E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhen detaje nga raundi i bisedimeve Prishtinë-Beograd

Edita Tahiri

Bruksel, 16 prill 2011 NOA Në Bruksel është mbajtur raundi i tretë i dialogut teknik ndërshtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së. Mësohet se takimi i radhës do të mbahet nga mesi i muajit maj në Bruksel. Delegacioni i Republikës së Kosovës udhëhiqej nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ai i Serbisë nga drejtori politikë i ministrisë së Jashtme, Borislav Stefanoviç dhe u ndërmjetësua nga përfaqësuesi i BE-së Robert Cooper, në të cilin takim ishte i pranishëm përfaqësuesi i Qeverisë amerikane në cilësinë e mbështetjes së këtij dialogu.
Tema qendrore e këtij takimi ishte lëvizja e lirë, njohja e diplomave universitare si dhe u bisedua për temat tjera të hapura në takimet e kaluara.
Burime nga qeveria e Kosovës i thanë agjencisë NOA se sa i takon lëvizjes së lirë, delegacioni i Kosovës u angazhua për një marrëveshje të bazuar në parimin e reciprocitetit për lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja shteteve duke theksuar se një marrëveshje e tillë është në funksion të lehtësimit të jetës së qytetarëve si dhe korrespondon me parimet fundamentale të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të Bashkimit Evropian.

Delegacioni kërkoi njohjen e dokumenteve të udhëtimit, të pasaportave, lejes së njoftimit, lejes së vozitjes dhe targave të automjeteve Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, duke shtuar se Kosova pavarësisht historisë së hidhur me Serbinë, ka njohur dokumentet e Serbisë që nga përfundimi i luftës.
Delegacioni i Kosovës po ashtu shtroi zgjidhjen e problemit të mosnjohjes së diplomave shkollore nga Serbia  dhe kërkoi parimin e reciprocitetit në njohjen e diplomave shkollore dhe universitare.
Kurse mësohet se pala serbe paraqiti propozimet e saj për çështjet e lëvizjes së lirë, të cilat në esencë nuk respektojnë parimet e BE-së por janë një formë e zgjidhjes alternative që mundësojnë lëvizjen e lirë.
Në përgjigje të propozimeve të tilla, pala e Kosovës insistoi që zgjidhjet të bëhen në harmoni me vlerat dhe parimet e BE-së, duke qenë se të dyja shtetet kanë shprehur aspiratën që sa më shpejtë të bëhen anëtare të BE-së dhe lëvizja e lirë është një prej standardeve që duhet plotësuar.

Po ashtu, pala e Kosovës është angazhuar për zgjidhje praktike dhe kreative, por ka kundërshtuar çfarëdo zgjidhje etnike.
Më pas bisedimet trajtuan çështjet e energjisë, telekomunikacionit, regjistrat civil, dokumentet kadastrale dhe vulat e doganave.
Progres i theksuar është shënuar në trajtimin e çështjeve të energjisë dhe telekomunikacionit dhe të dyja palët janë pajtuar që ndërmjetësi i BE-së të ofrojë ide shtesë për zgjidhjet evropiane të këtyre çështjeve.
Përparime janë bërë në çështjet e regjistrave civil, ndërkaq çështja e kthimit të dokumenteve kadastral kërkon angazhime shtesë të palëve.
Për sa i takon njohjes së vulave të doganave të Kosovës, nuk ka pasur përparime për shkak se pala serbe ka qëndrim negativ duke shkelur madje edhe parimet e BE-së, sepse BE-ja dhe vendet anëtare tashmë kanë njohur vulat  e doganave të Kosovës.
Në delegacionin e udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri kanë marrë pjesë:
Lirim Greiçevci- këshilltari politik i kryeministrit Thaçi, këshilltarët e zëvendëskryeministres Tahiri: Dren Zeka, Gazmir Raci dhe Arjeta Rexhaj.
Gjithashtu, në delegacion kanë qenë edhe ekspertët Ali Hamiti kryesues i ZRrE-së, Fadil Ismajli-kryeshef i KOSTT-it, Arben Gjukaj-drejtor i KEK-ut, Naim Bejtullahu-anëtar i Bordit të KOSTT-it, Llyr Roëlands-këshilltar në KEK, Ekrem Hoxha-kryesues i ART-së, Lulzim Kurtaj-anëtar i Bordit të ART-së, Elvis Pista-PTK, Bardhyl Jashari- këshilltar i Ministrit Bajram Rexhepi, Blerim Camaj, Sabahate Muharremi dhe Shkumbim Kastrati nga MPB dhe Murat Meha, Drejtor i Agjencisë Kadastrale.
a.b/NOA

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›