E Shtunë, 31 Tetor 2026

3 Ligjet sot në Kuvend, ndërpritet seanca e jashtëzakonshme me kërkesë të PS

TIRANE- Kuvendi i Shqipërisë nisi seancën plenare të jashtëzakonshme, rreth orës 11:20 ( më vonë se ora e paralajmëruar 10:30). Parlamenti nëseancën e sotme krahas tre ligjeve të integrimit ka vendosur në axhendë edhe ligjin për amnistinë fiskale, kërkesë kjo e përsëritur vazhdimisht nga komuniteti si një domosdoshmëri për çlirimin e eknomisë në kushtet e rritjes së presionit të krizës ekonomike globale. 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në nisje të seancës tha se kryeministri Sali Berisha ka zbatuar të drejtën e tij Kushtetuese për të thirrur Kuvendin. “Tre ligjet kanë qenë në rendin e ditës çdo ditë për t’u votuar”, tha Topalli. 

Pas hapjes së seancës nga Topalli dhe leximit të rendit të ditës, në emër të grupit socialist, deputeti Arben Ahmetaj tha se dy pr/ligjet ai "Për Gjykatën e Lartë" dhe p/ligji "Për nëpunësin civil", duhet të kalojmë vetëm për votim, pa iu nënshtruar diskutimeve. 

"Këto dy p/ligje duhe të kalojnë vetëm për votim dhe kjo është e konfirmuar edhe në rendin e ditës. Kjo do të thotë që për të shprehur vullnetin duhet të kishte nga një diskutim për secilin grup parlamentar, ndërsa për rregulloren e parlamentit mund të regjistrohen emra të tjer", tha deputeti Ahmetaj.

Ndërkohë, deputeti Taulant Balla kërkoi që seanca të shtyhej 10 minuta : “Kërkoj 10 minuta pushim për një mbledhje të grupit të PS”.

Seancën plenare po e ndjek me vëmendje edhe kreu i prezencës së BE-së në Tiranë, Ettore Sequi.

Qeveria shqiptare ka bërë të ditur në një njoftim zyrtar se kryeministri i ka kërkuar zyrtarisht Parlamentit të mbledhë Kuvendin në një seancë të jashtëzakonshme të enjten, ku përveç tre ligjeve të ashtuquajtura të integrimit, do të kërkojë miratimin e ligjit për amnistinë fiskale.

Për këtë seancë, e thirrur me kërkesë të Kryeministrit Sali Berisha, socialistët janë deklaruar se do të pranojnë votimin e tre drafteve nëse ato do të hyjnë në fuqi në shtator, ndërsa kanë kërkuar që kjo çështje të mos ngatërrohet me ligjin "Për amnistinë fiskale". 

NDERPRITET SEANCA, BALLA KERKOI MBLEDHJEN E GRUPIT TE PS
Ora 11:40-Ndërpritet seanca plenare pak minuta pasi ka nisur. Shkak është bërë një kërkesë e deputetit socialist Taulant Balla që kërkoi shtyrje të seancës. Balla tha se PS kërkon të mbledhë grupin parlamentar për të vendosur se cfarë vendimi do të marrin lidhur me 3 ligjet.

BRACE: SEANCA PO VONOHET, SKANDAL
Ora 11:00-Deputeti socialist Erjon Brace ka shkruar në Twitter se kjo vonesë që po ndodh për nisjen e seancës parlamentare, është skandaloze.
“Kjo që po ndodh me Kuvendin është skandal. Kanë një orë qe s’vijnë, as Topalli, as Berisha, as Bregu”, shkruan Brace. 
Ndërkohë që Brace shkruan këto deklarata në rrjete sociale, kryeministri Sali Berisha ishte duke kryer disa inaugurime në Tiranë, një projekt tek doganat, dhe në Kamëz, pallatin e Kulturës.

3 LIGJET DHE AMINISTIA SOT NE SEANCE TE JASHTEZAKONSHME
Qeveria shqiptare ka bërë të ditur në një njoftim zyrtar se kryeministri i ka kërkuar zyrtarisht Parlamentit të mbledhë Kuvendin në një seancë të jashtëzakonshme të enjten, ku përveç tre ligjeve të ashtuquajtura të integrimit, do të kërkojë miratimin e ligjit për amnistinë fiskale. Sipas sqarimit nga kryeministria, bëhet fjalë për një variant të miratuar nga qeveria në 23 mars 2011 dhe të paraqitur në Kuvend.

Në mars 2011, qeveria miratoi projektligjin "Për legalizimin e kapitalit, dhënien e amnistisë për disa vepra penale dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor". Qeveria paraqiti një variant, atë të amnistisë, e që nuk u arrit të miratohej për shkak të mosafrimit të konsensusit nga ana e opozitës. Në këto kushte ligji u modifikua duke u kthyer në një proces faljeje. 

Procesi i amnistisë totale, sipas draftit të atëhershëm, do të përfshinte legalizimin e kapitalit, faljen e pasurive të paluajtshme, të pahipotekuara deri tani, faljen e gjobave, kamatvonesave e gjithë detyrimet ndaj tatimeve dhe doganave. 

Sipas draftit të atëhershëm, në rrethin e subjekteve që përfitojnë nga procesi i legalizimit të kapitalit përfshihen: personat fizikë apo juridikë që deklarojnë, brenda kushteve të parashikuara nga ky ligj, shuma në të holla, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, dhe/apo diferenca pozitive që rezultojnë nga rivlerësimi i aseteve të parashikuara nga ky ligj e gjithashtu çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili brenda kushteve të parashikuara në këtë kre, deklaron shumën në të holla. 

Ndërkohë ligji për faljen parashikonte të faleshin vetëm gjobat dhe kamatëvonesat për detyrimet e papaguara në dogana dhe tatime. Për çdo gjobë ose kamatë të papaguar dhe që do të amnistohet, mund të vihet një përqindje, por sigurisht kjo lloj amnistie lë jashtë kapitalet.
Në atë kohë, në mungesë të bashkëpunimit të opozitës, Kuvendi miratoi variantin e dytë, atë të faljes, që ishte më e ngushtë, nuk kishte të gjithë spektrin e amnistimit. Varianti i pranuar nuk u prit mirë nga biznesi pasi sipas tyre kërkoheshin siguri për mos penalizim nga ana e adminsitratës tatimore pas deklarimit vullnetar nga ana e biznesit. Në këto kushte biznesi nuk u përfshi në këtë proces. I vetmi zë që njohu sukses ishte rivelerësimi i banesave. Edhe kjo pjesë e amnistisë pavarësisht se nga qeveria u deklarua si i suskeshsëm u rihap sërish në kohën kur shumë emigrantë pritet të kthehen dhe mund të për itojnë për të rivlerësuar banesat e tyre.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›