Mandatin e ardhshëm, rritje të pagave dhe pensioneve. 3-fishim të investimeve në bujqësi
Berisha bashkëbisedon me qytetarë te Ura Vajgurore, ofron zgjidhje për problemet e tyre
Projekti për ndërtimin e një sistemi modern vaditje, parësore mandatin e ardhshëm të qeverisë
“Edi Rama mohon origjinën nga Mbreshtati, shkon në Tropojë dhe u thotë se jam nga Gegyseni, shkon në Mirditë u thotë jam nga Proseku”
Kryeministri Sali Berisha është ndalur pasditen e djeshme në një bashkëbisedim me banorë të Urës Vajgurore në qarkun e Beratit. Shefi i qeverisë e ka përqëndruar të gjithë diskutimin e tij, në përgjigje të shqetësimeve të banorëve të kësaj zone, ku uji i pijshëm dhe legalizimet për 14 shtëpi ishin kryefjala e takimit. “Duhen disa veprime burokratike se trualli është në pronësinë e MM, do transferohet nga njëra Ministri në tjetrën, kam ngarkuar një këshilltar timin për ta ndjekur. Kjo cështje do ndiqet dhe do zgjidhet, kudo raste analoge i kemi zgjedhur. Në cdo rast që është e mundur ne do veprojmë. Problemi me ujin është një cështje shumë e rendësishme. Do ta shqyrtojmë menjëherë. Unë do coj specialistët ta zgjidhin, ju do merrni ujë të pastër”- deklaroi ai. Berisha ka premtuar se do ta shohë me seriozitet të madh edhe problemin e ndotjes së mjedisit nga guroret dhe furrat e gëlqeres, ku garantoi zbatimin e masave të rrepta për funksionimin e tyre si dhe reabilitim të zonave të shkëmbëzuara. Kreu i Partisë Demokratike është ndalur edhe në problemin e vaditjes, ku tha se projekti për ndërtimin e një sistemi modern do të jetë parësore mandatin e ardhshëm të qeverisë së tij. Kryeministri më tej premtoi hartimin e një plani për rehabilitimin e lumit Osum, investime për një jetë më të gjallë kulturore dhe zgjidhjen ngërçit të shkollës së mesme në këtë zonë me pronarin e truallit. “Unë ju garantoj se është në tagrin dhe detyrën e cdo deputeti të zonës që të jetë në mënyrë konstante i pranishëm në hallet tuaja. Më vinë shumë ankesa në ditë, por ska ankesë që nuk ia delegoj dhe deputetit, ai është i votuari juaj dhe duhet tu dalë zot interesave tuaja. Unë e përcjell edhe në administratë. Vimë tek vaditja, është problem madhor në shkallë vendi. Të flasim hapur, ashtu si shumë vite më parë, ne vazhdojmë të përpiqemi për vaditjen. Skema e vendosur në shoqata në terësi dështoi, skema ishte e drejtë pasi bazohet në ujdinë e ujit të atyre që përfitojnë por dhe detyrimet. Më herët ajo funksiononte në mënyrë të kronometruar. Kjo skemë na falimetoi, ka mundësi që psikologjia e kolektivitetit dobësoi përgjegjësinë individuale. Katër vitet që vinë kemi si projekt më madhor kanalizimet, pasi infrastruktura pothuajse është ezauruar. Ashtu si kemi shkuar me rrugë kudo, do shkojmë me vaditje. Lidhur me lumin Osum ja kam përcjellur Ministrisë së Bujqësisë, natyrisht ndërtimi i argjinaturës do një lloj planifikimi, ne e kemi një fond emergjence por përdoret kryesisht për përmbytje. Por ne do ndërhyjmë në mënyrë të padiskutueshme për mbrotjen e tokës. Për shkollën e mesme që është ndërtuar por duhet shpërblyer trualli. Natyrisht do bëjmë gjithcka për ta shpërblyer. Nuk jam dakord që bëhet mësimi këtu me dy turne se ka fëmijë që vinë larg nga fshatrat, ndërsa në qytete ndodh, është normale, edhe shkollat gjermane funksionojnë me dy turne në terësi. Por këtu do e ndërtojmë, vinë nga fshati dhe turn i dytë nuk shkon kjo punë, janë fëmijë, duhet të kenë siguri të plotë. Po ashtu do ndërtojmë bibliotekën. Sa i përket kinemasë është kërkesë e drejtë, por në terësi të tyre janë private dhe funksionojnë mbi bazën e tregut, tani a do ketë biznesmenë që do kenë interes të hapin kinema këtu? Por atë që mund të bëjmë ne është krijimi i një partneriteti publik-privat, që sëbashku të hapim një sallë kinemaje këtu”- tha ndër të tjera kryeministri Berisha.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga banorët ka qenë kërkesa për më shumë transparencë në specializimet në mjekësi, për të cilin shefi i mazhorancës u përgjigj se, “ky problem është shqyrtuar dhe rishqyrtuar disa herë”. “Së pari qeveria është e detyruar mbi bazën e një rajonizimi t’ju garantojë qytetarëve një listë shërbimesh të spëcializuar. Ky rregull është shumë i rëndësishëm, kjo kërkon që Berati të ketë këto specialitete, po them 10, në shërbim të qyetarëve. Ne këtë e bëjmë, por këta mjekë që specializohen duhet ti paguajmë për specializimin, por na ndodh që nuk janë 30 kardiologë që duan të specializohen, por janë 100. Ti pengosh mirë nuk është por ti paguash në një kohë kur destinacioni është strikt personal dhe jo në kuadrin e rajonalizmit, pra me taksat tuaja qeveria paguan 30 kardiologë. Këta duhet të vinë të punojnë 7 vjet sipas kontratës, të shërbejnë ty. Por janë dhe shumë mjekë që kërkojnë të specializohen jashtë sistemit të kontratës. Por në këtë rast, ndoshta më e drejtë është të punosh 3, 5 vite dhe të përgatitesh për të përballuar shpenzimet, jashtë kontratës. Ne po e studiojmë, Ministri Halim Kosova po merret seriozisht për ti dhënë përgjigjen më të mirë”- tha ai.
Mandatin e ardhshëm, rritje të pagave dhe pensioneve. 3-fishim të investimeve në bujqësi
Kryeministri Berisha premtoi se ndër angazhimet e qeverisë për mandatin e ardhshëm, do të jetë rritja e mëtejshme e pagave dhe pensioneve. “Jemi angazhuar për rritje rrogash dhe pensionesh. Sot, nuk ka mësues, nuk ka pensionist, nuk ka infermier, nuk ka punonjës administrate, që të mos ketë patur rritje thelbësore të rogës dhe të pensionit”- tha ai. Përmirësimi i klimës së biznesit, vazhdon të jetë në qendër të politikave të qeverisë. “U angazhuam për një klimë të mirë për biznesin. Secili nga ju mund të shkojë në zyrën e tatimeve dhe të marrë biznese të regjistruara. Bizneset sot në Berat janë pothuajse dy herë më shumë krahasuar me vitin 2005 dhe kjo fale një klime të favorshme që krijuam ne për biznesin, falë taksës së sheshtë, e cila është faktuar si një nga mekanizmat kryesorë për të tërhequr investimet e huaja dhe ky është një realitet. Sot në Shqipëri, gjatë katër viteve të fundit u investuan 4,2 miliard dollarë dhe këto nuk janë të dhënat tona, janë të dhënat e Organizatës Botërore të Tregtisë, e cila ndër të tjera deklaron viti e fundit se Shqipëria moti investime të huaja, mbi kapacitetin e saj”- tha kryeministri. Ai u shpreh gjithashtu se, katër vitet e ardhshme, qeveria do të trefishojë investimet në bujqësi. “Kemi dëshmuar një ndryshim të qartë në qëndrimin ndaj fermerëve dhe ju besoj e shihni këtë, e prekni këtë. Në Berat, ndofta më shumë se kudo ka mbjellje masive të ullinjve, hardhive, vreshtave e drurëve të tjerë frutorë. Ne kemi investuar këtu me mijëra fermerë. 4 vitet që vijnë ne do të trefishojmë këtë ndihmë. Por ama kemi të drejtë të kërkojmë besimin sepse ne kemi shpallur grantet dhe janë mijëra fermerë në Berat, janë mijëra ulishte, vreshta, drurë të tjerë frutorë, ferma blegtorale të subvencionuara me këto para. Është një rrugë që bazohet në këto realitete të prekshme, ndryshime të prekshme, të cilat kanë nevojë të thellohen edhe më tepër në të ardhmen. Ky është qëndrimi ynë. Ne jemi persistentë në ato që premtojmë”- vijoi ai. Ndërkaq, kryeministri ironizoi edhe Edi Ramën lidhur me vendlindjen e tij. “Shkon në Tropojë dhe u thotë se jam nga Gegyseni, shkon në Mirditë u thotë jam nga Proseku, nuk e kam dëgjuar kurrë të thotë nga Mbreshtani, kur rrënjët i ka nga Mbreshtani”.