Arvizu apel politikës: Siguroni zgjedhje të lira e të ndershme

Ambasadori prezantoi mbështetjen e SHBA për zgjedhjet e 23 qershorit
Bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje. Janë dy fjalët kyçe të formulës së ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, për të zhvilluar zgjedhje demokratike. Një objektiv që sipas kryediplomatit të SHBA në Tiranë, nuk duhet çuar dëm.
“Nëse zgjedhjet e 23 qershorit do jenë të suksesshme kjo do varet prej jush dhe drejtuesve tuaj. Në janar shkrova një editorial për zgjedhjet e ardhshme, sot jam i bindur se një proces zgjedhor është i arritshëm prej jush. Por në mënyrë që kjo të shndërrohet në realitet i kthehem kushteve të kompromisit dhe gjithëpërfshirës. Partitë politike kanë rol të rëndësishëm në ndërtimin e proceseve demokratike. Gjithashtu qeveria ka detyrimin të zhvillojë zgjedhje transparente në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, ajo është zotuar se do realizojë zgjedhje të lira dhe ne e nxisim ti realizojë. Nëse zgjedhjet zhvillohen në mënyrë të hapur dhe transparente, do rritet besimi i qytetarëve shqiptar tek rezultati”, vuri në dukje Arvizu.
Gjatë aktivitetit kushtuar ndihmës amerikane për procesin zgjedhor, kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, kritikoi forcat politike për presionet që ushtrojnë ndaj Komisionit.
Ndërsa n/kryetari Denar Biba garantoi edhe në emër të anëtarëve të tjerë të KQZ se fryma e bashkëpunimit nuk do të mungojë. Sipas tij, mbetet ende shumë punë për të bërë për të arritur standartet e zgjedhjeve perëndimore.
SHBA do të shpenzojë mbi 1 mln $ për të ndihmuar zgjedhjet ardhshme parlamentare. Ambasadori Arvizu, shpjegoi kjo shumë do të ndahet në 3 fusha: ndihmë teknike për KQZ-në, ndihmë për komisionerët vendore dhe mbështetje për shoqërinë civile.