E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizuja dhe kontrolli i zgjedhjeve

Vazhdimisht, vitin që kaloi, e kemi prekur shumë herë me shqetësim problemin e vështirësisë së realizimit të demokracisë funksionale për shkak të defekteve të Kushtetutës së re dhe Kodit Zgjedhor. Midis të tjerash ky Kod sjell mundësinë e kontrollit të rezultatit të zgjedhjeve, ndërkohë që palët kryesore PD, PS e kanë mohuar gjasme të çuditura këtë konstatim tonin dhe e mohonin këtë shqetësim si të stisur e të pavërtetë. Po kështu, çuditërisht, naivisht, apo si pjesë e skenarit apo nën presionin e Doktorit, LSI, PBDIU e PR qëndronin shpesh herë duke ‘protestuar’ në mënyrë gazmore në radhët e partive të vogla të djathta a të majta – në një kohë që këto të tria, po të merreshin vesh I.Meta, Sh.Idrizi dhe F.Mediu e bënin z.Berisha e z.Rama (por edhe ndërkombëtarët që duan sa më shumë përqendrim për të thjeshtësuar kontrollin dhe kanë dhënë bekimin e tyre në këtë katrahurë antidemokratike që prodhojnë zgjedhjet në Shqipëri), që të hidhnin një valle nga sikleti i rrezikimit të pushtetit të tyre absolut. Nëse shqetësimi ynë atëherë ka qenë i kotë, si shpjegohet gjithë kjo luftë e partive të vjetra e ky padurim, në pritje të zjarrtë për rrëmbimin e një sopate për të prerë me komisionerët e tyre pyllin e elektoratit të të tjerëve nga ana e 4-5 partive kryesore parlamentare? Çdo të thotë kjo grindje për dominimin të kontrollit të rezultatit me komisionerët e të gjitha niveleve? Vërtet mund të mendohet se kjo ndodh thjesht si luftë kundër shkeljes së ligjit, si një interes për të punësuar disa mijëra militantë të tyre për një periudhë të shkurtër apo kjo luftë kryhet për të mos lejuar të tjerët që të rrëmbejnë nga copa e tyre elektorale dhe nëse mundet, për të rrëmbyer ata vetë copën e ndonjë fakiri që ligji i krijon disavantazh dhe pabarazi në procesin e kontrollit të rezultatit zgjedhor?
Së pari gjithë ky sherr flet për mungesën e besimit të palëve te sinqeriteti dhe drejtësia e palës tjetër dominante. Së dyti, gjendja eksplozive tregon se pas kalimit të LSI-së dhe komisionerëve të saj majtas, palët janë të drithëruara për të patur në dorë maxhorancat në të tre komisionet e zgjedhjeve që të manipulojnë rezultatin ose për të mos e njohur atë, duke akuzuar më pas palën tjetër si manipulatore që ka margjinalizuar rezultatin real zgjedhor me anë të makinacioneve të vjedhjes së votave. Duke i ditur këto dy mangësi dhe duke ditur se procesi në Shqipëri gjithmonë është manipuluar nga njëra palë në qeveri dhe është kontestuar nga pala tjetër në opozitë, ambasadori Arvizu ka shprehur shqetësimin e tij që palët të punojnë së bashku për të rregulluar të gjitha nivelet e komisionerëve dhe gjithashtu, të gjitha palëve pjesëmarrëse tu garantohet një proces i drejtë dhe i ndershëm votimi e numërimi. Si mund ta kuptojmë këtë?
Dihet se në këtë proces zgjedhor janë 4 subjekte që kanë interes të mbrojnë ose kontrollojnë votat e tyre. Blloku i djathtë i partive me nukël PD e z.Berisha, po njëlloj blloku i majtë me nukël PS e z.Rama si edhe dy partitë e reja, Fryma e Re Demokratike (FRD) dhe Aleanca Kuq e Zi (AK). Meqenëse partitë që bëjnë pjesë në një nga aleancat e mëdha kanë një farë garancie në procesin e numërimit për shkak të komisionerëve të Aleancës ku ato bëjnë pjesë, ndoshta duhet marrë parasysh që edhe dy forcat e tjera të cilat garojnë të vetme, FRD dhe AK, të kenë komisionerin e tyre, për tu garantuar edhe atyre një klimë besimi te procesi zgjedhor dhe te një proces i drejtë numërimi. Natyrisht që avantazhet e krijuara nga historia dhe Kodi i bërë në favor të tyre, nuk mund të sjellë ndonjë altruizëm, gatishmëri dhe vullnet të dukshëm nga ato, për ta realizuar këtë, përkundrazi. Por këtë gjë mundet dhe duhet ta realizojë faktori ndërkombëtar, i cili është arbitri dhe realisht e ka fuqinë që të ndikojë dhe ushtrojë presion mbi pangopësinë dhe obstruksionizmin e të vjetërve dhe ta kryejë një rol të tillë. Vetëm në këtë mënyrë procesi zgjedhor do të kishte një transparencë maksimale dhe do të ulte gjasat e mospranimit të një rezultati të drejtë nga ana e ndonjë partie të veçantë ose do të rriste shkallën e besimit publik nga bashkimi i më shumë opinioneve të përbashkëta të subjekteve elektorale për të refuzuar zgjedhjet, nëse Qeveria dhe maxhoranca e sotme do të manipulonte rezultatin, gjë që ka pak gjasa të ndodhë nëse do të zbatohej kjo skemë e përbërjes së komisioneve.
Të mos lejosh palët të jenë të përfshira në procesin e kontrollit të rezultatit në mënyrë proporcionale, në një kohë që këtë gjë nuk e garanton një komision shtetëror i paanshëm dhe me një teknologji të lartë dixhitale votimi, do të thotë të mos lejosh zhvillimin, do të thotë ta lesh ujin të rijë në vend e të qelbet, do të thotë ta mbash një vend dhe qytetarët e tij në stanjacion ose edhe në një regres politiko-ekonomik.
Nëse këtë koment e lexojnë krerët e politikës sonë, ndoshta ata me megallomaninë e tyre edhe mund të habiten se si unë guxoj të them mendime të tilla?! Por nëse arsyetohet në të njëjtën mënyrë me arsyetimin e tyre që tregon mungesë besimi te pala tjetër e komisionit, përse edhe dy subjektet e reja, FRD dhe AK të mos mendojnë po njëlloj te komisioni që kërkohet të konstituohet në të gjitha nivelet vetëm prej 2 blloqeve kryesore të përfshira rreth partive kryesore të vjetra?
Nëse ka një imponim nga faktori ndërkombëtar mbi 3 autorët e 21 janarit mbi të cilët rëndojnë, veç shumë mëkateve të tjera edhe gjaku i 4 viktimave, atëherë Berisha dhe Rama e ulin kokën dhe pranojnë. Nëse do të bënte këtë z.Arvizu, në emër të SHBA, natyrisht që do të krijonte kushte të barabarta për palët dhe do të krijonte mundësinë për tu identifikuar më qartë vullneti elektoral i shumicës së qytetarëve dhe heshtja e kuptueshme e Rrugës së Elbasanit më 2008 do të kuptohet si një gabim, si një pendesë dhe si një shenjë se ata e duan vërtet demokracinë funksionale në Shqipëri, se ata duan pushtete realisht të ndara e të balancuara, se ata duan një pjesëmarrje efektive të një Presidenti të fortë në pushtetin gjyqësor, në institucionet e pavarura të shtetit me një lloj varësie nga kreu i shtetit dhe se ata dëshirojnë ti thonë ‘JO’ vullnetit të vetëm të një njeriu në vendimmarrjet e të gjitha institucioneve. Kjo do të thotë se ata vërtet e shohin si mekanizmin më të mirë institucional projektin e sistemit të Zh.Zh.Rusosë, Hobsit e Lokut në Shqipëri për ndërtimin e një shteti jo arbitrar e të balancuar.
Ligjet i bën arsyeja dhe imponimi i kushteve, më pas vullneti i kthen ato shumë lehtë në një realitet. Asgjë nuk është e pamundur dhe asgjë nuk mund të duket si skandaloze, sidomos nga ata që kanë bërë aq shumë skandale mbi qytetarët dhe popullin e tyre në këto 23 vjet, demokratë e socialistë, republikanë e të lësëisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›