As armiq, as vellezer, fqinje
1.
Rezoluta e miratuar para dy ditëve nga ana e Parlamentit Evropian, që u kërkonte shteteve anëtare të BE-së të shpejtojnë procedurat e njohjes së pavarësisë së shtetit të ri të Kosovës, u bë shkak, përveç një krenarie të ligjshme të shqiptarëve, edhe për një sërë deklaratash politike, që domosdo shprehnin qëndrime të ndryshme të disa prej shteteve evropiane. Nga të gjitha këto deklarata, ato të Greqisë dhe Qipros, deri dikur edhe ajo e Sllovakisë, duke qenë vende të rajonit, sigurisht që fitojnë një peshë specifike dhe ku e ku më të ndryshme, të themi, nga ajo e Spanjës. Duket sikur çdo përpjekje për të implementuar një realitet të ri, të ndryshëm nga historia e re e rajonit, shërben për të ringjallur pikërisht ato simptoma sëmundjesh që historia na i afron me shumicë.
Kështu ndodh që "sherrnaja ballkanike", pavarësisht stadeve të pretenduara të "qytetërimeve" të vendeve dhe popujve të ndryshëm, vazhdon të prodhojë blozën e ngërçit të bashkëpunimit dhe të zhvillimit normal që buron nga ky bashkëpunim. Një delegacion shqiptar, i thirrur në një mbledhje rajonale në Serbi, kërkon me të drejtë që në takim të ishte thirrur edhe Kosova. "Sherri" i Greqisë me Maqedoninë në lidhje me emrin e kësaj të fundit po pengon anëtarësimin në NATO të shtetit "simbol" të konglomeratit nacional rajonal. Problemet mes Sllovenisë së "urtë dhe evropiane" me Kroacinë rrezikojnë të lenë në "standby" edhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Një ministër "kulture" i Greqisë, figurë jo e paspikatur politike e këtyre viteve të fundit, paralajmëroi para ca javësh edhe ndarjen e pashmangshme të Maqedonisë. Paralajmërimi u shoqërua madje edhe me një konkluzion "logjik": Askush nuk duhej të trembej nga një Bullgari e Madhe apo një Shqipëri e Madhe. Pastaj kemi ende të hapur sherret Turqi-Greqi. Qiproja e ndarë më dysh. Kemi edhe vatra të tjera "të nxehta": Himarën, Mitrovicën, Medvegjën, Preshevën… Vatra, ku edhe pse "ngrohet" dhe merr shëndet nacionalizmi i shtirë i shumëkujt, që mbledh vota përmes kësaj shtirjeje, lehtësisht mund të shndërrohen në zjarre. Dhe fuçia, mbetet sërish e mbushur me barut…
2.
Tregojnë se një nga shkaqet pse Lidhja e Prizrenit nuk pati atë rezultat që pritej, ishte paqartësia e shumë prej atyre që merrnin pjesë në këtë tubim si përfaqësues të trevave shqiptare. Njëri pretendonte se "harta" e Shqipërisë duhet të përfshinte brenda saj edhe Selanikun, pasi atje kishte blerë ca dyqane dhe një hotel. Një tjetër kërkonte që brenda këtyre kufijve të futeshin edhe fushat që rrethonin Bukureshtin… sepse atje ai kulloste delet… Tregojnë se në një moment, njëri nga drejtuesit më mendjehapur të mbledhjes pyeti:
- E, deri ku mendon zotnia juj se shkon kufini i Shqipnisë?
- Der‘ ke Molla e Kuqe,- iu gjegj, pa iu dridhur qerpiku përfaqësuesi, të cilit harta e pretenduar si e Shqipërisë i dukej e vogël.
Dhe Molla e Kuqe nuk u gjend kurrë se ku ndodhej saktësisht, pasi në çdo gëmushë të skërkave të Ballkanit kishte një numër pa fund mollësh të kuqe.
Ata që merren me analizën historike të nacionalizmave primitive ballkanike dëshmojnë se "Molla e Kuqe" sipas rastit mund të jetë një kishë, një teqe, një varr ushtarësh të paemër, një libër i ndonjë murrgaci të mbuluar nga pluhuri, një këngë lahute apo një vegël e huazuar muzikore pale se nga ç‘anë e largët e botës…
3.
Nëse të bie rasti të lexosh dokumente arkivore do ta kuptosh se sa e përzier dhe "kombëtarisht" e paqartë është historia jonë e së shkuarës. Ndërsa përmes udhë-përshkrimesh të historisë së këtij rajoni që vijon të jetë kufij-trazuar, së paku që nga Plini e deri te Pukëvili, do të lexosh pak a shumë të njëjtin refren si më pishtë: Pasi lamë fshatin N, ku takuam ca burra të bukur e krenarë që e quajnë veten Toskë, pas katër orësh udhë me kalë, mbërritëm në një fshat bullgarësh… Pas pesë orësh, në të perënduar të diellit, mbërritëm në fshatin Z, të banuar nga vllahë dhe shqiptarë muhamedanë, që nuk i kushtonin ndonjë rëndësi fesë… Krejt ndryshe nga popullsitë e tjerë të lindjes, popullsia e këtyre trevave është e çiltër… Gratë që ndeshëm në breg të lumit ishin kryezbuluara dhe iu përgjigjën pyetjeve tona, pa dëshmuar asnjë lloj frike…
Në të vërtetë e kaluara e rajonit, pavarësisht pretendimeve dhe pa rënë në detajizime që nuk i mban hapësira dhe qëllimi këtij shkrimi, ka qenë përgjithësisht e përbashkët. Kemi jetuar nën perandorinë e Romës, pastaj (përgjithësisht) në atë të Bizantit, ku edhe administrimi ishte kryesisht vendor dhe së fundmi nën perandorinë otomane. Cilësia e përbashkët e të tri këtyre perandorive, pavarësisht ndryshimeve, ishte shumëkulturshmëria dhe shumëetniciteti. Një shqiptar dhe një maqedonas, një bullgar dhe një serb (më vonë, sigurisht) shpesh qëllonte të shërbenin në të njëjtën skuadër ushtarake, të bënin dru, të martoheshin dhe të kishin nipër e mbesa gjakpërzierë.
Thënë përmbledhtazi, shumica e kohës që kemi përshkruar së bashku në histori, ka qenë kohë e bashkëjetesës. Logjikisht, kjo do të duhej të kishte qenë edhe baza e ndërtimit të një të ardhmeje në harmoni me larminë kulturore të realiteteve globale… Mirëpo, kjo nuk ndodhi.
4.
Armiqësitë nacionale lindën në këtë rajon, së bashku me romantizmin nacional që rrok hapësirën kohore mes fillimit të shekullit XIX dhe përmbyllen me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Lufta Ballkanike, së bashku me Luftën e Parë Botërore pikëzuan pa asnjë dyshim themele gjaku të armiqësive nacionale në rajon. Nuk kanë qenë pa rol në kultivimin e kësaj klime edhe interesat e kancelarive vendimmarrëse të "fuqive të mëdha" të kohës.
Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, u duk sikur një epokë e re po lindte për rajonin tonë problematik. Me përjashtim të Greqisë, e cila "u caktua" të bënte pjesë në "Perëndim", të gjithë shtetet e tjerë u bënë pjesë e "familjes së madhe komuniste të Lindjes". Fillon kështu e ashtuquajtura periudhë e vëllazërimit mes popujve. Vendin e nacionalizmit u duk sikur do ta zinte tashmë realiteti i të ashtuquajturit "internacionalizëm proletar". Popujt sllavë ishin vëllezër me shqiptarët… Bashkim-vëllazërim do të mbetej slogani bazë e politikës komuniste "liberale" të Titos në Jugosllavi.
Mirëpo, sapo sistemi ra në krizë, u kuptua se i ashtuquajturi "vëllazërim" paskesh qenë fals. Në krizën në fjalë dhe për të kompensuar vakuumin e pushtetit dhe të autoritetit të munguar, liderët lokalë rigjallëruan nacionalizmat lokalë, të cilët shpeshherë morën edhe tipare qesharake, që megjithatë u paguan shumë shtrenjtë dhe rajoni hyri në një kalvar luftrash të përgjakshme, pasojat e të cilave ende nuk janë mbyllur.
5.
Nga armiqësitë tradicionale te vëllazërimet ideologjike. Pastaj nga vëllazërimet ideologjike sërish tek armiqësitë. Duket sikur është krijuar kështu një rreth vicioz. Situata e brendshme në Bosnjë-Hercegovinë, ajo mes Kosovës dhe Serbisë, Greqisë dhe Maqedonisë e kështu me radhë, dëshmon se situatës i duhet afruar as me armiqësi, as me "vëllazëri", por me atë realizëm që lipset të kenë vendet fqinje, të cilët i lidh një e shkuar e përbashkët, por edhe një e ardhme e pashmangshme.
Tashmë është e qartë për shumëkënd se, në sistemin demokratik që përpiqemi ta ngremë edhe anembanë rajonit tonë, ekziston pashmangshmërisht edhe një rrezik që buron nga nevoja e mbledhjes së votave. Politikanë të paaftë gjenerojnë ide të reja, të paaftë që këto ide t‘i bëjnë të pëlqyeshme për publikun, të paaftë për debate dhe negociata ndërshtetërore (nënkupto për shkak të konfiguracionit të ri të rajonit: ndëretnike), lehtësisht u dorëzohen tezave nacionaliste. Pushteti sigurohet lehtësisht. Korrupsioni lulëzon poshtë petkut të po këtij nacionalizmi. Jeta demokratike fashitet.
Dhe lipset vetëm kaq: të kuptojmë se, përpara se të jemi miq, vëllezër apo armiq, jemi fqinjë dhe interesat i kemi kësisoj të përbashkëta.
E për ta realizuar këtë kapërcim, lipset një vetëdije tjetër, lipset më shumë se asnjëherë një vetëdije politike e mbarë klasës politike të secilit vend. Ashtu sikundër lipset që pikërisht te "vatrat" e nxehta, po këto klasa politike, të fillojnë të ngrenë me guxim dhe përgjegjësi realitetet e pashmangshme të kësaj fqinjësie, që, ashtu si çdo fqinjësi, vërtet ka probleme, por mbi të gjitha ka interesa të përbashkëta…