E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri fakultete, pa provim pranues

Nga Express më 16 prill 2011 në ora 18:15

Derisa ka mbetur edhe një muaj e gjysmë deri në kohën kur maturantët do të përfundojnë mësimin dhe do t’i nënshtrohen testit të maturës, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka nisur të përgatisë broshurat me të cilat ata do të informohen për testin përfundimtar të maturës.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës në Republikën e Kosovës, Nehat Mustafa, ka thënë për Kosovapress se fushata për informimin e maturantëve për testin e maturës do të fillojë në fund të muajit prill.

“Gjatë javës së fundit të muajit prill ne do të fillojmë shpërndarjen e broshurave ku maturantët do të informohen për maturën në përgjithësi, për rëndësinë që ka matura pastaj edhe për procesin e maturës, për të drejtat dhe ndalesat që i kanë gjatë organizimit të maturës”.

Ndryshe nga herët e tjera, sipas Mustafës këtë vit administrimi i testit të maturës do të bëhet së bashku me profesorët universitarë, si dhe organizimi i testit do të bëhet në hapësira më të mëdha, e jo nëpër klasa.

Përparësi për këtë vit do të kenë ata maturant të cilët dëshirojnë të regjistrohen në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Fakultetin Teknik, drejtimi Makineri dhe Fakultetin e Bujqësisë, të cilët, nuk do t’i nënshtrohen provimit pranues.

“Në këto tri fakultete nuk do të ketë më provim pranues. Do të vlejnë ekskluzivisht rezultatet e testit të maturës, pastaj në bashkëpunim me fakultetet janë caktuar lëndët prioritare. P.sh. në një fakultet të caktuar është bërë kategorizimi i lëndëve prioritare dhe pikët e testit nga ato lëndë prioritare të arritura do të kenë një koeficient më të madh në bazë të kësaj pastaj bëhet edhe renditja”, ka thënë Mustafa.

Arsyeja pse këtë përparësi nuk do ta kenë të gjithë maturantët sipas Mustafës është frika nga manipulimi me testet duke u bazuar në përvojat e kaluara dhe kjo është vetëm një testim, në mënyrë që në vitet e ardhshme testi i maturës të jetë i vetmi kusht për regjistrim në universitet.

Testi përfundimtar i maturës do të mbahet më 4 qershor.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›