Arvizu i përgjigjet kritikëve: KQZ-ja, nuk kam asnjë axhendë personale
Elbasan- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu i ka dhënë për gjigje nga qyteti i Elbasanit të gjitha kritikave të bëra në adresë të tij, në lidhje me ekzistencën e një axhende personale.
Zoti Arvizu ka theksuar në fjalën e tij për të gjithë ata që nuk kanë pëlqyer qëndrimet e njëpasnjëshme të tij në lidhje me situatën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, se ka ardhur në Shqipëri pas një betimi të bërë para Presidentit të Amerikës.
Kështu ai ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet që i janë adresuar atij në mënyrë indirekte.
“Dëshiroj të nënvizoj faktin se 3 vite më parë unë kam bërë të njëjtin betim kur u emërova nga Shtëpia e Bardhë si ambasador në Shqipëri dhe mora konfirmimin nga senati si i dërguari personal i presidentit në Shqipëri. Eshtë i njëjti betim.Gjatë zgjedhjeve keni për dëgjuar se dikush ka një axhendë personale. Nuk ka asnjë axhendë personale. Unë nuk e kam një të tillë sikurse edhe këta amerikanë të mrekullueshën s’kanë një të tillë.Ne jemi këtu me një qëllim të vetëm të prezantojmë vendin tonë me mundësitë tona më të mira.Vetëm ky është përkushtimi ynë dhe premtimi për secilin dhe gjithsecilin prej jush”, tha Arvizu.
Ambasadori Arvizu i ka bërë këto deklarata nga qyteti i Elbasanit ku ka qenë i pranishëm në ceremoninë e betimit të Korpusit të Paqes.
34 vullnetarë të Korpusit Amerikan të Paqes bënë betimin zyrtar pas përfundimit të trajnimit.
Nesër ata do të nisin të punojnë pranë bashkive, organizatave komunitare, shkollave dhe qendrave shëndetësore në të gjithe vendin.
Korpusi i Paqes ka si synim të promovojë mirëkuptimin ndërkulturor midis amerikanëve dhe popujve të tjerë si dhe të kontribuojë në nevojat për zhvillim të vendeve pritëse.