"Koka e Zeusit". dy futbollistë paguajnë kthimin
"Koka e Zeusit" duket se këtë herë është shumë pranë kthimit në Shqipëri. Kjo do të bëhet e mundur përmes një gjesti simbolik të dy futbollistëve shqiptarë që jetojnë jashtë. Igli Tare dhe Lorik Cana kanë paguar të hënën, në praninë e ambasadorit tonë në Romë, çekun me shumën 20 mijë euro për kthimin e kësaj statuje. Koka e Zeusit të Ascleptusit, e cila është vjedhur nga Shqipëria në vitin 1991, u sekuestrua nga karabinierët italianë në shtëpinë e një koleksionisti dhe kaloi në duart e Prokurorisë Italiane. Prej asaj kohe, qeveria shqiptare bëri një kërkesë zyrtare për kthimin e statujës, e cila u vërtetua se i përkiste muzeut të Butrintit. Për këtë arsye, në respektim të procedurave ligjore të shtetit italian, u hap edhe një çështje gjyqësore që do të vendoste për kushtet e kthimit të "Kokës së Zeusit" në vendin e origjinës. Si rezultat, u vendos që koka e statujës do të kthehej në Shqipëri, por më parë duhej paguar një shumë rreth 20 mijë euro. Prej më shumë se dy vjetësh, që në kohën e ministrit Leskaj, avokati shqiptar i ngarkuar me çështjen kishte njoftuar ministrinë tonë për kushtet e kthimit. Letra njoftimi kanë vazhduar të vijnë edhe në kohën kur në krye//////////////// të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndonëse rreth një vit më parë, kur ministri Pango me një ceremoni të madhe zyrtare ktheu me bujë në Butrint dy shtatore mermeri pa kokë të Artemisës dhe Apollonit, në bazë të një marrëveshje të nënshkruar që prej vitit 2005, u shpreh se do të kthenin nga Italia edhe "Kokën e Zeusit". Në një kohë që gjyqi ishte fituar nga pala shqiptare, nuk dihen arsyet se pse Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve vazhdonte të vononte rikthimin. Nga ky institucion i kulturës, nuk jepet asnjë prononcim për rastin e "Kokës së Zeusit", skulpturën e kohës helenistike. Theksohet ajo që është thënë edhe më parë, se Ministria e Kulturës ka dorëzuar në palën italiane të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Por nuk ka asnjë koment as nga ministri, as nga vartësit e tij për gjestin që bënë dy futbollistët, për rikthimin e kokës së statujës. Por sigurisht, do të ishte e pajustifikueshme për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, institucionit përgjegjës për vlerat tona unikale, nëse kthimi i "Kokës së Zeusit" mbetej peng e mospagimit të shumës prej 20 mijë eurosh. Një shumë e tillë, nuk është as çereku i fondit që kjo ministri jep për organizimin e disa koncerteve, të cilët as nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me politikat kulturore të këtij institucioni. Ndërkohë, pas pagimit të shumës prej 20 mijë eurosh, do të duhet të kalojnë edhe pak javë për procedura zyrtare, para se shteti italian të lejojë kthimin përfundimtar të kokës së statujës në muzeun e Butrintit, aty ku u vodh nga bastisjet e vitit 1991. Ajo arriti të identifikohej nga policia italiane, pasi kjo vepër unike ishte skeduar dhe ishte hedhur në rrjetin e Interpolit. Skulptura helenike që mban numrin e inventarit 60, ka flokë kaçurrelë të gjatë, të cilat i mbulojnë komplet veshët. Sytë kanë formën e një bajameje dhe vetullat janë të gdhendura shumë qartë. Vetullat janë të drejta dhe pak të varura poshtë, ndërsa buzët janë të mbyllura plotësisht. Mustaqet janë sipër tyre dhe mbushin distancën nga hunda te buzët, pastaj varen poshtë duke u dredhur. Fytyra është e mbushur nga një mjekër e dendur dhe kaçurrele. Kthimi i Kokës së Zeusit do të shënojë një vepër unike më shumë në muzetë tona dhe një më pak në listën e vlerave të mëdha që ndër vite kanë kaluar kufijtë e shtetit tonë dhe janë bërë pjesë e rrjetit të biznesit.