cunguar në qoftë se ju flisni për investime, sepse me të vërtetë në fazën e parë hidhen para për të ndërtuar, po ajo çka ndërtohet sjell një vlerë të shumëfishtë në ekonomi. Dhe kjo është arsyeja pse instrumentet financiare të ndërtimit, që nga Bankat e zhvillimit, që nga bonot e zhvillimit, mjetet e drejtpërdrejta buxhetore, vazhdojnë të investojnë. Askush nuk investon projekte infrastrukture, apo kush bën kështu e ka gabim, për qëllime thjesht sociale, por investohet sepse investimet në infrastrukturë sjellin në mënyrë të përsëritur dhe të shumëfishtë përfitime për ekonominë. Në qoftë se një bankë investon për një rrugë të re, e ka të garantuar që si rezultat i kësaj rruge të re ekonomia do të rritet dhe të ardhurat e investitorit do të rriten për investitorin që ta paguajë kredinë.
Mos më thoni që trami do të ketë këtë formë?
Ajo që mund t’ju them është që Tirana do të ketë tram dhe që ne brenda dy javësh përfundojmë detyrën e projektimit për punimet civile të tramit.
Ku do të shtrihet?
Brenda dy javësh ne do të shpallim përpara tregut të konsulentëve botërorë kërkesën tonë për të nisur projektin e ndërtimit të linjës së shinave të tramit dhe të linjës elektrike që do ta furnizojë.
Ku do të jetë gjurma e tramit?
Gjurma e sipërme është ajo që lidh stacionin e ri të trenit dhe të autobusëve urbanë dhe interurbanë, me pikëtakimin e kësaj gjurme në bulevardin e ri. Fillon nga bulevardi i ri deri në sheshin “Nënë Tereza” dhe natyrisht mund edhe të mos mbarojë deri aty. Kjo do të jetë objekt diskutimi nga inxhinierët, ndërsa tjetra është linja e premtuar Kinostudio-Kombinat dhe përveç kësaj ajo që do të studiohet është një linjë trami rretheqark Unazës ekzistuese.
Sa kushtojnë 3 linja trami?
Ju e keni mendjen vetëm te kostot, unë e kam mendjen te përfitimet. Por meqë pyesni, unë ju them që ne po kërkojmë të projektojmë një linjë trami, punime civile, që të jetë plotësisht e përballueshme nga mjetet tona financiare dhe aftësitë tona huamarrëse dhe që të gjenerojë interesat e mjaftueshme që sektori privat, koncesionarët, për ta marrë në operim dhe për ta operuar. Ndërtimi i punimeve civile do të jetë nga bashkia, ndërsa operimi i tij është i hapur për formulë koncesionare.
Keni premtim nga zoti Berisha për financim në këto projekte?
Kam angazhimin e plotë të institucionit qeverisës për të mbështetur projektet e Bashkisë së Tiranës. Kjo mbështetje do të jetë parimore, në kuptimin që do të investohet në çdo projekt zhvillimor të Tiranës, siç është edhe trami i Tiranës.
Të transferosh stacionin e trenit, të ndërtosh të gjitha këto, ju mendoni se mund të bëhen brenda një mandati?
Jo. Unë besoj se Unaza e madhe është një projekt që do të kërkojë më shumë se një mandat.
Pse nuk lini një vend dhe për parlamentin e ri?
Sepse ka një vendim në fuqi, të cilin unë jam i detyruar ta respektoj.
Po që ju pëlqen apo jo?
Mendimet e mia për këtë çështje unë i kam shprehur qartë, por po kështu kam shprehur qartë edhe pikëpamjen time, se nuk ka gjë më të dëmshme se të shprehësh apo të ngrihesh kundër shtetit ligjor dhe parametrave të shtetit ligjor, kur je kryetar bashkie.